Në pritje të EULEX-it

Vera nuk e solli përmbushjen e pritjeve të kosovarëve në lidhje me veprimtarinë e EULEX-it: se do të kishte numër më të madh arrestimesh të figurave të majme politike, për të cilat dyshohet se janë të përziera në korrupsion. Me përjashtimin e arrestimit të guvernatorit të BQK-së, duket se EULEX-i zgjodhi të punonte në sigurimin e një pozicioni shumë më të fuqishëm në raport me realizimin e objektivave të veta në sferën e sundimit të ligjit në periudhën e ardhshme.
Në rend të parë ia siguroi vetes zgjatjen e mandatit edhe për dy vjet, gjë që nënkuptoi një konsensus më të gjerë të anëtarëve të BE-së, nga financimi i të cilëve varet edhe vetë funksionimi i misionit të parë të këtij lloji që ka themeluar Evropa ndonjëherë. Në vijim u përpoq t’i gjente dy udhëheqës më energjikë, që do ta dinamizonin punën e këtij misioni. I pari do të ishte gjenerali francez i pensionuar që do ta zëvendësojë një gjeneral tjetër francez që tash pensionohet për së dyti. Ky është ushtarak francez i lindur në Gjermani dhe baba i pesë fëmijëve (si të ishte nga këto treva, apo jo?) – Xavier Bout de Marnhac, i cili në kohën kur kishte qenë komandant i KFOR-it kishte qenë shumë i vendosur t’i përdorte trupat për ta ruajtur sigurinë, në kohën kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës. “Nuk është punë imja të spekuloj për procesin politik, por në rast se siguria cenohet, kemi plane dhe në bazë të nevojës do t’i përdorim trupat”. Dhe kjo nuk ka qenë blof.
I dyti do të jetë një diplomat britanik që do ta zëvendësojë një tjetër diplomat britanik – atë që e merrte gjumi ndonjëherë në seancat e Kuvendit, që kishte deklaruar se EULEX-i nuk e kishte ndier veten të rrezikuar kur u sulmua nga serbët në Mitrovicë dhe i cili kishte paralajmëruar arrestimin e guvernatorit. Diplomati inert do të zëvendësohet me një njeri absolutisht energjik, Andy Sparkes, i cili është përpjekur që në fillim t’i mësonte së paku pesë fjali në shqipe dhe të përshtatej sa më shumë në ambientin në të cilin punon. Si pianist me shumë takt që është, mbase edhe do ta ketë më lehtë që ta përcaktojë edhe ritmin e veprimit të misionit, njeriu i dytë i të cilit do të jetë në periudhën e ardhshme kohore – e që për të pakorruptuarit kosovarë do të mund të konsiderohej shumë lajm i mirë.
Atë që e dimë me siguri se janë objekte hetimi nga EULEX-i janë rasti Bllaca, aty-këtu ndonjë element turbullues në Mitrovicë, rasti Limaj dhe rasti guvernatori... Në dy raste, Bllaca dhe Rexhepi, tashmë flasim edhe për masat e arrestit shtëpiak dhe atij institucional, dhe gjasat janë se do të ketë inicim të shpejtë të procedurës gjyqësore, mu për shkak të afateve që i përcakton ligji. Ajo që ende mbetet vështirë e kuptueshme është se përse deri më tani nuk është shkarkuar guvernatori i Bankës, përderisa është caktuar ushtruesi i detyrës dhe përderisa ky i pari ka mbi pesë ditë të njëpasnjëshme që nuk është lajmëruar në punë. është absolutisht e pahijshme të thuhet se kemi një shtet që ka Bankë Qendrore, guvernatori i së cilës gjendet në burg... e që frontin për të e mban zëvendësi i tij. është shumë vështirë e kuptueshme që as Kuvendi e as kryetari nuk kanë gjetur kohë të merren me këtë punë... apo është se ende nuk po mund të merren vesh për kandidatin e mundshëm, që shpresoj nuk do të jetë Berim Ramosaj, njeriu i cili me “menaxhimin ekzekutiv” tijin e shkatërroi Prishtinën dhe mundësoi krijimin e kaosit në të cilin jetojmë.
