E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga një përgjigje ndaj Makiavelit

Nëpërmjet studimeve, recencave apo krijimeve të shumta, që prej kohësh kanë pasur për qëllim të por-tretizojnë sa më mirë Makiavellin, ajo që kurrë nuk. harrohet dhe gjithmonë përbuzet është porosia e tij, se “Princi” duhet të kujdeset më tepër që populli t’ia ketë frikën sesa dashurinë. Kësaj teze shpesh e më shpesh i është dhënë përgjigje kundërshtuese, gjatë disa shekujve, në shumë forma dhe me shumë mjete. Por është thënë që kësaj përgjigjeje i është bërë një trajtësim i shkëlqyer nga Shekspiri i madh në veprën e tij të spikatur “Makbethi”, ku me pak fjalë është treguar se, ai që qeveris me gjakderdhje, fatalisht është i shtrënguar të vazhdojë si më parë dhe të mbytet një ditë në pellgun që vet e mbushi. Kjo përgjigje erdhi duke u zgjeruar dhe kujtuar, se është ambicia egoiste, pa skrupull, pa mëshirë dhe pa ndërgjegje, ajo që i ngjan një kuçedre, e cila gradualisht ha veten dhe krijon për të zotin një ferr më të llahtarshëm sesa ai i Dantes. Ndonëse, veprës së këtij poeti të shquar italian, siç është vënë në dukje, njeriu i kohëve moderne nuk i zë shumë besë dhe as teologët nuk mbeten në një mendje, kuptimi për atë Ferrin e tiranëve kriminelë rrjedh nga pasojat e dridhshme që shkakton ai, deri kur i shket këmba dhe bie në pellgun e gjakut ku lan mëkatet e veta.
Në këtë kuptim është provuar, se përgjithësisht diktatorët e dinë që dikur mund të dënohen për urdhrat e vrasjeve apo krijimit të atmosferëve vrastare, sigurisht që parashikojnë të mos shpëtojnë përjetësisht prej tyre, por të dominuar prej pasionit apo monomanisë nuk mund t’i hedhin sytë përtej shpurave mëkatare, që i rrethojnë dhe i lajkatojnë, duke parë vetëm qëllimet imediate në planin personal. Por, vjen një ditë që gjithçka u duket si iluzion i largët dhe e vuajnë akoma më tepër atë që D’Arimini e Dantes psherëtinte me spazmat e shpirtit “Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të kujtosh kohën e lumtur në mjerim”. Të gjithë e shohim si ranë e po bien në këtë gjendje sunduesit e disa vendeve të Magrebit, të pasura në naftë dhe të skamura në të drejtat dhe liritë themelore të miliona e miliona banorëve të tyre, në të drejtat dhe liritë që ekzistojnë kudo pavarësisht nga vullneti i një individi apo grupi njerëzish, që as nuk fitohen dhe as nuk dhurohen përmes çfarëdo veprimi, që duke qenë të tilla, të patjetërsueshme pra, askush nuk mund t’ia mohojë ato askujt dhe askush nuk mund të heqë dorë prej tyre. Kështu, popujt zgjohen nga gjumi dimëror dhe përjetësojnë pranverën e pagjumë.
Kjo po ndodh kudo, së paku prej dekadash të tëra, çka diktoi menjëherë pas Luftës II Botërore që Kombet e Bashkuara të shpreheshin që në Preambulën e një Deklarate Universale, se “është thelbësore...që të drejtat e njeriut të mbrohen nga një regjim ku sundon ligji”. Dhe, vetëm dy vjet më pas, Këshilli i Europës nisi të përcaktojë dhe të obligojë për shtetet anëtare të tij të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut, duke filluar që me të drejtën për jetën, lirinë nga tortura, trajtimi ose ndëshkimi çnjerëzor apo poshtërues, lirinë dhe sigurinë e personit etj etj. Këtë Dokument mbikombëtar e ratifikoi edhe Republika e Shqipërisë, qysh në fillimet e demokratizimit të vendit, por gjendja në këtë fushë, si edhe në të tjera, realisht paraqet një tablo trishtuese. Paraqet një tablo të tillë edhe për faktin se, demokracia liberale dhe shteti i të drejtës më së shumti mbetën veçse një kornizë e bukur, ndërsa regjimi aktual vetëdijshëm ka ndrydhur dhe stopuar reformat e domosdoshme për t’i hapur vendit një perspektivë të vërtetë europiane.
Konkretisht, çfarë përbën vrasja e një gjyqtari në Vlorë? Përse fillimisht u shokuan dhe menjëherë reaguan ashpër ndaj një tragjedie të tillë funksionarët më të lartë të shtetit, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve dhe Gjykata e Lartë etj, etj? Kjo pyetje, të kuptohemi, nuk shpreh habinë e autorit të këtyre radhëve ndaj krijimit të kësaj atmosfere. Por, tani që kaluan plot dy ditë nga njoftimi i asaj ngjarjeje makabre e veshur me elemente terroriste, çdokush mund t’i thërrasë mendjes dhe të kujtojë që ky nuk është rast i vetëm. Gjatë 20 viteve të fundit u janë bërë atentate shumë e shumë qytetarëve dhe veçanërisht mbi 20 zyrtarëve të sistemit të drejtësisë. Vetëm pak muaj më parë në të njëjtin vend mu në mes të Vlorës dhe të njëjtin fat me të njëjtën mënyrë e pësoi dikush tjetër. Dhe, megjithë këto, asnjëherë nuk është ndjerë kjo stuhi indinjate e përzjenë me frikën, pothuajse siç e ka shprehur dikur Bekoni me fjalët “terror panikus” (tmerr i përnjëhershëm). Asnjëherë nuk ka dalë dikush të thotë, përkundër kësaj here, se me kriminalitetin e vazhdueshëm Shqipëria aktualisht afrohet me Sicilinë e viteve ’50 të shekullit të kaluar në vend që t’i drejtohet me hapa të shpejta rrugës së integrimit drejt Bashkimit Europian. Në këtë këndvështrim duket qartë dhe merr vlera reale konstatimi i bërë publikisht këto ditë, sipas të cilit kjo ngjarje ngjethëse përbën një kërcënim jo vetëm për shtetin dhe për drejtësinë, por edhe për gjithë shoqërinë.
