E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga na vjen gjeni vetëshkatërrues

FATOS LUBONJA

Ka ardhur koha që shqiptarët t´i bëjnë vetes një pyetje ekzistenciale: Përse nuk jemi aty ku janë sot estonezët? [...] një gjen vetëshkatërrues [...] Kjo është menjëherë e dukshme për shumë të huaj. Nocioni se për të fituar vetë duhet të shkatërroni armikun, se shkatërrimi është rruga e duhur, mendoj se është një mendësi tepër unike e klasës politike shqiptare, e cila po bllokon përparimin. Në shumicën e vendeve përparimi vjen nga ndërtimi mbi arritjet e së kaluarës; nga kuptimi i së mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar; nga të pranuarit se, nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe. Megjithatë, koncepte të tilla, edhe nëse janë dëgjuar ndonjëherë, janë të rralla në debatet politike shqiptare…

Nëse Shqipëria nuk bën një ndarje me mentalitetin klientelist dhe të fokusohet te aftësitë, arritjet dhe meritat, unë shoh pak shpresë.

Ambasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen, këtë herë ka vendosur të na thotë disa të vërteta lakuriq mbi atë se si e mendojnë shumë të huaj realitetin shqiptar. Intervista është e fortë. Ajo meriton një reflektim të thellë jo vetëm të klasës politike, por të gjithë shoqërisë, pasi vjen në një moment ndjeshmërie të madhe dhe, njëherësh, sepse sintetizon një të keqe nga e cila vuajmë prej kohësh. Mungesa e reagimit nga maxhoranca dhe përdorimi i saj nga opozita thjesht për qëllime të ngushta të çastit qe një provë më shumë e asaj çka thotë ambasadori.
* * *
Interesantja për reflektim në intervistën e ambasadorit është se ai ka tentuar ti japë përgjigje një pyetjeje që ngrenë shpesh shqiptarët e që duket se ia ngrenë edhe të huajt vetes, kur duan të kuptojnë se çfarë e dallon Shqipërinë nga vende të tjera, si Estonia p.sh: nga vjen ky mallkim, kjo e keqe? Çështë ky gjen vetëshkatërrues  që ka bërë që edhe komunizmin shqiptarët ta kishin më të tmerrshmin edhe kapitalizmin më çnjerëzorin që i bën gjithnjë e më shpesh të thonë: ky vend nuk bëhet. (Veçanërisht e kam dëgjuar këtë shprehje pas këtij konfliktualitetit të fundit për Bashkinë, që është shoqëruar edhe me një vakum pushteti rrënues mbi ambientin, territorin, institucionet  dhe, në përgjithësi, mbi shpresën për një të ardhme më të mirë.)
* * *
Nga na vjen gjeni vetëshkatërrues?
Për afro një shekull shqiptarëve u është bërë një lavazh truri, duke u thënë se e keqja u vjen nga 500 vjet Perandori Otomane; se më parë kanë qenë të ndritur, por pastaj erdhën otomanët që u sollën errësirën me ferexhe; se kjo ka bërë që të jenë shumë të zotë për të qeverisur të tjerët, por jo për veten e tyre. Ka nga ata që u kanë thënë se e keqja u ka ardhur nga fqinjët e pabesë, serbët apo grekët. Enver Hoxha u shtonte këtyre edhe kishat dhe xhamitë si agjentura të armikut. Kësisoj, ideja e ngulitur thellë në ndërgjegjen shqiptare është se e keqja na ka ardhur nga jashtë, është instaluar në trupin tonë dhe ne tashmë ose jemi duke luftuar ta çrrënjosim me ndihmën e miqve (siç kanë pretenduar ata që kanë marrë përsipër të na udhëheqin), ose i jemi nënshtruar këtij «virusi» që jeton në trupin tonë në trajtën e politikanëve tanë, duke na bërë të lektisemi pa shpresë. Në një shkrim lexova një gazetar të shkruante, duke bërë analizat e zgjedhjeve në Shqipëri, se kush mendon se lufta kundër korrupsionit mund të ketë ndonjë ndikim në rezultat gabohet, pasi korrupsioni është një mënyrë jetese e ngulitur tek shqiptarët për pesëqind vjet nga Perandoria Otomane. Ndërkaq, ky vështrim i të keqes jashtë vetes tek tjetri është një konstrukt kulturor që është aplikuar e aplikohet edhe brenda vendit. Dikur aplikohej në trajtën e «armikut të brendshëm në bashkëpunim me të jashtmin»: agjenti i të huajve ose shfaqjet e mbeturinave borgjeze të së kaluarës, sot merr trajtën e armikut politik që herë është i tillë pse ka qenë komunist, spiun i Sigurimit, herë pse i shërben grekut, herë serbit, herë tjetër sepse nuk është shqiptar, por grek, vllah, shule apo ku di unë. Në fakt, konfliktualiteti e shkatërrimi që sheh ambasadori mbështetet fort mbi paradigmën nacionalkomuniste të projektimit të së keqes jashtë vetes tek tjetri, armiku, i keqi, që duhet ta luftojmë derisa ta çrrënjosim e që ka si anë tjetër të medaljes parimin: historia (e së mirës) fillon me mua.
