Deçani atraktiv për prodhim e energjisë alternative
Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ka mirëpritur ofertën e kompanisë “Belenergy” nga Belgjika, për investime në projekte për prodhimin e energjisë alternative.
Gjatë një takimi me përfaqësuesin e kompanisë belge, Selmanaj ka shprehur gatishmërinë për të përkrahur projektet, të cilat synojnë rritjen e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik.
Ai po ashtu ka premtuar përkrahjen institucionale dhe gjithçka që është në kuadër të ligjeve për investimet që do t’i bëjë kjo kompani nga Belgjika. Ndërkohë, ai ka përmendur mundësitë e investimeve të mëdha edhe në fushën e turizmit, hidroenergjetikes dhe të bujqësisë.
Përfaqësuesi i kompanisë “Belenergy”, Hajdin Bela, ka përmendur përvojën e kësaj kompanie në realizimin e projekteve për prodhimin e energjisë alternative, ndërsa ka shtuar se Deçani për shkak të konfiguracionit të tij, është shumë atraktiv për realizimin e projekteve të tilla.
Sipas tij, ekzistojnë të gjitha garancitë bankare e kompanisë në fjalë për
investime deri në 300 milionë euro, por për investime të tilla ka kërkuar përkrahjen e komunave përkatëse dhe garanci shtetërore.
Bela ka thënë se paraprakisht duhet bërë studimi i fizibilitetit dhe se për fillim do të ndërtojnë 150 fluturake që do të prodhojnë energji me erë në rajonin e Dukagjinit, ndërkohë që projekti do të zgjerohet edhe në disa komuna tjera të Kosovës.
Oferta e kësaj kompanie me renome, e cila sipas përfaqësuesit të saj
pritet të zgjerohet edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë, do të artikulohet edhe me ministrinë përkatëse dhe KEK-un, ndërkohë pas ndërtimit të fluturakeve, pritet të ndërtohet edhe një fabrikë për prodhimin e tyre.
Realizimi i këtyre projekteve, pos sigurimit të energjisë alternative, e cila është e domosdoshme për t’i realizuar parametrat e BE-së, do të gjenerojë edhe rreth 200 vende të reja pune.
Nasim Haradinaj, drejtor i Drejtorisë Komunale të Bujqësisë, ka thënë se ekziston gatishmëri e pronarëve të tokave, por edhe nga ana e vetë Komunës për të lejuar ndërtimin e fluturakeve në komplekset tokësore. /kosovapress/