Sistem i ri për t’u pranuar në spital
Këtë javë pritet të fillojë zbatimi i sistemit të referimit nga mjeku i familjes deri në spital. Çka do të thotë që çdo pacient, i cili nuk është një rast urgjent, nuk do të pranohet në spital pa pasur më parë rekomandimin nga poliklinika dhe mjeku specialist. Ministria e Shëndetësisë pritet të përfundojë urdhrin që parashikon masat administrative për mjekët që pranojnë pacientë jashtë sistemit. Për ata pacientë që do ta zgjedhin mjekun nga stafi i spitalit ka një pagesë e cila do të variojë nga 25 -40 mijë lekë të vjetër. Specialistët sqarojnë se respektimi i sistemit të referimit doli si domosdoshmëri pas futjes së skemës së sigurimeve në spitale. Deri vitin që kaloi, në këtë skemë ishte përfshirë vetëm sistemi parësor. Vetë kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka pranuar se rikthimi i besimit në sistemin parësor jo vetëm që do të lehtësojë fluksin në spitale, por do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimit.