E Diel, 1 Nëntor 2026

Trimëria false e Edvinit

Duket se E. Rama është në vështirësi ligjore që ai mendon t’i përballojë me një të folur tepër agresiv e retorik, në të cilin mungojnë arsyetimet për të përligjur qëndrimin e tij, pas shkeljes së nenit 28 të statusit të PS-së, për dorëheqjen e kryetarit të partisë, në rast të humbjes zgjedhore. Këtu vërehet çiltas ai që quhet standard i dyfishtë në arsyetim.


Ndaj kryetarit të mëparshëm të PS-së, ishte Edvini këmbëngulës në skaj që të kërkonte dorëheqjen e parevokueshme të F. Nanos, për humbjen e zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit 2005. Kuptohej qartësisht se rishtari i ri i kësaj partie kishte synime zëvendësimi. Dhe ia arriti këtij qëllimi kur, në mbledhjen e njohur me ata që u quajtën me ironi kongresmenë, tha se PS-ja e kishte me hak humbjen e pushtetit për shkak të korrupsionit galopant, të trafikut të qenieve njerëzore, të drogës që përshkonte Adriatikun dhe Kanalin e Otrantos, të dështimit të sistemit për shkak të papërgjegjshmërisë së kryetarit të partisë. Në vijim të kohës, pasi këpëdarët e zgjodhën kryetar, ai „harroi“ që e kishte nxirë tetëvjeçarin më tepër se ish-opozita që tanimë kishte marrë pushtetin. Dhe u vuri në zbatim standardin e ri të të arsyetuarit, me orvatjen e opozitës për t’u dalë në mbrojtje të gjithë atyre „të korruptuarve“ që u bënë shkas për humbjen e pushtetit. Në fakt, atyre të babëziturve, të bërë përshesh sa për t’u bërë kryetar, nuk u hyri as gjembi në këmbë. Jo më kot duhej ruajtur ofiqi i Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sallakut, i cili ishte në bashkëveprim me humbësit e 2005-s, që mali me dosje në selinë e mefshët të këtij prokurori, të mbulohej me pluhurin e plogështisë së qëllimtë, me rrezikun që tashmë këto dëshmi korrupsionesh ndaj të pasuruarve të pangopur të pasnëntëdhjeteshtatës të rrezikoheshin jo vetëm nga erozioni pluhuror, por edhe nga gërresa e minjve! Të gjitha bateritë iu drejtuan, fill pas ardhjes në fuqi të qeverisjes së re, në korrik të 2005-s, qeverisjes së dr. Berishës, Merret me mend se kjo do të ishte pikënisja e zhurmnajës së mëpastajme për të drejtuar vëmendjen e Sollakut ndaj një korrupsioni të ri qeverisës, qysh në kohën kur veprimtaria e Qeverisë së re ishte në hapat e parë të aktivitetit të saj! (Në fakt u proceduan me denoncimin e vetë PD-së, mbi 100 individë, ndërsa të pasuruarit pushtethumbës, ndër të cilët Rama vetë, që quhej kudo si mister 15 %-shi, si edhe të korruptuarit e tjerë rreth tij, mbetën të paprekur). Më tej, sa për të dhënë vetëm një shembull, plasi ajo tymnaja kundër Lulzim Bashës, ndonëse ky politikan tepër i suksesshëm, kishte marrë masat që të caktonte dy supervizorë me emër të huaj, të njohur botërisht për kontabilizime të paqortueshme në arenën ndërkombëtare. Këta specialistë të nderuar ia verifikuan kontabilizimet autostradës së madhërishme të të gjithë aksit Jugë-Veri, që kulmonte në tunelet e Kalimashit, që nuk e kanë çiftin në të gjithë gadishullin ballkanik. Ndërkaq kjo opozitë me standard të dyfishtë, dëshironte të lihej në harresë ajo taksa Majko për të njëjtën rrugë, në përmasa të pakrahasueshme me atë që u jetësua, sipas një pseudoprojekti, por që nuk zuri fill as në një metër katror! Po milionat ç’u bënë? Theodhoriu mund të jepte një përgjigje? Jo vetëm, por edhe të vepronte! Ja, pra, përse, në mënyrën më të thukët, mund të cilësohej si një kryeprokuror i kapur!


