Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë: "Për miratimin e modernizimin e gjendjes civile e të ngritjes së nivelit të drejtimit e të profesionalizmint të për
Sot u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit të Ministrave me tematikë: "Për miratimin e modernizimin e gjendjes civile e të ngritjes së nivelit të drejtimit e të profesionalizmint të përfaqësuesve të pushtetit vendor, si dhe për ngushtimin e diferencave në zhvillimin e disa komunave me anë të mbështetjes financiare nga shteti".
Në mbledhjen e tij të sotme Këshilli i Ministrave miratoi këto projektligje:
U miratua edhe projektligji "Për ratifikimin e Marrëveshjes ndëmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar në projektin "Furnizimi me ujë dhe shkarkimi i ujërave të zeza",Krujë, II. Ky projekt, është i rëndësishëm pasi do të bëjë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm qytetin e Krujës, por do të mundësojë edhe rregullimin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Projekti "Furnizimi me ujë dhe shkarkimi i ujërave të zeza, në Krujë, II " parashikon një grant prej 2.556.459,41 EURO. Në këtë Marrëveshje qeveritare, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i jep mundësi Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të marrë nga KfW, këtë grand.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë e liron KfW nga të gjithë taksat dhe tatimet e tjera publike, të cilat merren në RSH, lidhur me përfundimin dhe zbatimin e kontratës së grantit.
Po në këtë kuader u miratua projketligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar në projektin "Fondi i investimeve sociale ADF –III-Shqipëria Veriore dhe Lindore". Në bazë të marrëveshjes midis qeverive të të dy vendeve mbi bashkëpunimin financiar dhe teknik është parashikuar që të financohet projekti "Fondi i investimeve sociale ADF –III-Shqipëria Veriore dhe Lindore" me nje hua prej 2.301.000 Euro dhe një grant prej 256.000 Euro. Ky projekt, që ka marrë miratimin e Qeverisë Gjermane, ka si objekt zhvillimin social dhe ekonomik afatgjatë në zonat e ndërhyrjes së programit nëpërmjet përmirësimit të faktorëve bazë të zhvillimit; kontributin për të parandaluar dhe minimizuar shqetësimet potenciale sociale; shërbimin e përmirësuar të infrastrukturës sociale për popullsinë në zonat veriore dhe lindore të vendit si dhe krijimin e punësimit të përkohëshëm dhe të oportuniteteve cilësore për shtresat e varfëra të popullsisë.
Projekti ka të bëjë me ndërtimin e rehabilitimin e infrastukturës në veri dhe ne verilindje të vendit. Një komponent i veçantë i këtij projketi është dhe krijimi i punësimit në këto zona. Në kuadrin e këtij projekti ka edhe 11 nënprojekte që do të realizohen në rrethet: Bajram Curri, Bulqizë, Burrel, Fushë–Arrëz, Koplik, Krumë, Kukës, Librazhd, Dibër, Pukë dhen Vau i Dejës. Në këtë Marrëveshje qeveritare, Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë i jep mundësi Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të marrë nga KfW, huan prej 2.301.000 Euro dhe shumen prej 256.000 Euro.
U miratua gjithashtu projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar", (Fondi i studimeve dhe specialistëve, V- viti 2001. Në bazë të marrëveshjes midis qeverive të të dy vendeve mbi bashkëpunimin financiar dhe teknik parfshihet projekti Fondi i studimeve dhe specialistëve, V" me nje vlerë prej 1,022.583,76 Euro. Ky projekt shërben për të financuar studime të ndryshme për përgatitjen e projekteve të reja për bashkëpunimin teknik dhe atë financiar, në ato raste kur projektete e propozuara nuk kanë studime. Projekti do të shërbejë për të financuar edhe projekte të vogla në volum investimi dhe në një kohë të shkurtër në përputhje me prioritetet që Qeveria Shqiptare i prezanton përpara Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë si donatorë. Ky financim do të shpejtojë zbatimin e projekteve të bashkëpunimit midis dy vendeve, të cilat deri tani janë vonuar për shkak të mungesës së studimeve.