A do të identifikohen dhe prangosen atentatorët e Konomit? Vështirë t’ia japësh me plot gojën përgjigjen kësaj pyetje. Vështirë edhe sepse, pas atentateve të homologëve të gjyqtarëve të tjerë, pothuajse asnjëherë nuk janë identifikuar autorët dhe të ngulen këta në bangën e Drejtësisë. Aq më tepër që ky krim i rëndë u krye në mënyrë të sofistikuar, ashtu sikurse plot thagma të viteve të fundit, në një kohë kur organet parandaluese dhe investiguese të kriminalitetit kanë mbetur mbrapa me çape të ngadaltë drejt zbardhjes së të vërtetave. Por, ndoshta akoma më shumë se pyetja e mësipërme vlen të shtrohet një tjetër pyetje: Ku e gjejnë ca e ca kurajën që të përdhosin jetët e çmuara njerëzore dhe të cenojnë rëndë gjithnjë e më tepër rendin publik dhe atë juridik? Që këtej mund t’i hidhet një vështrim qeverisjes, si përgjegjëse (ndonjëherë e drejtpërdrejtë dhe herë – herë indirekte) e krijimit dhe shpërndarjes së një klime nxehtësisht të përshtatshme për veprime të jashtëligjshme, deri në kriminalitetin më makabër. Dhe, në këtë kuadër spikatin veçanërisht ato të urdhëruara dhe të kamufluara prej liderit të kësaj maxhoranca, që po të tregohen ngjasojnë me “një përrallë prej budallai, plot buaj e plot tërbim, që s’ka asnjë kuptim”.
Mjafton të përmenden tangencialisht disa prej këtyre urdhërimeve, që përbëjnë vepra penale të rënda, ndonjë prej të cilave mund të etikohet edhe si krim kundër njerëzimit (kujto vrasjet e 21 janarit të këtij viti). Në vitet e parë të demokratizimit të vendit, ishte Shërbimi Informativ Kombëtar nën varësinë e “Presidentit fuqiplotë”, ai që përveçse torturoi me akuza të dështuara tre qytetarë, njërin prej tyre e zhduku fare nga faqja e dheut. Ndërsa ai President i konvertuar vitet e fundit në postin e Kryeministrit, ai sfidoi drejtësinë, dhe të implikuarin direkt me këto krime që detyrohet të paraqitet përpara Gjykatës e gradon në pozicione të lakmuara. Po kështu vepron me një gjeneral policie famëkeq, që në demonstratën e 28 majit të 1996 – s tundte në duar matrakun e zi mu në Sheshin qendror të Tiranës për t’u thyer dhëmbët disa deputetëve dhe politikanëve opozitarë. Pa u ndalur te tragjedia e Gërdecit, mund ta çosh kalendarin një vit më vonë, kur një muaj pragut të zgjedhjeve parlamentare të fundit i merret jeta deputetit Xhindi te dera e shtëpisë në Roskovec, ku u zhdukën të gjitha provat dhe gjurmët, çka ndikoi që të mos gjenden autorët edhe sot e kësaj dite. Ishte janari i këtij viti, kur një popull i tërë opozitar u nis drejt Kryeministrisë për të protestuar rreth gjendjes së mjeruar të këtij vendi dhe mori si përgjigje jo vetëm shkopinjtë e gomës së uniformave blu, por edhe plumbat e Gardës republikane, duke mbetur të vdekur 4 demonstrues dhe të plagosur me plumb në trup të paktën 7 të tjerë. Dhe, çfarë ndodhi më pas? Ky Kryeministër nuk lejoi të dorëzoheshin armët për ekspertizë dhe pengoi Prokurorinë të ndërmerrte hapat ligjore procedurale, ndërkohë që për një “grusht shteti” të sajuar që më parë prej tij lëshoi bataretë e sharjeve dhe nofkave “Rrugaç” – Presidentit të Republikës, “Lavire bulevardi” - Prokurores së Përgjithshme etj, etj.
Në këto situata si vazhdë të një filli të njëjtë del një ish-shef i Komisariati nr.3 në Tiranë, ku u ushtruan dhunë dhe tortura ndaj dhjetëra demonstruesve të 21 janarit. Pas grabitjes së mandatit të kreut të kryeqytetit ai emërohet shef i policisë bashkiake të Tiranës dhe nis e rreh me grushta e tërheq zvarrë në zyrat shtetërore edhe gratë, duke u lënë vraga në gjunjë, në kofshë e në krahë. Në këto situata si vazhdë të një filli të njëjtë mund të vështrohet pa nevojën e lenteve edhe çështja e gjyqtarit Konomi, por edhe stuhia frenetike e indinjatës dhe frikës së tërë atyre zyrtarëve të shtetit dhe të drejtësisë, e tërë popullsisë në Vlorë dhe kudo qoftë. Por, çka i përmbledh më mirë dhe plotësisht të gjitha këto situata është titulli i një artikulli të numrit të fundit të ‘Euobserver’ “Vrasja e zgjatur e Shqipërisë Demokratike”. Pas kësaj përmendjeje, mbase nuk ia vlen të zgjatemi më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›