E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prokuroria trillon, është autorizuar më 3 shkurt”

13/02/2012  Kuvendi sqaron kohën e protokollimit të vendimeve për heqjen e imunitetit të deputetëve

Organi i akuzës: Ligjvënësi s’na ka dhënë zyrtarisht leje për hetim

Konflikti institucional mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka vijuar në një tjetër dimension. Ankesa e organit të akuzës, e adresuar jo në mënyrë institucionale, por përmes një të përditshmeje të shtypit, ka sjellë reagimin e Kuvendit. “Trillim dhe të pavërtetë” e ka cilësuar zyra e shtypit pranë Kryetares së Kuvendit pretendimin e Prokurorisë për mosdërgimit pranë saj të vendimit të Kuvendit për lënien e imunitetit të tre deputetëve të PS-së. Në një njoftim për mediet Kuvendi njofton se shkresa për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale për deputetët Taulant Balla, Tomë Doshi dhe Besnik Baraj në lidhje me ngjarjen e 21 janarit 2011 është dorëzuar që më datën 3 shkurt të këtij viti në organin e akuzës. “Kuvendi i Shqipërisë me shkresën përcjellëse të Sekretarit të Përgjithshëm, zotit Marlind Myftiu, nr. 364, datë 3.02.2012, ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme vendimet e Kuvendit 4/2012, 5/2012 dhe 6/2012 për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale, përkatësisht për deputetët Taulant Balla, Tomë Doshi dhe Besnik Baraj. Shkresa nr. 364, datë 3.02.2012 me vendimet e mësipërme është marrë në dorëzim me firmë më datën 3.02.2012, ora 13:15, nga zonja Loreta Paparito, me detyrë përgjegjëse e Zyrës së Protokollit të Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë datë me shkresën nr. 363/1 vendimet janë dërguar edhe në Qendrën e Publikimeve Zyrtare për botim. Çdo pretendim tjetër është trillim dhe i pavërtetë”, - thuhet në këtë njoftim. Zyra e shtypit e Kuvendit vërteton deklaratën e saj duke vënë në dispozicion edhe kopjet e shkresës, vendimet e Kuvendit dhe të librit të protokollit, në të cilin është firmosur marrja në dorëzim e tyre nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ankesa

Kuvendi i Shqipërisë votoi në seancën parlamentare të dy shkurtit 2012 heqjen e imunitetit për tre deputetë të PS-së pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar mbi përfshirjen e tyre në organizimin e demonstratës së 21 janarit të vitit të shkuar. Mirëpo dhjetë ditë pas këtij vendimi organi i akuzës ngre pretendimin se nuk i është dorëzuar institucionalisht ky vendim nga Kuvendi i Shqipërisë, duke sjellë si pasojë mosnisjen e hetimit nga Prokuroria për tre deputetët e kampit rozë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›