Nga mbledhja e Këshillit të Ministrave Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin "Për disa ndryshime ne Ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vend
Nga mbledhja e Këshillit të Ministrave
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin "Për disa ndryshime ne Ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore". Ndryshimet që bën projektiligji kanë të bëjnë me realizimin e procesit të decentralizimit, me misionin e pushtetit vendor që është sigurimi i një qeverisje sa më afër shtetasve. Nryshimet synojnë të zgjidhin disa probleme që janë hasur gjatë zbatimit të ligjit ekzistues "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore". Ndryshimet që bëhen do të shoqërohen edhe me hartimin e një "Rregulloreje tip" që do të përcaktojë detyrat e kryetarëve dhe kryesive të fshatrave. Përmirësimet kanë për qëllim të angazhojnë më shumë kryetarin dhe kryesinë e fshatit në procesin e vendimmarrjes nga ana e këshillit komunal/bashkiak, duke patur parasysh që aktualisht, jo çdo fshat përfaqësohet në këshillin komunal/bashkiak. Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Anëtarët e Kryesisë së fshatit zgjidhen në mbledhjen e fshatit me shumicën e votave të pjesëmarrësve, me të drejtë vote, në mbledhje. Në rastet kur fshati përbehet nga disa lagje, secila nga ato zgjedh një anëtar kryesie. Mënyrat dhe rregullat e votimit përcaktohen nga këshilli komunal/bashkiak përkatës.
Ndyshimi tjetër ka të bëjë me miratimin e taksave dhe tarifave vendore dhe përcaktimin e masave të tyre. Taksat dhe tarifat vendore, niveli i tyre si dhe dhënia në përdorim e tjetërsimit të pronave miratohet me shumicë të thjeshtë të votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillave përkatëse. Në ligjin ekzistues kjo miratohej me tre të pestat e numrit të përgjithshëm të këshillave përkatëse. Duke patur parasysh se miratimi i politikës fiskale vendore është momenti kryesor për përmbushjen e angazhimeve elektorale të forcës politike që ka fituar zgjedhjet në njësinë përkatëse, detyrimi kryesor për miratimin e kësaj politike fiskale me shumicë të cilësuar të këshilltarëve, pra tre të pestat, bie ndesh me vullnetin e komunitetit për t'u administruar nga kjo forcë politike.
Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin "Për miratimin e strategjisë së modernizimit të shërbimit të gjendjes civile". Objektivi i dokumentit "Strategjia e modernizimit të shërbimit të gjendjes civile" është identifikimi dhe përcaktimi i mekanizmave dhe kuadrit ligjor dhe fiskal të nevojshëm, për ngritjen e një sistemi kombëtar bashkëkohor të regjistrimit civil. Modernizimi i shërbimit të gjendjes civile është kërkesë prioritare për aktivitetin e qeverisë, për përafrimin me standartet europiane të administratës publike. Hartimi i kësaj strategjie është një konkluzion logjik i përpjekjeve për ngritjen e këtij shërbimi në standartet bashkëkohore, për zgjidhjen e nevojave që tashmë është kthyer në domosdoshmëri. Kjo diktohet nga nevoja bazë e shtetit për të patur evidenca të sakta të shtetasve, për të forcuar themlet e shtetit ligjor, për të ndërtuar politikat e zhvillimit, nga nevoja për përsosjen e proceseve të demokratizimit dhe decentralizimit të pushtetit vendor, për lehtësimin e proceduarave të regjistrimit dhe të shërbimit ndaj shtetasve shqiptarë me banim ne Shqipëri, apo jashtë vendit në emigracion, duke përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet e drejtpërdrejta që kanë shtetasit me shtetin e tyre. Gjithashtu kjo strategji bëhet e domosdoshme dhe urgjente për t'iu përgjigjur më mirë pasqyrimit të ndryshimeve të mëdha demografike, si dhe mundësitë për akses për të dhënat në gjendjen civile për përdorues të ndryshëm. Reformimi i këtij shërbimi bëhet i domosdoshëm edhe në kushtet kur shqipëria aspiron të hyjë në BE, për të rritur besueshmerinë në dokumetet identifikuese shqiptare dhe në veprimtarinë e institucioneve të tjera që bazohen në të dhënat e gjendjes civile.