U miratua projekligji "Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për programin vjetor kombëtar të veprimit, "CARDS 2003". Në kuadrin e programit kombëtar "CARDS 2003" nga ana e Komunitetit Europian jepet një grant me një shumë totale prej 46.500.500 Euro. Ndihma financiare e BE-së në kuadër të programit CARDS është shtylla kryesore mbështetëse e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Qëllimi i saj është mbështetja e Shqipërisë në këtë proces duke përfshirë mbështetjen për forcimin e shtetit të së drejtës dhe stabilizimin demokratik, si dhe zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.
Marrëveshja përcakton fushat dhe sektorët përkatës të cilat do të financohen nga programi "CARDS 2003". Këto sektorë janë:
1) Drejtësia dhe punët e brendëshme;
2) Forcimi i kapaciteteve administrative;
3) Zhvillimi ekonomik dhe social, nxitja e rritjes së sektorit privat dhe krijimi i vendeve të punës;
4) Stabiliteti demokratik, fuqizimi i pjesëmarrjes së shoqërisë civile në zgjedhje
U miratua projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit të Komuniteteve Europiane, për programin vjetor rajonal të veprimit, "CARDS 2003"". Programi vjetor rajonal i veprimit "CARDS 2003" është hartuar nga shërbimet e Komisionit Europian në bashkëpunim me autoritetet përkatëse të vendeve të Ballkanit perëndimor dhe synon të mbështesë proceset e Stabilizim Asociimit. Në këtë kuadër, programi CARDS rajonal ofron mbështetje për Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Serbinë e Malin e Zi dhe Maqedoninë.
Për vitin 2003 janë zgjedhur këto fusha prioritare të mbështetjes:
1) administrimi i integruar i kufijve: qëllimi i projektit është mbështetja e vendeve të Ballkanit perëndimor për zhvillimin në mënyrë koherente të strategjive të tyre kombëtare të administrimit të integruar të kufijve.
2) forcimi i kapaciteteve institucionale: projektet në këtë fushë synojnë forcimin e kapaciteteve të administratave publike kombëtare për të qenë të afta për të marrë përsipër detyrimet që rrjedhin nga marërveshjet e stabilizim-Asociimit me BE. Gjithashtu ndihma do të ofrohet edhe për forcimin e kapaciteteve të administratave të biznesit, drejtësisë dhe punët e brendëshme.
3) stabilizimi demokratik: ky komponent do të përqëndrohet në projekte rajonale për mbështetjen e mediave, për nxitjen e bashkëpunimit midis rrjeteve të shoqërisë civile dhe zhvillimin e shoqërisë civile lokale.
4) infrastruktura rajonale: projektet do të përqëndrohen në fushën e ambientit dhe rrjetin rajonal të transportit.
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme miratoi këto vendime:
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Konventës "Për pjesëmarrjen e të huajve në jetën publike, në nivel lokal". Në përmbajtje të saj, Konventa përcakton të drejtat e shtetasve të huaj, rezidentë në një shtet tjetër, për t'u shprehur. Sipas saj, u njihet e drejta për lirinë e të shprehurit, me të gjitha format e saj: dhënien e mendimeve, marrjen dhe trasmetimin e ideve dhe informacionit, të drejtën e kërkimit të autorizimit të trasmetimit televiziv apo të sipërmarrjeve të kinemasë. Po ashtu Konventa u njeh atyre të drejtën e grumbullimeve paqësore, të drejtën e tyre për të formuar shoqatat e tyre lokale për qëllime të ndihmës së ndërsjellë, ruatjes dhe shfaqjes së identitetit kulturor etj. Me nënshkrimin e kësaj Konvente, çdo palë merr përsipër të sigurojë integrimin e vazhdueshëm të banorëve të huaj në jetën e komunitetit.
Në kuadrin e Strategjisë së Decentralizimit, misioni kryesor i pushtetit vendor është sigurimi i një qeverisjeje në një nivel sa më afër shtetasve, midis të tjerave dhe nëpërmjet njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive dhe nxitjes efektive të pjesëmarrjes së tyre në qeverisjen vendore.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të amendamentit të Marrëveshjes së Kredisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për projektin e reformës në arsim". Ritmet e larta të implementimit të projektit dhe rivlerësimi i disa aktiviteteve të parashikuara në dokumentin fillestar të projektit, por që tashmë të tejkaluara nga zhvillimet e sistemit tonë arsimor, kanë çuar në nevojën e amendimit të Marrëveshjes për të rritur fleksibilitetin dhe efekshmërinë e përdorimit të fondeve të mbetura.