* * *


Folëm për dubëlstandardin e Ramës. Por duhet theksuar edhe se çdo standard i dyfishte ngërthehet me kundërthënie. Kjo vërehet qartësisht sesi ai u “rizgjodh” sërish si kryetar, pas humbjes së 28 qershorit të vitit 2009. Të gjithë e quajnë humbje. Rama e quajti fitore! Sigurisht ai mbeti i vetëm në këtë shprehje paradoksale. Ia kishte fajin edhe Ilir Meta që i bashkoi të katër mandatet e tij me PD-në. Kryetari i LSI-së i kishte dalë borxhit. Aleanca e ndershme që i vuri në tryezë Edvinit, u përbuz nga E.Rama. Ky kishte iluzionet e Tartarinit të Taraskonit të Dodesë, se do të fitonte i vetëm. Ishte kaq pak luajal kundër I. Metës dhe kryetarëve të disa partive të vockla, sa shpalli që votat e LSI-së, dhe të partiçkave majtiste që i ofruan aleancë, t’i jepeshin PS-së së tij! Tani, pasi të dy partitë e vogla majtiste nuk nxorën dot as kryetarët si deputetë, fillimisht e kritikuan rëndshëm E.R.-n. Më vonë, duke mos pasur alternativë tjetër, e gëlltitën hidhërimin dhe u bashkuan me kërkesat absurde të të mbijetuarit Rama, me anë të manovrimeve të tij diabolike.


Ilir Meta, si përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, tregoi me dinjitet se ajo fjala Integrim në siglën e partisë së tij nuk ishte formale. Edvini e akuzoi për tradhti ndaj së majtës, ndonëse e harroi tradhtinë e tij ndaj LSI-së, kur kërkoi që votat e saj të shkonin drejt PS-së. Rama tregoi edhe mungesë kulture politike kur e quajti të panatyrshme aleancën e së majtës me të djathtën, që ishte, në të vërtetë, një aleancë për interesa mbipartiake, si një besëlidhje për interesa të Shqipërisë. Kjo kishte ndodhur edhe në marrëdhëniet e Torezit me De Golin, apo të Toliatit me De Gasperin, që e kemi përmendur edhe në një shkrim tjetër. Por këto Edvini edhe mund të mos i dinte, si një person jo i politikës, gjë që e kishte shprehur vetë.


Veçse jopolitikani ra në kontradiksion edhe me anëtarësinë më të guximshme të partisë së tij, për mënyrën sesi “u rizgjodh” kryetar, kur ishte mandatprerë dhe dorëheqja e tij duhej të ishte e menjëhershme, ashtu siç mëtoi ai, në marrëdhënie me F. Nanon, dorëheqjen e të cilit e kërkoi si të parevokueshme. Përse ky standard i dyfishtë? Për të justifikuar këtë dyzim, ai duhej të dilte fitimtar! E, për të qenë i tillë, duhej që zgjedhjet të ishin të falsifikuara! Po a ia pranoi këtë absurditet faktori ndërkombëtar? A ia pranoi OSBE-ja ? Më 14 shtator u shpreh troç: “S’ka prova për rezultat të manipuluar”. A ia pranuan SHBA-të? (Më 17 shtator: “Rezultati përfaqëson qartësisht vullnetin e popullit shqiptar”). A ia pranoi KE-ja? (“Hapat përpara u lanë në hije nga politizimi!”). A ia pranoi (më 24 shtator) Stjuart Xhons i departamentit të Jashtëm të Shtetit? A ia pranoi BE-ja, më 25 shtator? Po më 30 shtator, a ia pranoi ambasadori gjerman Berndt Borchard? Po më 11 tetor Komiteti Amerikan i Helsinkit, që u shpreh se po “prisnin zgjedhjet e ardhshme pas katër vitesh”, gjë që do të thotë se pretendimet e Ramës janë një defter i mbyllur, tashmë? Po pohimin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në takimin e Athinës, se monitorizuesit e huaj zgjedhjet tona “i cilësuan të lira e të ndershme dhe në rrugën e një demokracie të plotë” a e ka dëgjuar kontestuesi Rama? Apo ky nihilist i procesit zgjedhor do të ngushëllohet me fjalët e Arta Dades që merr nëpër gojë titullarin e lartë të Asamblesë së OSBE-së, se vlerësoi Berishën dhe jo Ramën, në lajthitjet e këtij të qëllimshme?


