Rezultatet zyrtare, në pushtet kthehen socialistët e PASOK
tirane
Greqia iu kthye qeverisjes socialiste pas më shumë se 5 vitesh e gjysmë nën drejtimin e konservatorëve të Kostas Karamanlis. Rezultatet e para tregojnë se opozita socialiste e Greqisë ka fituar zgjedhjet kombëtare të dielën me një shumicë absolute, duke i hapur rrugën sigurimit të një pakete të stimulit ekonomik prej 3 miliardë eurosh. Një zyrtar i lartë i PASOK-ut, ish-ministri, Evangelos Venizelos, tha se socialistët kanë pasur një fitore “historike” pas konservatorëve të mundur nga skandalet. Mbështetësit e PASOK-ut kanë festuar mbrëmë në Greqi pas daljes së rezultateve të para, të cilat treguan fitoren e qartë të socialistëve në zgjedhjet e parakohshme greke. “Ne kemi bindur votuesit grekë me forcën e programit tonë”, tha një nga anëtarët e partisë PASOK, Theodoros Pangalos. Mijëra mbështetës të ngazëllyer të PASOK-ut ishin mbledhur në selinë e partisë, duke tundur flamujt e gjelbër dhe duke u rënë borive të makinave. Sipas paraprakeve, PASOK ka siguruar ndërmjet 41-44 për qind të votave, duke marrë kështu njëkohësisht edhe shumicën parlamentare që i nevojitet për të qeverisur vetë. Në një deklaratë televizive, Ministri i Brendshëm grek tha se PASOK ka fituar 43.5 për qind të votave, sipas projeksioneve, ndërsa “Demokracia e re” 35,6 për qind. Këto rezultate mund të kenë një gabim prej 0,3 për qind, sipas zyrtarëve. Karamanlis pranoi humbjen në zgjedhje dhe pas numërimit të 1/3 së votave, i telefonoi Papandreut duke i uruar fitoren.
Përballja e tretë
Kjo ishte përballja e tretë mes Papandreut, një politikan i rrymës së butë i lindur në SHBA, dhe Karamanlisit, një orator i fuqishëm që di si i apelon grekët. Të dy janë pasardhës të dinastive të fuqishme politike. Karamanlis, 53 vjeç, thirri zgjedhjet e parakohshme në gjysmë të mandatit të tij të dytë katër-vjeçar, duke argumentuar nevojën urgjente për reforma ekonomike. Ai kishte në program kursimin në pagat shtetërore, pensionet dhe ngrirjen e punësimeve. “Sot, grekët duhet të marrin një vendim me përgjegjësi, për një largim të sigurt nga kriza, për politikat që mund të jenë të vështira, por që garantojnë një kthim dinamik në rritje nga viti 2011 e më tej”, tha Karamanlis, pas votimit dje në qytetin verior të Selanikut. Papandreu, 57 vjeç, tha se për ringritjen e vendit është e nevojshme një paketë stimuli ekonomik deri në 3 miliardë euro. “Unë jam i sigurt se së bashku ne do të ndryshojmë Greqinë. Kjo është ajo që ne duam dhe ne do të kemi sukses. Sot është një ditë demokracie. Sot, çdo individ, me votën e tij, ka fuqi të barabartë për të vendosur fytyrën e vendit, për një të ardhme më të mirë nesër për veten, për fëmijët dhe familjen e tij”, tha Papandreu pas votimit.
Pa interes
Zgjedhjet nuk kanë pasur interes për masën e gjerë në Greqi. Një sondazh i fundit ka sugjeruar se nëntë nga 10 votues nuk kanë pasur besim në asnjërën prej palëve. Edhe pse shumë prej tyre kanë preferuar të zgjedhin ndryshimin në qeverisje, me shpresën për të parë përpara më mirë. George Karatzaferis, lideri i nacionalistëve të Partisë Popullore Ortodokse greke, ka fituar 6 për qind të votave me fjalimet e tij të ashpra kundër Maqedonisë dhe Turqisë. Ai i quajti Karamanlisin dhe Papandreun “dy djem të mirë nga familje të mira, që e çuan Greqinë në falimentim”.
Në krah të kundërt
Fitorja Socialiste e Greqisë shkon kundër prirjeve të votimit në pjesët e tjera të Evropës. Gjermanisë iu kthye në fuqi sërish qendra e djathtë e kancelares, Anxhela Merkel, gjatë votimeve të së dielës së kaluar, dhe Britania e Madhe po shkon drejt zgjedhjes së një qeverie konservatore në vitin 2010, duke i dhënë fund sundimit të pashkëputur të Laburistëve që nga viti 1997. Por shumë grekë janë bërë gjithnjë e më shumë të pakënaqur me qeverinë e tanishme të “Demokracisë së Re”, pas pesë vitesh e gjysmë në pushtet, periudhë në të cilën qeveria ishte zhytur në skandale dhe ndoqi politikat jo-popullore ekonomike. Tre partitë e tjera më të vogla, duke përfshirë edhe Partinë Komuniste të Greqisë (KKE), Koalicioni i Majtë Radikal (Syriza), dhe Partia Nacionaliste e krahut të djathtë, LA.OS kanë siguruar vota të mjaftueshme për përfaqësim në Parlament.
rezultatet
PASOK: 43,5%
(160 vende në parlament)
Demokracia e re: 35,6%
(92 vende në parlament)
KKE: 7,3-8,3%
(20-22 vende në parlament)
LAOS: 5-6%
(14-16 vende në parlament)
SYRIZA: 3,9-4,9%
(11-13 vende në parlament)
Të gjelbrit: 2-3%
(asnjë vend në parlament)
Sfida ekonomike, ja çfarë e pret Papandreun
I dobësuar nga skandalet dhe një shumicë e dobët parlamentare, Karamanlis thirri zgjedhjet e parakohshme, duke u zotuar se ai kishte një shans më të mirë të fitonte tani, sesa pas dy vitesh një mandat të ri qeveritar katër-vjeçar. Por shumica preferoi ndërrimin e pushtetit. Tani pas rezultateve zyrtare pritet që Papandreu të jetë Kryeministri i ri i vendit. Ai do të përballet me deficitin e buxhetit dhe rritjen e papunësisë, si dhe pakënaqësinë e thellë me sistemin e edukimit, sigurinë sociale dhe imigrimin. “Sfida e re për qeverinë e re është gjetja e një buxheti të besueshëm dhe një parashikim kohor realist për të ulur disbalancat fiskale”, tha për “New York Times” Nikos Magginas, ekonomist në Bankën Nacionale Greke. Pas shumë vitesh rritjeje të fuqishme të prodhimit të Greqisë, rreth 2,5 për qind të ekonomisë së të gjithë zonës euro, Greqia këtë vit ka perspektivë të ngadalësojë në zero rritjen, madje edhe të hyjë në zonën negative këtë vit, me drejtuesit kyç dhe sigurimin e punës në sektorë si turizmi, i cili është goditur shumë. Ekonomistët e vënë në pikëpyetje urtësinë e planit të shpenzimeve të Papandreut, duke thënë se kjo mund të çojë në më shumë huamarrje në një vend, që tashmë është i dyti që ka borxhin më të madh në zonën e euros, pas Italisë në përqindjen e GDP-së.