E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga “zona 51” e alienëve në Nevada tek “blloku 51” i alienit në krye të bashkisë së Tiranës

Tirana nuk të mallëngjen, por të huton. Nga një sheshpushim në majë të malit të Dajtit qyteti të duket bash si një aglomerat fshatrash të arnuara në një copë tokë lugine. Kështu hapësira publike është nisur si çiflig personal qysh nga bejlerët e hershëm gjysmë turq e gjysmë shqiptarë dhe kështu po përfundon në një çiflig infra-personal të beut më të ri të Tiranës, Edi Ramës. Sikundër po ndodh sot e gjithë njerëzia është në kërkim të një plani urbanistik të denjë për qytetarët e saj, por ky i fundit zhduket pa lënë gjurmë si një ujk që zhduket pasi ka gllabëruar lesh deleje.


Mirëpo në Romë ka një fjalë të lashtë dhe të urtë që thotë se “ku është Papa, aty është Roma”. Edhe ne kemi një thënie të veçantë. Në Tiranë na ka rënë për pjesë Rama. Dhe ku është Rama, është çimentoja. Me planin urbanistik të gjithë e dinë se ç’po ndodh, por të gjithë nuk po e kuptojnë. Pse nuk kuptohet? Është e thjeshtë - Plani ishte krejt në anglisht, sikur të ishte plani i Londrës, dhe jo i kryeqytetit të shqiptarëve. Dje Rama po inspektonte rrugicat e bllokut 51 - që ngjasojnë me zonën 51 të Nevadës, atje ku kërkohen akoma alienët. Por, ne, në Tiranë duket se e kemi gjetur alienin e stër-jashtëtokëzuar nga koha e humbur në Partinë Socialiste. Ai me stil burlesque, shtuar me një dozë paturpësie, deklaron se “qeveria ka bllokuar prej një viti planin rregulles të Tiranës. Të vjen t’i fusësh duart në fyt kur thotë budallallëqe, por mbetet ende kryebashkiaku i Tiranës e për agresion ndaj tij të fusin në burg. S’e ka hiç gajle se vetë ai e ka bllokuar për nëntë vjet, por të të thotë se PD-ja e ka mbajtur në sirtar dosjen me planin urbanistik, është krejt një halucionacion në ditë të kthjellët. Por çudia nuk mbaron këtu. Pardje pashë për herë të parë sakllam ketë "Administratorin" e Tiranës dhe më dha një përshtypje shumë të keqe. Ulërinte si një skizofren, a thua ishte në pavijonin e bashkisë dhe jo përpara Këshillit Bashkiak. Siç kuptuam, pardje u zhvillua me potere kakofonie mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak, ku pika kryesore - e cila po zvarritej prej disa muajsh - ishte pra “Plani rregullues i kryeqytetit”. Por plani, ky objekt misterioz po ua kalon edhe UFO-ve, Piramidës së Keopsit e Sfinksit, për nga drejtimi, qëllimi e mundimi, pasi s’po merret vesh nga dhe pse ka ardhur. Dikush mund të thotë “një zot e di”. Po e sigurtë është se ka një zot që e di dhe ai është kryezoti i hapësirës publike në Tiranë: kryebashkiaku Rama. Nga kupola e çimentos po na kërkohet të luajmë të gjithë bixhoz me hapësirat e qytetit dhe Edi, sikundër dihet, është ai që i ka letrat.


Kuptohet vetiu se përse Bashkia më e madhe e vendit po përjetëson së fundmi, mbas të gjithë angarive strukturale, edhe një distrofi tjetër, mos-informimin se çka parashikon plani i “Urbaplan”-it, pra firma kantoneze e tenderuar nga Edvini për planin urbanistik. Rama mungonte në këshill, por u gjykua në mungesë në këtë rast... Por nga ana e administruesit të Bashkisë patëm veç një koktej llafesh në vend të përgjigjeve shqeto se përse veç para dy muajsh projekti është përkthyer në anglishtja e përse ai iu servir më pas në një pako dhuratë këshillit, krejt si një kit kuzhine, pa ia nënshtruar asnjë shqyrtimi paraprak prej atyre që do ta gëzojnë këtë plani - pra qytetarët. Pyetja është se përse “Plani është përkthyer nga anglishtja në shqip në muajt e verës dhe nuk ka pasur diskutime të gjera me publikun”? Përgjigje nuk ka, potere me qëllim po. Mos më ndërprit, thotë administruesi. Po sikur ky të presë të gjitha pemët e Tiranës për t’i bërë sheshe ndërtimi, çfarë do të thotë: mos më ndërprit?


Por si duket më shumë u intereson biznesmenëve të ndërtimit të cilët kanë pasuordin e betonarmesë për çdo lajm. Sundimi i injorancës në Këshillin Bashkiak ka pasur të tjera kurba paqartësie me qëllim. Qëllimi i kryebashkiakut me planin urbanistik është i qartë dhe i stigmatizuar siç duhet, sepse po kërkon të injektojë një bulimi betonarmeje në kryeqytet. Ai nuk është vetëm, ka edhe vllazën të tjerë, sidomos ai nga Fieri. Asnjeri nuk i thotë “ndalu”, por e shtyjnë të kapërcejë paradokse me lehtësinë e një “salam-aleku” në tryeza informale e formale.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›