E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga viti 2009, 15 mijë karta identiteti në ditë për shqiptarët



MB: Kartat, gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

Dyshime të PS-së për pajisjen në kohë me karta

Sistemi i aplikimit dhe prodhimit të kartave të identitetit do të jetë i gatshëm të fillojë nga puna pesë muaj nga data e firmosjes së kontratës me firmën fituese “Sagem”, ndërkohë që në fillim të vitit të ardhshëm do të fillojë dhe prodhimi i kartave të identitetit. Për këto, kapaciteti i prodhimit do të jetë 15 mijë karta në ditë apo 450 mijë karta në muaj, ndërsa qytetarët do të kenë në dispozicion 350 zyra të përhershme dhe 100 zyra të lëvizshme, çka do të thotë se, duke pasur parasysh numrin e votuesve në Shqipëri, do të jetë plotësisht e mundshme pajisja e tyre me karta identiteti deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në kundërpërgjigje të deklaratës së deputetit të Partisë Socialiste, Kastriot Islami rreth kësaj çështjeje, Ministria e Brendshme ka reaguar një ditë më parë duke i konsideruar akuzat dhe pretendimet e PS-së në lidhje me procesin e prodhimit të kartave të identitetit si krejt të paarsyeshme dhe spekulative. Kjo, pasi sipas MB-së, së pari, Partia Socialiste duhet t’u shpjegojë shqiptarëve përse nuk i prodhoi ato gjatë tetë viteve të qeverisjes së saj dhe më pas, duhet më së paku të shprehë vlerësimin për këtë qeveri që po i prodhon brenda mandatit të saj të parë. Së dyti, duhet t’u shpjegojë shqiptarëve përse e akuzoi këtë qeveri për një kohë të gjatë se do të dështonte në prodhimin e kartave të identitetit. Së treti, MB-ja vlerëson tërheqjen e Partisë Socialiste nga akuzat e rënda që i adresoi kompanisë konçesionare në mënyrë krejt të pabazë. Dhe së katërti, MB-ja sqaron opinionin publik se Ministria e Brendshme në mënyrë të përsëritur dhe të qartë i ka vënë në dispozicion opozitës, dhe veçanërisht Partisë

Socialiste, të gjithë informacionin e kërkuar.

Në këtë kuadër, në deklaratën e saj për shtyp, Ministria e Brendshme ka bërë me dije se pas firmosjes së kontratës, brenda afro pesë muajsh, i tërë sistemi i aplikimit dhe prodhimit është i gatshëm të fillojë nga puna. Konkretisht, do të jenë instaluar të gjitha stacionet e aplikimit, do të jetë instaluar dhe testuar qendra e personalizimit që do të prodhojë karta, e ndërkohë do të jenë trajnuar të gjithë personat përgjegjës për aplikimin.

Sipas deklaratës, duke qenë i gatshëm në fillimin e vitit 2009, me një kapacitet prodhimi prej 15 mijë kartash në ditë apo 450 mijë kartash në muaj, ky sistem do të jetë i aftë t’i përgjigjet dinamikës së aplikimeve të qytetarëve të cilët do të kenë në dispozicion 350 zyra të përhershme dhe 100 zyra të lëvizshme. Të gjitha parashikimet janë bërë në marrëveshje të përbashkët me konçesionarin.

Po kështu, duke pasur parasysh numrin e votuesve në Shqipëri, do të jetë plotësisht e mundshme pajisja e tyre me karta identiteti deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ndërkaq, Ministria e Brendshme bën me dije se dhe siç janë informuar në mënyrë të përsëritur përfaqësuesit e opozitës, dikasteri i rendit po përgatit një sërë aktesh nënligjore për miratim në Këshillin e Ministrave që do të nxisin procesin e pajisjes së qytetarëve me karta. Sipas saj, “tashmë kontrata e zbatimit është dërguar në Parlament dhe të gjithë deputetët e kanë në dispozicion për ta vlerësuar. Ne shpresojmë që edhe opozita ta mbështesë këtë projekt në Parlament, duke demonstruar kështu se e ka seriozisht shqetësim pajisjen e qytetarëve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›