Në rastet tjera që po i dimë, apo që janë përfolur, nuk e kemi të qartë modus operandin e EULEX-it në Mitrovicë ndaj të dyshuarve serbë për krime e as nuk e kemi as më të voglën indice se për kë do të mund të bëhej fjalë, sidomos pasi u hoq dorë nga ndjekja e Milan Ivanoviqit për shkatërrimin e pikave kufitare më 2008. Ashtu siç nuk e kemi të qartë as qasjen që do ta kenë në rastin Limaj, më skandalozin po qe se vërtetohet se është ashtu siç e thotë prokurori i EULEX-it. E si prokurori ashtu edhe vetë misioni e dinë se rrezikojnë shumë po qe se nuk ndërmerret asgjë në rastin, i cili është përfolur më së shumti dhe, i cili, madje obligoi edhe ndërmarrjen e bastisjes së objekteve institucionale, si dhe arrestimin e ekspertit të teknologjisë informatike që i kishte bartur shënimet nga njëri në serverin tjetër, duke u përpjekur, siç thoshte EULEX-i, t’i fshihte ato. Në fakt ata rrezikojnë kredibilitetin, kurse ne rrezikojmë dënimin e përjetshëm që të jetojmë në një vend të sunduar nga krimi dhe hajnia e që njëkohësisht të quhet demokraci... sa ironike...
Më shumë se vetë EULEX-i janë kosovarët ata që i kultivojnë shpresat se me ardhjen e këtyre dy udhëheqësve të rinj të misionit gjërat do të ndryshojnë për të mirë dhe se ky mision përnjëmend do të jetë në gjendje t’i përmbushë obligimet e veta, ashtu siç janë parafytyruar. Me gjithë frikën që ekziston se do të ketë dikur një marrëveshje politike sipas së cilës çështja e arrestimeve do të konsumohet – pra do të “mbushej limiti”, përtej të cilit politikisht nuk do të lejohej të shkohej, për hir të ruajtjes së stabilitetit, sidomos në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare që do të zhvillohen vitin që vjen.
S’do mend se kjo do të ishte absolutisht e padrejtë dhe se sërish pasojat e këtij mosveprimi eventual do t’i vuanin qytetarët dhe jetët e tyre. Sepse ajo që do të sillte stabilitet dhe shumë rend këtu do të ishte renditja e kriminelëve dhe e matrapazëve prapa grilave, ashtu siç u ndodh mafiozëve që zihen në Itali, e që t’u konfiskohet e gjithë pasuria e krijuar “në emër të popullit”. Kjo, për një grimë satisfaksion të atyre që pas gjithë këtyre vjetësh pritjeje nuk e kanë besuar se himnin e pavarësisë do ta shkruante “Troja”, e që të mos ketë çka të komentohet më shumë:
Janë do vjet që kanë kalue nëpër mue, mbrenda n’shpirt me forcë po’m shtyjn me thanë,
Kush janë kta njerz që s'janë shkollue e nuk kanë msue që njeri nuk bân shpinë e vet me vjedh.
Janë do fjalë që nuk po muj me i than! Janë do njerz që kanë teprue, shumë më kanë kushtue, rrenat e tyne janë t'um çue atje ku veten nuk muj ma me gjet.
Dhe sa vjet duhet me shkue, me i duru kta njerz që krejt, forcën ma kanë marr!
Ku janë kta njerz që trunin ma kanë la?
Ku janë kta njerz, që vet nuk muj me i nalë?
Kisha dasht diçka me ndrrue, me kta njerz, që diellin....diellin ma kanë nal.
Sa shumë vjet kam andrrue, kam besue, zotit ju kam lutë dielli me dal.
Ku janë kta njerz, që diellin ma kanë nal? Ku janë kto vjet që kurrë nuk muj me i falë?
Troja beri kengen, ne duhet t'i bejme ndrrimet. Boll ma. Keq do te zhgenjehen ata qe besojne se EULEXi do te ndrroj dicka. Thjesht ata nuk kane motiv per te nderruar dicka sepse ata gezojne imunitet absolut ne Kosove dhe jetet dhe karrierat e tyre nuk preken nga asgje qe bejne pushtetaret/mafiozet/hajnat. Ndersa qytetaret e Kosoves kane gjithe motivet e mundeshme (edhe te drejten) qe te ndryshojne gjendjen sepse behet fjale per jetet e tyre dhe te femijeve te tyre.
Flladi (para 35 minutave)Bravo Flaka. Ah t'i kishim pase edhe disa njerez te tjere si ti.
Bardhi (para 1 oreve)Flaka , Nuk ka koment kenga e Trojes i perfshin kejt keto maskallaraqet qe ka ndodh te ne Kosoven e shume vujtur per liri per nje ardhmeri me mireqenie ashtu si duhet te meritojm si qytetar gjeografikisht ne mes te Evropes( e qe ne fakt sikur te ishim ne mes te Afrikes) dhe qe akoma vazhdojm te jem ne nje kaos te pafund korrupsioni dhe qka eshte me e keqja se nuk po e dijme kur do te perfundoje kjo! Athue kur do te del nje lider te cilit do ti besojm? Kush mund te jete ai????
Agoni (para 1 oreve)