E vetmja fjalë me vend në dobi të Ramës, në analizë të zgjedhjeve, u dashka konsideruar ajo thënia e marrëzishme e Gramoz Ruçit, “Nuk pyesim për të huajt”! Si Enver Hoxha, ithtari i të dyve, që nuk pyeste për revizionistët! Ah, po, ka mbështetje edhe “të djathtin ultraliberal”, anarkistin arrivist Spartak Ngjelën, që do ta marrë pushtetin për kaq e aq ditë! Lum sabërlliu kur s’ka ç’bën! Tani u dashka ta rrëzojnë shtetin legjitim me mënyrat e tregishtorëve të ’97-s, kur i plotfuqishmi Zani Çaushi priste në Vlorë majtistët italianë, të kritikuar nga departamenti i shtetit amerikan për ndihma mafioze që i kishin dhënë makinës ushtarake të Serbisë së Millosheviçit, për të mposhtur qëndresën e patriotëve shqiptarë të Kosovës. Por nga burgu po ky ndihmës i njerëzve të dhunës, që u bënë pushtetarë pas atij viti të mbrapshtë, që e burgosën me burg afatgjatë, duke e përdorur si limon të shtrydhur, pati guximin që të pohonte: “Filani dhe Fistëku i kanë dollarët sot aq të bollshëm sa që duhen ngjeshur me rulin e sheshimit të rrugëve, që t’i vënë valutat nëpër valixhet e mëdha e të fryra, madje edhe t’u hipin përsipër, që të mund të mbyllen këto valixhe!”.


Tani, që t’i afrohemi më shumë temës, na duhet të themi sesa demokrat është ky demagog që flet për demokraci, për transparencë, për liberalizëm, kur e mposhti LMN-në (Lëvizjen për Mendimin Ndryshe), pa asnjë element demokratik, në errësirë të plotë, duke keqtrajtuar gazetarët dhe duke u dëmtuar kamerat kameramanëve. Shto, këtu, edhe rritjet artificiale të anëtarëve të PS-së, gjer në numrin e 82.000 anëtarëve. Kjo dredhi për të sjellë ithtarët vetjakë në forumet, me qëllim që të përmbysë argumentet e FMN-së, i asgjëson ato shprehjet e zbukuruara, që tashmë s’i beson kush, të demokratit që përkthehet si i dhunshëm, të transparentit që përkthehet si opak, të mikut të gazetarëve që përkthehet si alergjik ndaj tyre. Edvini, në marrëdhëniet zgjedhore brenda PS-së, ka dhënë etalonin më të keq të njeriut që premtoi protesta të fuqishme për të bojkotuar parlamentin, me iluzionet se do të kishte pasues edhe të djathtët, ndërsa pati kundërshtues edhe të majtët e vet. “Lipsur qofshin paret e bashkisë së Edvinit dhe autobusët falas!” – u dëgjuan mjaft nga të ndjellurit që nuk pranuan të hipnin në autobusët e mashtrimit.


Në Shkodër, sheshi qendror mbeti i shkretë dhe ligjërata e tij bojkotuese, pavarësisht nga britmat e papërmbajtura, mbeti e përmbyllur brenda mureve të një teatri, që kuptohet sesa veta mund të përmblidhte brenda, pavarësisht nga parapërgatitjet me ditë e me natë të atyre që i kanë mbetur hë për hë besnikë, në aventurën e tij të dëshpëruar.


* * *


Tani po kupton se edhe fjala bojkot po i rëndon në kurriz e në psiken e tij. Ditmiri po kërkon ta lehtësojë: “Nuk është bojkot, por janë disa kërkesa”. Por nuk mundi dot të sqarojë se kujt i drejtoheshet kërkesa për çështjen e të ndjerit Xhindi: E. Rama e paska me prokurorinë dhe i përvishet Berishës! Po për rregulloren e burgut, që në ditët e diela, apo në ato të pushimit, të lejojë periodikisht të burgosurit t’i kalojnë pushimet pranë familjes e fëmijëve? Dihet se kjo klauzolë është në përshtatje me legjislaturën e BE-së. A munden që këta individë të bëjnë trazira në mjediset zgjedhore, kur Rama i kishte marrë masat me policinë paralele bashkiake dhe raste të tilla do të identifikoheshin në vend dhe do të bëheshin menjëherë të njohur kundërvajtësit? Përse nuk u dhënë emrat e “prishësve të qetësisë”? Apo se do të dilte ndër këta të burgosur edhe emri i ish-bodigardit të Blendi Klosit? Pra, këto, as kërkesa nuk mund të quhen, por ultimatume: “Më jep, të të jap”. Veçse numri i deputetëve socialistë që duan të hyjnë në parlament, po shtohet dita-ditës...


Në këtë gjendje të pashpresë, kur të gjithë po e kuptojnë se ai nuk është aspak parimor, kërkon të jetë i tillë duke ulëritur sa më shumë, duke e mbajtur shpresa se do të duket si i tillë, duke shtuar agresivitetin. Kjo nuk është veçse një trimëri false. Po e kupton se blofi i tij po zbulohet hap pas hapi. Dhe është katandisur si një Don Kishot që po lufton, tanimë, me mullinjtë e herës. Veçse ka një ndryshim thelbësor me kryepersonazhin e Cervantesit: Se Don Kishoti është i lajthitur me ndjesi humanitare. Ndërsa Edvin Rama është i çekuilibruar për privilegjet e personit të tij!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›