Skenarët e protestës/ Opozita heq dorë nga fjalimet, sot do flasë me “akte”

Demokratët do të protestojnë sërish sot poshtë Kryeministrisë.
Raportohet se, protesta e pestë kombëtare e opozitës nuk do të ketë fjalime, por demokratët do flasin më shumë me akte.
Ndryshe nga protestat e mëparshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” qarkullimi i automjeteve vijon normalisht, ndërkohë që organizatorët e protestës së PD nuk kanë vendosur podium.
Dyert e Kryeministrisë janë blinduar, ndërkohë është mbuluar dhe stalacioni i dritave.
Shënjestra e revoltës do të jetë Kryeministria, por organizatoret nuk mohojnë as zhvendosjen në institucione të tjera.
“Shpërbërja e narkoshtetit, përmbysja e narkoshtetit, prerja me gërshërët e ligjit të gjitha burimeve të parave të drogës është shpëtimit i Shqipërisë, shpëtimi i ekonomisë shqiptare, i eksporteve shqiptare dhe punësimit në Shqipëri.
Ndaj, dhe duke përfunduar këtë bisedë, ftoj çdo qytetar të bashkohet në këtë kryengritje paqësore. Të bashkohet në këtë mision, i cili do jetë misioni më i çmuar i jetës së tij. Misioni që do e bëjë krenar atë dhe fëmijët e tij. Misioni i shpëtimit të Shqipërisë nga kjo rrokullisje e madhe, nga kjo boshatisje e tmerrshme që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1300, nga kjo damkosje e zezë e emrit.
Nga vendi në të cilin qytetarët vidhen ditë e natë nga qeveritarët, por kreu i organizatës kriminale tani do bëjë ligje mburojë për të mbrojtur vjedhjen, për të dekriminalizuar vjedhjen, për të asgjësuar drejtësinë. Të bashkohemi me besim se sa më shumë të bashkohemi, aq më tepër i shkurtojmë ditët këtij regjimi. Nuk është bashkim për Sali Berishën, nuk është bashkim për PD, nuk është bashkim për opozitën, është absolutisht bashkim për shpëtimin e Shqipërië. Është bashkim për shpëtimin e ëndrrës të çdo shqiptari, për shpëtimin e dinjitetit të çdo shqiptari.
Për rikthimin e zgjedhjeve të lira.
Le të bëjmë zgjedhje të lira ne, siç bën Kosova, e cila ka një rrugë 18-vjeçare në demokraci dhe shkëlqen si shembull me proceset demokratike. Ndaj le të bashkohemi pavarësisht nga bindjet politike, njerëz që duam të jetojmë me djersën tonë, njerëz që i themi Shqipërisë, Shqipëri, dhe që e duam vendin”, tha Berisha gjatë komunikimit të sotëm në rrjetet sociale.
Ndërkohë Policia e Shtetit nuk ka marrë përsipër garantimin e zhvillimit të tubimit, sipas tyre kjo nisur nga incidentet e dhunshme të ndodhura gjatë tubimit të mëparshëm.
LEXO EDHE: PD rikthehet sot në rrugë, Policia: Nuk e marrim përsipër garantimin e tubimit