E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga telefonata e plakut kapen 160 kg hashash te “Casa Italia”

13/02/2012  Nga Lazarati rruga hapej nga polici. Me të kapen edhe 2 të tjerë në aksionin “Depërtimi”

TIRANË- U desh Antidroga e Tiranës që më në fund policia të depërtojë në Lazaratin e “paprekshëm” dhe të sekuestrojë 160 kg hashash, drogë kjo që plotësonte kërkesat e kryeqytetit. Telefonata prej një banori në moshë të thyer të Lazaratit ishte edhe çelësi i çmontimit të këtij mekanizmi që mundësonte trafikun e drogës, mbrojtur edhe nga petku i një oficeri policie në Gjirokastër që siguronte lëvizjet dhe furnizonte grupin me informacione. Oficeri i Patrullës së Përgjitshme të Drejtorisë së Policisë Gjirokastër, 38-vjeçari Bledar Danaj, gjatë gjithë rrugës nga Lazarati për në Tiranë tentonte të mbante rrugën “të pastër”, duke evizuar çdo kontroll që mund t’u bëheshin dy makinave “Audi” dhe “Benz Avangard”, nga post-blloqet e shumta të ngritura në të gjithë vendin. Në momentin kur 160 kilogramët e hashashit po zbriteshin nga dy makinat dhe po merreshin lekët në parkingun e “Casa Italia”, mësynë edhe oficerët e Antidrogës së Tiranës, të cilët mbajtën nën kontroll të gjithë itinerarin e ndjekur nga trafikantët. I gjendur në rrethim nga kolegët e tij, Danaj tentoi të nxirrte pistoletën e punës, tip TT dhe të qëllonte në drejtim të tyre, por gjithçka përfundoi pa pasoja. Përveç policit, në pranga ranë edhe 2 banorë të Gjirokastrës, Fiqiri Kaso, 24 vjeç dhe 31-vjeçari Arti Karoli, ndërsa dy të tjerë mundën t’i humbnin gjurmët dhe u shpallën në kërkim. Ata arritën të largohen që nga Lazarati dhe nuk e ndoqën linjën e transportit të drogës. Antidroga e kryeqytetit tashmë po vijon procedurat, jo vetëm për të kapur dy personat e kërkuar, por për të zbuluar të gjithë anëtarët e këtij rrjeti që trafikon hashashin e Lazaratit për në Tiranë. Në njoftimin zyrtar për shtyp policia e Tiranës, mes të tjerave bën me dije se “Strukturat kundër Narkotikëve në bashkëpunim me Sektorin Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Policinë e Kryeqytetit, kanë realizuar operacionin policor të koduar “Depërtimi”. Këta shtetas u kapën në flagrancë përgjatë momenteve të trasportimit me dy automjete të lëndës narkotike cannabis sattiva, dhe më konkretisht u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të lëndës, në një parking pranë një Qëndre Tregëtare në Tiranë. Lënda narkotike vinte nga fshati i Lazaratit me destinacion më pas shitjen e saj për tregun e brendshëm në zona e vende të ndryshme në kryeqytet. Aktualisht nga stukturat e hetimit të krimit po punojnë intesivisht për të zbardhur dhe goditur në kohë këtë linjë trafikimi e tregtimi të lëndës narkotike. Njëherazi, materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre, i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për konsumim të veprës penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” e parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›