E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panik tek PS-ja – bllokohet numërimi, sepse po lexohet humbja e sigurtë e Edi Ramës

12-05-2011 / Gazeta 55

Partia Demokratike akuzon Partinë Socialiste se po vonon procesin e numërimit në disa prej KZAZ-të e kryeqytetit. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, tha se përkundrejt sjelljes së pahijshme të komisionerëve socialistë, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në qendrat e numërimit të votave kanë respektuar me përpikmëri ligjin, duke mos cenuar për asnjë çast vijueshmërinë e procesit. “Në asnjë minibashki, numëruesit e PD-së nuk kanë ndërprerë numërimin pa konsensusin e PS, e kundërta ka ndodhur me PS”, tha dje në mesditë zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj. Partia Demokratike i quan të pabaza, akuzat që i adresohen nga krahu socialist, mbi ngadalësimin e procesit të numërimit në një prej KZAZ-ve të Tiranës. Sipas Mustafarajt, se akuzat e socialistëve kërkojnë të shmangin vëmendjen nga përpjekjet socialiste për të bllokuar këtë proces. “Zëdhënësja e fushatës së Partisë Socialiste, akuzoi padrejtësisht Partinë Demokratike dhe numëruesit e saj për një ngadalësim të procesit në KZAZ nr 49, që i përket minibashkisë nr. 5 në kryeqytet. Kjo deklaratë është krejtësisht e pavërtetë. Në 8 minibashki të Tiranës,ku vazhdon numërimi, vetëm 4 prej tyre kanë proceduar një numër më të madh sesa minibashkia nr 5, dhe 3 prej tyre një numër shumë më të vogël se kjo qendër. Gjë që tregon se në këtë KZAZ, numërimi po ecën normalisht. Fatkeqësisht ky proces është tejet i ngadaltë në minibashkinë nr 8, ku deri tani janë numëruar 11 kuti më pak se në minibashkinë nr 5. Gjithashtu dëshirojmë të theksojmë se në asnjë rast dhe në asnjë minibashki, numëruesit e Partisë Demokratike, nuk kanë ndërprerë në mënyrë të njëanshme, procesin e numërimit të votave, pa konsesusin e kolegëve të tyre socialistë. Megjithatë ky parim reciprociteti është thyer në shumë raste nga numëruesit e Partisë Socialiste, të cilët kanë ndërprerë në mënyrë të njëanshme procesin e numërimit. Akuzat e pabaza të Partisë Socialiste, thjesht kërkojnë të shmangin vëmendjen nga përpjekjet që ajo bën vetë, për të ngadalësuar e bllokuar procesin në minibashkitë ku kryetari i saj është në disavantazh”, u shpreh zëdhënësja e selisë blu. Ajo përgëzoi të gjithë numëruesit dhe stafin e KZAZ të Partisë Demokratike, për punën e palodhur dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe qytetar të numërimit të çdo vote. “Partia Demokratike është e vendosur për të lexuar çdo votë në një kohë sa më të shkurtër me ndershmëri dhe transparencë”, përfundoi zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj.


PS, justifikime absurde, s’merr përsipër papërgjegjshmërinë e komisionerëve të majtë


Edi Rama aktivizon karvanin e akuzave në shenjë dëshpërimi


Numërimi hap pas hapi i kutive të votimit në KZAZ-të e kryeqytetit, po nxjerr në pah edhe rivalitetin mes kandidatëve, por ajo që krijon konfuzion në përshpejtimin e procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit, është keqpërdorimi që Edi Rama ushtron ndaj numëruesve socialistë. Nga frika e një dështimi të mundshëm dhe ndëshkimi me votë nga ana e qytetarvëe, Edi Rama kërkon të zvarrisë pafundësisht nxjerrjen e rezultatit nga komisionet e numërimit. Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e kryeqytetit dhe njëherazi kreu i selisë rozë, Edi Rama, prej 3 ditësh me radhë, në çdo dalje të tij për mediat, ka vërsulur akuza të ashpra ndaj Partisë Demokratike, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe Policisë së Shtetit. Në sensin kur gara për kryeqytetin vazhdon të bëhet edhe më e nxehtë dhe në kushtet kur kandidati demokrat Lulzim Basha vazhdon me një trend të qartë rritje, Edi Rama po mundohet të sajojë alibinë e justifikimit të disfatës me akuza absurde drejt komisionerëve të Partisë Demokratike, policisë së shtetit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Problemi i z. Rama nuk është komisioneri i Partisë Demokratike dhe as Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për faktin se ai s’mund të jetë fitues i këtyre zgjedhjeve. Disfata e pritshme e kreut të PS-së dhe kandidatit për mandat të 4-rt në bashkinë e Tiranës, s’mund të fshihet as nga komisionerët dhe as nga Komisioni Qnendror i Zgjedhjeve. Ajo që duhet të bëjë Edi Rama, është të lejojë komisonerët në realizimin e detyrave që iu ngarkon ligji dhe jo të hyjnë e dalin në komisionet e numërimit si në një ambient kafeje.   


Përfaqësuesi ligjor i PD-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti

Deputetët e PS-së, tentativë për të sabotuar numërimin

Në ditën e tretë të procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve vendore të 8 majit, u vërejt një tjetër tendencë e komisionerëve socialistë për të minuar procesin e numërimit.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, në një dalje për mediat u shpreh se ky proces ka pasur probleme të cilat me ndërhyrjen e KQZ ka nisur punën ndërkohë që ka akuzuar socialistët si përgjegjësit kryesor të bllokimit të punës në shumë prej KZAZ të kryeqytetit. “Gjatë këtyre ditëve ka pasur probleme, por me ndërhyrjen e KQZ procesi po normalizohet dhe puna ka nisur të paktën për kryetarin e bashkisë. Por, po të shohësh janë KZAZ me numër çift ku socialistët kanë vendimmarrjen. Në KZAZ nr. 54 vihet re fenomeni që thamë. E dyta, kudo ku ka probleme na dalin deputetët socialistë. Pra, te KZAZ-ja numër 54 del deputetja Shamku, te KZAZ numër 50 deputeti Tahiri. Këta duan të bllokojnë procesin e numërimit të votave”, tha Kosovrasti.
Deklarata e përfaqësuesit ligjor të PD-së në KQZ, vjen në një kohë kur komisionerët socialistë e kanë kthyer në “rrugë”, braktisjen e procesit të numërimit, me qëllim ngadalësimin e ecurisë së tij, në zona specifike ku duket qartë trendi në rritje i kandidatit demokrat Basha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›