E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga viti që vjen, shqiptarët deklarojnë të ardhurat

Që nga viti 2012 shqiptarët do të duhet të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet vjetore nëpërmjet një formulari të posaçëm, duke përmbushur kështu një nga detyrimet që rrjedhin nga ligji që u miratua këtë vit për deklarimin e të ardhurave personale të individëve. Viti i parë i deklarimit do të jetë viti 2012 për të ardhurat e realizuara në vitin 2011. Ky vit ishte periudha e përgatitjeve për fillimin e zbatimit të kësaj forme deklarimi dhe pagimi të tatimit mbi të ardhurat personale. Hartimi i këtij ndryshimi në ligjin tonë mbi të ardhurat u realizua me asistencën franceze në kuadër të fondeve IPA. Për këtë fazë të parë të zbatimit, skema është më e thjeshtë se ajo e përdorur në shumicën e vendeve të BE-së. Nga politikë-bërësit është konsideruar si mjet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe nuk pritet të ketë impakt të rëndësishëm mbi të ardhurat, të paktën për vitet e para të zbatimit. Skema parashikon disa kategori shpenzimesh të zbritshme për të ardhura që nuk kalojnë një prag të caktuar. Detyrimi i deklarimit nuk është lidhur më moshën, por me statusin ekonomik aktiv të individit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›