Nga se ka “frikë” Edi Rama?!

Nga Ylli Manjani –
Frika ruan vreshtin, por nuk ndryshon pushtetin.
Teoria që “Rama është frikacak” dhe se merr vendime se nga “frika dhe presioni”, u bë bozë.
Booozë meli!
Urdhnoni, zotëri!
Bozë meliiiiii..!
Sipas kësaj teorie Rama ka frikë nga ndërkombëtarët ose nga SPAK. Nganjëherë ka edhe frikë nga të vetët që e sabotojnë nga brenda… Qëllon madje të ketë frikë edhe nga protestat e opozitës…
Me pak fjalë teoria “Rama frikacak” zhvillohet në forma dhe kombinime nga më të ndryshmet.
Ndërkohë, ky Ramë “frikacaku” ka që në vitin 1999 që dominon zyrtarisht në jetën politike në vend. Që atë vit i ka hipur zyrtarisht makinës së pushtetit dhe nuk di të zbresë, përtej uljengritjeve në hierakinë e posteve publike që ka mbajtur.
Ja ashtu si “frikacak” është në majë të kalit, pa asnjë gjëmb në këmbë. Rama paska “frikë” nga çdo gjë e nga shumëkush, por vetëm të zbresë nga kali nuk mjaftoka frika. Madje për disa jeton në pushtet “kartoni”….
Boozë meliiii!
Urdhnoni, zotni…!
Ndërkohë që teoria e “Ramës frikacak”, me të cilën teoricenët ngushëllojnë arsyetimin e tyre në analizën publike, bëhet gjithnjë e më shumë e pakuptimtë dhe pa llogjikë.
Se llogjika e do që një frikacak dhe i shantazhueshëm nga të huajt apo drejtësia duhet të ishte larguar e jo të mbretëronte në pushtet, apo jo?! Aq më tepër në një “pushtet kartoni” apo si “tigër prej letre”…
Më falni po kjo është të mos njohësh realitetin politik ose efektin e teorisë së frikës.
Padyshim nuk përjashtohet ideja që edhe Rama si çdo qenie njerëzore në botë ka frikërat e tij. Por si politikan, frika do ta kishte larguar nga pushteti i pandërprerë tashmë 26 vjeçar, 13 prej të cilave Kryeministër.