Si provokim ndaj atyre që janë të bindur se «virusi» i të keqes na ka ardhur nga jashtë – më së shumti nga turqit – po sjell një fragment nga libri i Nathalie Clayer, ku tregohet se si përshkruhej shqiptari në teatrin e kukullave të Stambollit në fundshekullin e XIX. «Me mustaqe të trasha dhe ndonjëherë me mjekër të thinjur, shumë naiv, injorant në shkallën e fundit, jashtëzakonisht vulgar, ndonëse përpiqet të tregohet i sjellshëm, gazmor, ai flet gjithmonë si të shkrehë pushkën, si të thyejë, të presë dhe copëtojë. Kur ikën me të katra dhe merr dhenë, thotë se e bëra tia mbathë, kur ha mirë dajak, vetë thotë se e zhdëpa. Në fund të çdo fjale që nxjerr nga goja, ai fillon të kërcënojë atë që i kthen fjalën, duke vendosur dorën mbi kobure dhe figura e tij, gjatë pjesës teatrale, përqeshet në çdo lëvizje.»
Ja pra që edhe turqit, që me vetëmburrjen tonë nacional-komuniste i kemi konsideruar inferiorë duke thënë se jemi ne që i kemi qeverisur, na paskan përqeshur siç ndoshta na përqesh ambasadori danez për gjenin tonë vetëshkatërrues. Jo, e keqja duhet kërkuar gjetkë dhe ndryshe.
* * *
Gjykoj se kjo e keqja e vetëshkatërrimit nëpërmjet konfliktualiteit permanent, që në Shqipëri e gjejmë si një sëmundje endemike të rëndë, deri në atë shkallë saqë në nivel individësh edhe një kritikë racionale na e shndërron menjëherë mikun në armik, kurse në nivel politik i ka shndërruar dy partitë kryesore në gati ushtri mercenarësh, që paguhen për luftën që bëjnë kundër njëra-tjetrës, është një e keqe universale, jo shqiptare. Thjesht kemi të bëjmë me egoizmin njerëzor, që në formën më primitive është shfaqur si egoizëm individual kafshëror, pastaj si egoizëm klanor familjar e më pas në format e egoizmit të tribuve e të kombeve që kanë shkatërruar shumëçka për të fituar vetë. Problemi ynë është se ne nuk kemi mundur, në historinë tonë, të kapërcejmë përtej egoizmit individual dhe atij që mund të quhet egoizëm familjar, klanor e së fundmi i partive të shndërruara në tribu plaçkitësish. Deri tek institucioni i familjes, mirë keq, ne funksionojmë pak a shumë si të tjerët, përtej familjes ne nuk kemi ndërtuar dot thuajse asgjë të qëndrueshme pozitive. Në këtë kontekst, nëse do ti referohemi metaforës së ambasadorit, them se nuk bëhet fjalë për një «gjen vetëshkatërrues», i cili nënkupton një trup të shëndoshë të cilin ky po e shkatërruaka, por për mungesën e shfaqjes së një «gjeni ndërtues», që e rrit aftësinë e lidhjes dhe bashkëpunimit të qelizave individuale dhe familjare me njëra-tjetrën, duke fuqizuar organizmin shoqëror.
Po të shikosh historinë e shteteve të tjera të quajtur të suksesshme, kuptimi i të mirës së përbashkët dhe interesit kombëtar sipas të cilit nëse kontribuoni për ta bërë tortën më të madhe për shoqërinë, edhe feta juaj do të jetë më e madhe, ka ardhur nga të tilla mutacione në organizimin kolektiv të jetës. Ato kanë ardhur nëpërmjet krijimit të komuniteteve fetare, kanë ardhur nëpërmjet ndërtimit të shoqërisë civile, të lëvizjeve kombëtare, të lëvizjeve sociale, që tek e fundit janë ngjizur në strukturat dhe institucionet e atij që quhet shtet-komb, nëpërmjet një dialektike zhvillimi jo pa dhimbje e probleme edhe në shtetet më të suksesshme. Në shoqërinë dhe shtetin tonë të pas 1912-s, «mutacioni» që do ta bënte shoqërinë tonë të ndërtonte kuptimin e së mirës së përbashkët, d.m.th një shtet, me institucionet e tij e një administratë publike që funksionon për shtetasit e tij dhe jo kundër tyre, nuk ka ndodhur ende. Sipas m

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›