Rruga e gjatë drejt bashkimit të Gjermanisë - Një vështrim retrospektiv
Më 3 tetor 1990 u vendos bashkimi i Gjermanisë, që u parapri nga protestat paqësore në RDGJ nëntorin e 1989-ës. Bashkimi u mundësua prej Perestrojkës së ish-Presidentit sovjetik Mihael Gorbaçov.
"Mr. Gorbaçov rrëzojeni këtë mur!" Ishte kjo një dëshirë fisnike që shprehu Presidenti amerikan, Ronald Regan, gjatë vizitës në Berlin qershorin e vitit 1987. Ai i bëri thirrje Presidentit sovjetik Gorbaçov që ta rrëzonte murin, që ndante Gjermaninë në dy pjesë. Asokohe vetëm 3 për qind e shtetasve gjermano-perëndimorë e konsideronin të mundshme se do ta përjetonin personalisht ribashkimin e Gjermanisë. Por historia nuk u dha të drejtë atyre, ashtu si edhe këtij udhëheqësi: "Muri do të ekzistojë edhe pas 50 vjetësh edhe pas njëqind vjetësh, nëse nuk evitohen shkaqet për ekzistencën e tij". Kjo profeci e Erih Honekerit (Erich Honecker), kryetarit të Partisë së Bashkuar Socialiste, SED, në janar të vitit 1989, vetëm pak muaj më vonë rezultoi e gabuar. Në nëntor anëtari i byrosë politike Erih Shabovski (Erich Schabowski) shpalli hapjen e kufijve të RDGJ-së e kësisoj edhe rrëzimin e murit. Ky ishte një interpretim i gabuar i një situate të turbullt të vendimmarrjes në parti, siç u konstatua më vonë, por që pati pasoja të rënda për socialistët në pushtet në RDGJ.
Popullsia e RDGJ-së kishte marrë ndërkaq rrugën drejt Perëndimit.
Dhjetëra mijëra njerëz pas hapjes së kufirit nisën udhëtimin për të zbuluar Gjermaninë "tjetër", siç quhej në zhargonin e Partisë Socialiste Republika Federale e Gjermanisë. Ndërkohë që shpresa e disa mbrojtësve të të drejtave qytetare, që të ruhej shteti më vete i RDGJ-së në një sistem demokratik, por me orientim socialist, u dëshmua si iluzion. Gazetari dhe ish-politikani udhëheqës i Byrosë Politike 1984-1989, bën të njohur më 9 nëntor 1989 hapjen e kufirit. Në zgjedhjet e para të lira për Kuvendin Popullor në RDGJ fitoi Aleanca për Gjermaninë nën udhëheqjen e kristiandemokratëve, kryetari i së cilës në Gjermaninë Perëndimore kishte fokusuar ribashkimin duke u angazhuar për të fituar besimin për një Gjermani të bashkuar tek fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore (SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik) Helmut Kol: "Ne gjermanët kemi mësuar prej historisë. Ne jemi një popull që e duam paqen dhe lirinë. Ne kurrë nuk do t´ia dorëzojmë demokracinë tonë armiqve të paqes dhe të lirisë. Për ne janë të pandashme dashuria për atdheun, dashuria për lirinë dhe fryma e fqinjësisë së mirë".
Marrëveshjet 2 + 4
Në marrëveshjet e ashtuquajtura dy plus katër u përcaktuan bazat për bashkimin gjerman mes qeverive të Republikës Federale të Gjermanisë dhe asaj të RDGJ-së. Në fund u rivendos sovraniteti i Gjermanisë i kufizuar qysh pas Luftës së Dytë Botërore. Ndër ata që përgëzuan më 3 tetor 1990 ishte edhe Presidenti i ShBA-së Bush:
"Unë përgëzoj Kancelarin Kol si dhe të gjithë gjermanët në Lindje e në Perëndim dhe në Berlinin të ndarë prej kaq kohësh, që ia dolën të mbajnë gjithmonë të gjallë ëndrrën e tyre për vetëvendosje kombëtare". Qysh prej asaj dite kanë kaluar 17 vjet. Për ndërtimin në Lindje qysh prej ribashkimit janë investuar të paktën 250 miliardë euro. Për paktin e solidaritetit deri në vitin 2019 duhet të derdhen edhe 150 miliardë të tjera. Krahas bumit nëpër qytete si në Lajpcig në ish-territorin e RDGJ-së ka edhe zona me strukturë të dobët dhe me papunësi mesatare 18 për qind. Në perëndim të Gjermanisë kuota e papunësisë është rreth 9 për qind.