Viti 2012, ja taksat që do të ndryshojnë
Sipas Ministrisë së Financave, ndryshimet e ligjeve tatimore do të vijojnë drejt përafrimit me kuadrin ligjor të BE-së për taksimin indirekt, TVSH dhe akcizë. Në fushën e tatimeve direkte, ndryshimet ligjore do të respektojnë parimet e vendosura në Kodin e Etikes Europiane për taksimin e kompanive
Taksat ndaj individëve dhe biznesit do të përfshihen në proces ndryshimi edhe vitin e ardhshëm. Ministria e Financave ka shpallur në dokumentin zyrtar të projektbuxhetit të vitit që vjen se, legjislacioni fiskal do të përfshihet në ndryshime dhe gjatë vitit që vjen për të përshtatur atë me legjislacionin e Bashkimit Europian. “Ndryshimet e ligjeve tatimore do të vijojnë drejt përafrimit me kuadrin ligjor të harmonizuar të BE-së për taksimin indirekt, TVSH dhe akcizë. Në fushën e tatimeve direkte, ndryshimet ligjore do të respektojnë parimet e vendosura në Kodin e Etikes Europiane për taksimin e kompanive, si dhe të Small Business Act”, thuhet në dokumentin e Financave. Sipas ministrisë, efekte mbi të ardhurat priten edhe nga përmirësimi në administrimin dhe mbledhjen e të ardhurave. Këtu elementi më i rëndësishëm është përfundimi i procesit të pajisjes me kasa regjistruese të bizneseve dhe përdorimi i rregullt i tyre për regjistrimin e transaksioneve që kryhen me para ne dorë. Sistemi fiskal dhe taksat kryesore që mbushin arkën e shtetit, edhe vitin që vjen do të jenë në proces reformimi. Ministria e Financave ka bërë planin ku spikasin synimet kryesore në sistemin e taksave. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se këtë vit nisin procedurat për përafrimin e kuadrit ligjor për TVSH, akcizën dhe tatimit mbi të ardhurat me legjislacionin e Bashkimit Europian, në fushat e taksimit direkt dhe indirekt, çka nënkupton ndërhyrje cilësore dhe sasiorë në TVSH dhe akcizë, për të sjellë ato në nivelet europiane si një kusht që lind nga përmbushja e detyrimeve të anëtarësimit. Ministria e Financave në Programin Fiskal për dy vitet në vazhdim do të hartojë një ligj të ri integral të TVSH-së, në përputhje të plotë me direktivën 6 të KE-së. Përgatitja e këtij ligji të ri do të bëhet me asistencën teknike të Komisionit Europian dhe do të nisë këtë vit, për të përfunduar në qershor 2012. Direktiva 6 e Komisionit Europian parashikon që TVSH-ja për mallrat dhe shërbimet të jetë 12 për qind, ndërkohë që standardi i tatimit në fjalë për mallrat e tjera do të jetë 15 për qind. Ministria e Financave, gjatë publikimit të objektivave të punës për vitin 2011 ka njoftuar se ndërhyrja për përshtatjen e skemës së TVSH-së me atë të BE-së ka nisur këtë vit. Në fakt hapat janë ndërmarrë edhe në dy vitet e shkuara, kur arsimi dhe shëndetësia janë përjashtuar nga TVSH-ja. Sipas burimeve në Ministrinë e Financave, ka pasur një mospëlqim të fortë nga Fondit Monetar Ndërkombëtar për këtë tatim, për shkak se siguron pjesën më të madhe të të ardhurave në buxhet, dhe ndërhyrjet për uljen e tij mund të sillnin një deficit të lartë në buxhetin e shtetit. Arsye e dytë ka qenë edhe kriza globale, e cila ka krijuar një ambient të pasigurt ekonomik në tërësi dhe ndryshimi i TVSH-së pritej të sillte më shumë probleme. Madje në këtë kohë krize, shumë vende në rajon, si Greqia, kanë rritur nivelin e TVSH-së për të rritur të ardhurat në buxhet. Gjithashtu këtë vit, qeveria ka aplikuar heqjen e kufirit të TVSH-së 2 milionë lekë. Si një objektiv tjetër këtë vit do të jetë edhe kompletimi i reformës së fiskalizmit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
-Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
-Akciza
-Nis deklarimi i të ardhurave për individët
-Do të respektohet Kodi i Etikës Europiane për taksimin e kompanive, si dhe të Small Business Act