Strategjia e modernizimit të shërbimit të gjendjes civile, përmes 6 kapitujve, jep një tablo të gjendjes të këtij shërbimi dhe argunmentet për nevojën e ngutëshme të modernizimit të tij, evidenton të gjitha ndërhyrjet e nevojëshme për t'u kryer, drejtimet kryesore të procesit të kompjuterizimit, drejtimet kryesore për kualifikimin e punonjësve të SHGJC si dhe rëndësia e ndërgjegjësimit të publikut për të siguruar pjesëmarrjen etij në zhvillimin e reformës në SHGJC.
Strategjia e modernizimit të shërbimit të gjendjes civile plotëson edhe kushtet e e vendosuara nga Projekti CARDS 2003, për formatizimin e një reforme për Regjistrin e Gjendjes Civile dhe atë të votuesve. Krijimi i një regjistri elektronik të gjendjes civile (Regjisri Kombëtar i Gjendjes Civile) do të shërbejë si bazë për një numër të madh detabase-sh. Ky regjistër do të krijojë besueshmëri në çdo lloj statistike apo database-si që përdor si burim të dhënat nga zyrat e gjendjes civile.
Finalizimi i procesit të modernizimit të SHGJC do të jetë shpërndarja e dokumentit të identitetit, që do të plotësohet me të dhëna nga Regjistri Kombëtari i Gjendjes Civile i Kompjuterizuar.
Gjithashtu u miratua vendimi "Për miratimin e Strategjisë Kombëtare të trajnimit për pushtetin vendor, në Shqipëri (2004-2006)". Kjo strategji synon që brenda periudhës kohore 2004-2006 të shfrytëzoi përpjekjet e ofruesve aktuale dhe të rinj të trajnimeve për t'i përqëndruar në prioritetet e qeverisjes vendore, të sigurojë dhënien e informacionit ofruesve për t'i ndihmuar në planifikimin e programeve të tyre, të rrisë numrin dhe cilësinë e trajnerëve, si dhe të koordinojë programet e trajnimit në shkallë kombëtare me programet e trajnimit të bashkive, komunave dhe qarqeve. Zbatimi i saj do të mbështesë organet e qeverisjes vendore, të zgjedhurit dhe veçanërisht administratën vendore të shërbimeve publike në rritjen e kapaciteteve të tyre menaxhuese, për zbatimin me efektivitet të reformës së decentralizimit. Me implementimin e procesit të decentralizimit që po shoqërohet me transferimin e plotë dhe delegimin e kompetencave e funksioneve në organet e qeverisjes vendore, trajnimi shihet si një domosdoshmëri. Për implementimin e Strategjisë është parashikuar të ngrihet agjensia e zbatimit të saj, me themelues Minsitrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Shoqatën e Këshillave të Qarqeve dhe Shoqatën e Komunave dhe të Bashkive të Shqipërisë.
U miratua vendimi edhe vendimi "Për mbështetje të diferencuar financiare për disa komuna". Ky vendim synon përcaktimin e komunave të cilësuara si më të varfëra në Republikën e Shqipërisë me qëllim mbështetjen e tyre me përparësi nga pushteti qëndror, donatorë, organizatave jo fitimprurëse, si dhe aktorë të tjerë të shoqërisë për zbutjen e varfërisë së këtyre zonave dhe zhvillimin e tyre ekonomiko-social.
Shumë komuna kanë nevojë të mbështeten në mënyrë të diferencuar nga buxheti i shtetit, për arsye të burimeve të veta vendore të kufizuara, të mungesës së burimeve për zhvillim dhe të sipërfaqes së tokës bujqësore inproduktive. Për shkak të kapacitetit të ulët fiskal të këtyre njësive vendore për të krijuar të ardhura nga burimet e brendëshme, këto komuna ofrojnë pak shërbime publike për komunitetet e tyre.
Sipas këtyre kritereve vlerësuese, rezultojnë 80 komuna të varfëra të cilat kërkojnë mbështetje të diferencuar financiare në trajtimin e tyre. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizmit në kriteret e shpërndarjes së transfertës për vitin 2004, do t'i mbështesë me fonde këto njësi, me qëllim që ato të ushtrojnë funksionet e tyre të përcaktuara me ligj brenda një standarti të përcaktuar, për të ndikuar në zbutjen e varfërisë në zonat përkatëse.