E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrocentralet, Naço zgjidh kontratat me 12 koncesionarë

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës zgjidh kontratat në mënyrë të njëanshme me 12 shoqëri koncesionare. Sipas METE-s, pavarësisht se këto shoqëri janë paralajmëruar nga dikasteri në fjalë për përmbushje të detyrimit sipas ligjit të koncesioneve, ato nuk kanë reaguar. Shoqëritë e penalizuara nuk i janë përmbajtur ligjit “Për sigurinë e kontratës”, për ndërtimin e HEC-eve, ku përcaktohet se: Koncesionari duhet të ketë ngurtësuar në një institucion banka ose shoqëri sigurimesh, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë për llogari të Autoritetit Kontraktues, një shumë të barabartë me 10 për qind të vlerës totale të investimit. Formulari i sigurimit të kontratës është pjesë përbërëse dhe i bashkëlidhet kësaj kontrate. Ndërkaq, ministri i METE-s, Nasip Naço është shprehur i vendosur në zbatimin e ligjit dhe të kontratave mes shtetit shqiptar dhe shoqërive koncesionare. “Jam në krah të investuesve për çdo problem të tyre që ka lidhje me sistemin apo me burokracitë e ndryshme, por nuk do të toleroj mosrespektimin rigoroz të kontratave. Do të jem përherë një kundërshtar i rreptë i informalitetit. Askush nuk mund të luajë me pasurinë e shtetit duke e mbajtur këtë pasuri të konservuar”, - ka theksuar ministri Naço. Ndërkaq, METE po përgatit dokumentacionin edhe për shoqëri të tjera koncesionare që nuk zbatojnë kontratat, pavarësisht lajmërimeve.

Shoqëritë

“Pure Energy Stebleva”.

“Energji Univers” sh.p.k

“Strelca Energy” sh.p.k

“Albania Power” sh.p.k

“Geoalbania Uno”, sh.p.k

“Erald Energjitik” sh.p.k

“Rajan energy” sh.p.k

“Eko Energy” sh.p.k

“Bistrica 3 Energy” sh.p.k

“Veleshica energy” sh.p.k

“HEC-I Peqin” sh.p.k

“Ansara koncesion”

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›