Nxënësit e studentët, si do të ndahen 3200 bursat
zirina llambro
Plot 3,200 bursa për studentët dhe nxë-nësit. Për këta të fundit kuota mujore do të jetë 6,000 lekë në muaj, ndërsa për ata që ndjekin shkollën e lartë kjo masë shkon deri në 8,500 lekë. Qeveria me vendimin e fundit ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë përfituesit. Këtë vit për herë të parë të vetmit që bëjnë përjashtim prej tyre janë nxënësit e shkollave profesionale. Nxënësit që regjistrohen dhe vazhdojnë studimet në këto degë për vitin shkollor 2009-2010 do të marrin bursë pavarësisht kriterit ekonomik. Të ndara sipas cikleve të studimit janë miratuar 1600 bursa për nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre 9-vjeçare dhe po kaq për studentët. Në rast se secili prej tyre nuk arrin të kalojë vitin akademik ose shkollor e drejta e bursës humbet. “Do të jenë këshillat bashkiakë që do të vendosin për dhënien e bursave sipas kritereve ekonomike të përcaktuara në këtë vendim, duke u dhënë përparësi shtresave sociale në nevojë”. Jashtë kriterit ekonomik do të marrin bursë fëmijët e punonjësve të policisë apo forcave të armatosura që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës”, ka përcaktuar Qeveria. Ndërkaq, është parashikuar që të përfitojnë bursë studentët, të cilët vazhdojnë studimet në specialitetin e matematikës dhe fizikës pas përfundimit të plotë të kursit të parë, të cilët në vitin paraardhës arrijnë një notë mesatare mbi 8. “Është vendosur t’u jepet bursë nxënësve me rezultate më të mira në provimet e maturës shtetërore të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës sipas rezultateve të arritura. Numri i tyre për vitin 2009-2010 është përcaktuar të jetë 25”, saktësohet në vendim. Afati përfundimtar i shqyrtimit dhe miratimit të bursave për vitet e para është data 15 dhjetor e këtij viti, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor. Sakaq, fëmijët dhe mësuesit e institucioneve të arsimit special pa konvikt trajtohen falas nga shteti me një vakt ushqim në vlerën deri në 150 lekë në ditë. Nxënësit jetimë do të përfitojnë bursën edhe gjatë pushimeve verore, si dhe vetëm një vit kur humbasin vitin shkollor për arsye të rezultateve jo kalues. “Nxënësit apo studentët që kanë statusin e jetimit, nxënësit e Institutit të Fëmijëve që nuk Dëgjojnë dhe Institutit të Fëmijëve që nuk Shikojnë përfitojnë falas veshmbathje, libra e fletore. Këto kategori përjashtohen edhe nga detyrimet e tarifave të shërbimeve të ndryshme që ofrojnë shkollat”, thuhet në vendim. Nga plani i bursave të miratuara për këtë vit shkollor Bashkisë së Tiranës i jepen 10 bursa për studentët, që vijnë nga familjet apo shtresat sociale në nevoje, pavarësisht nga kriteri i studimit larg vendbanimit. Ndërsa bashkive të tjera, të cilat në vendndodhjen e tyre territoriale kanë institucione të arsimit të lartë publik u jepen 5 bursa për këtë kategori studentësh.
Përfitojnë bursa
Sipas kriterit ekonomik
• Nxënësit/studentët që vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km.
• Nxënësit që banojnë në fshat pa shkollë 9-vjeçare
brenda rrezes 5 km dhe që vendosen në konvikt publik.
• Nxënësit/studentët që kanë përfituar statusin e jetimit
• Nxënësit/studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore
• Studentët bashkëshortë që vendosen në konvikte dhe plotësojnë kriterin ekonomik
• Fëmijët, nxënësit dhe studentët që kanë statusin e invalidit
Sipas rezultateve
• Nxënësit e arsimit profesional me të gjitha notat 10
• Nxënësit që vazhdojnë studimet në degët, bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtim
• Studentët që kanë mbaruar shkollën e mesme me medalje ari
• Studentët me rezultate të shkëlqyera në maturën shtetërore
• Studentët që kanë mbaruar vitin akademik me të gjitha nota 10
• Studentët e matematikës fizikës me mesatare mbi 8
Përfitojnë bursa nxënësit
• Familje 2 persona të ardhura/ frymë 3,200 lekë
• Familje 3 persona të ardhura/frymë 3,100 lekë
• Familje 4 persona të ardhura/frymë 3,000 lekë
• Familje 5 persona të ardhura/frymë 2,900 lekë
• Familje 6 persona të ardhura/frymë 2,800 lekë
• Familje 7 persona të ardhura/frymë 2,700 lekë
• Familje me 8 persona të ardhura/frymë 2,600 lekë
Shkollat profesionale,bursa për të gjithë
Frekuentimi i ulët i shkollave profesionale e ka shtyrë qeverinë të ndërhyjë me një politikë të re. Cilido nxënës që do të regjistrohet dhe do të vazhdojë studimet në këtë sistem do të marrë bursë. Kjo pavarësisht nëse është keq ekonomikisht apo nuk ka të tilla probleme. “Në degët prioritare për zhvillimin e ekonomisë si ato bujqësore, veterinare, pyjore dhe ndërtimi është parashikuar që të përfitojnë bursa nxënësit, që regjistrohen në këto degë pavarësisht kriterit ekonomik”, ka përcaktuar Qeveria. Kjo masë vjen pas vënies së arsimit profesional si prioritet nga Ministria e Arsimit. Në vendin tonë arsimin profesional e ndjekin rreth 17% e nxënësve krahasuar me gjimnazet e përgjithshme, ndërsa në Evropë këto shifra janë disa herë më të larta. Kryeministri i vendit Sali Berisha ka premtuar që me politikat, që do të ndjekë synon që shifrat të shkojnë deri në 40%. Por me gjithë masat e marra sërish interesi i nxënësve për arsimin profesional mbetet tejet i ulët.