Banka Botërore e ka miratuar këtë qëndrim të MASH. Rialokimet synojnë rritjen e fondeve për rehabilitimin e shkollave, blerjen e pajisjeve shkollore dhe asistencën teknike në drejtim të krijimit dhe forcimit të strukturave të reja.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si përfaqësues i institucioneve të përkohshme të vetqeverisjes së Kosovës, për bashkëpunim në fushën e shëndetit publik veterinar". Marrëveshja veterinare ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB në Kosovë do të lehtësojë bashkëpunimin lidhur me marrëdhëniet tregtare të eksporteve, importeve dhe tranzitimit të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore, prodhimeve të detit, biopreparateve dhe prodhimeve farmaceutike veterinare, si dhe do të ndihmojë në mbrojtjen e territoreve të dy vendeve nga hyrja dhe dalja e sëmundjeve ngjitëse.
Aktualisht janë disa kompani shqiptare që importojnë dhe eksportojnë produkte blegtorale në Kosovë.
Marrëveshja do të zgjerojë bashkëpunimin edhe në fushat e tjera të veterinarisë si metodat e kontrolleve klinike laboratorike, shkencore të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik, të shkëmbimit të informacionit etj.
U miratua vendimi "Për miratimin, në parim, të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Misionit të Përkohshëm Administrativ të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si përfaqësues i institucioneve të përkohshme të vetqeverisjes së Kosovës, për bashkëpunim në fushën e karantinës dhe të mbrojtjes së bimëve".
Marrëveshja ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Misionit të Përkohshëm Administrativ të OKB në Kosovë ka për qëllim mbrojtjen e territoreve të dy vendeve nga futja dhe përhapja e parazitëve karantinorë të bimëve; krijimin e kushteve lehtësuese për importim, eksportim dhe tranzit të bimëve e produkteve bimore dhe rritjen e bashkëpunimit reciprok të shërbimeve të mbrojtjes së bimëve të të dy vendeve.
Ndryshimet social-ekonomike në Shqipëri kanë çuar në një rritje të shkëmbimeve tregtare të bimëve e produkteve bimore me vendet fqinjë. Këto shkëmbime mbartin mundësinë e futjes dhe përhapjes së parazitëve të bimëve e produkteve bimore.
U miratua vendimi "Për një ndryshim në vendimin nr. 511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, "Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit të institucioneve shtetërore". Sipas këtij vendimi, orari ditor i punës për periudhën 1 nëntor – 31 mars do të fillojë në orën 08.00 dhe do të përfundojë në orën 16.00.
Ndryshimi që propozohet ka të bëjë me ndryshimin e orarit të punës vetëm për periudhën 1 nëntor – 31 mars, ndërsa për periudhën 1 prill – 31 tetor orari do të mbetet i pandryshuar.
Ky ndryshim bëhet i domosdoshëm duke patur parasysh ndryshimin e stinës si dhe koston ekonomike, që duhet të përballojnë institucionet e administratës qendrore.
Vendimi do të rrisë cilësinë në punë dhe për pasojë do t'i shërbejë përmbushjes me frytshmëri të detyrave, që u ngarkohen nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë të administratës.
Në mbështetje të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë dhe të ligjit "Statusi i nëpunësit civil", Këshilli i Ministrave ka përgjegjësinë të përcaktojë orarin dhe kohëzgjatjen ditore të punës për institucionet e administratës qendrore.
U miratua vendimi "Për funksionimin dhe organizimin e Këshillit të Zhvillimit të Turizmit". Ky vendim ka për qëllim rikompozimin e Këshillit të Zhvillimit të Turizmit në funksion të përgjegjësive e vendimarrjes, rregullimin juridik të thjeshtëzimit të anës proceduriale të thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së KZHT.
Vendimi parashikon rikompozim të KZHT të kryesuar nga Ministri i Rregullim Territorit dhe Turizmit dhe anëtar të tij përfaqësues të dikastereve të cilat lidhen me aktivitetin e turizmit.
Gjithashtu është hartuar edhe rregullorja e funksionimit dhe organizimit të KZHT, i cili synon të përmirësojë procedurat e zhvillimit të mbledhjes, parashikon lehtësira në procedurat e plotësimit të dokumentacionit ligjor e teknik për marrjen e titullit "person i stimuluar", si dhe përcaktimin e qartë të kritereve të vlerësimit për projektet e zhvillimit turistik.