Për një shfaqje lakuriq, në SHBA mund të të heqin edhe të drejtën e atësisë, kurse e majta shqiptare të mban si kryetar të pazëvendësueshëm

Një shtetas amerikan është ndaluar para dy ditësh se ka dalë padashur gjysëmlakuriq në dritare dhe gjykata po shqyrton mundësinë që t’i heqë atij edhe kujdestarinë prindërore ndaj vajzës 5-vjeçare, kurse në Tiranë, fotot nudo të Edvinit vijojnë të konsiderohen prej të majtës si një vlerë që duhet ta mbajnë edhe më gjatë Ramën në krye të PS-së
Nga SHBA-të ka ardhur dje një shembull i rëndësishëm se si zbatohen ligjet e se si ndëshkohen njerëzit, kur thyejnë rregullat e moralin e shoqërisë. Eric Williamson, 29 vjeç nga shteti i Virxhinias është paditur për shkak se ka dalë padashur në dritare gjysmëlakuriq, duke shqetësuar kalimtarët. Një grua dhe vajza e saj 7-vjeçare që po kalonte pranë rrugës së shtëpisë së Williamsonit në Springfilld kanë njoftuar policinë, e cila ka ndaluar Williamsonin. Shtetasi amerikan thotë se dalja e tij thuajse lakuriq në dritare kishte ndodhur në mënyrë krejt të rastësishme, megjithatë ai kërkon ndjesë, paçka se mbron të drejtën e tij se ai në shtëpinë e tij ka të drejtë të qëndrojë si ta ketë ai ndjesinë e rehatisë. Përgjigjja e ka komplikuar edhe më tej situatën e Williamsonit, i cili është edhe babai i një vajze 5-vjeçare, fëmijëria e së cilës mund të dëmtohet rëndë nga pasioni i të atit për trupin dhe lakuriqësinë. Organet e drejtësisë po shqyrtojnë mundësinë e heqjes së kujdestarisë për vajzën, edhe pse Williamson premton se do të sjellë dëshmitarë që të rrëfejnë se sa i përkushtuar është ai si prind. Situata, në dukje pa shumë lidhje me realitetin shqiptar, është një shembull se si duhen trajtuar të gjitha çështjet dhe se si duhen marrë në mbrojtje palët e dëmtuara, kur kemi të bëjmë me pasione të tilla si nudizmi. Këtu në Shqipëri, dalja lakuriq ka nisur të propagandohet prej vitesh nga e majta shqiptare si një trend modern, i cili jo veç duhet përkrahur, por edhe që të sjell vota. Fotot lakuriqe të Edvinit, krejt të vullnetshme, dhe jo në mënyrë të pandërgjegjshme si të Williamsonit, janë mbrojtur fort nga e majta si një e drejtë e tij private, pa marrë parasysh edhe faktin se fotot janë marrë nga një mjedis i hapur, ku kishte edhe fëmijë. Konsiderimi i dëmeve të tjera “anësore” për familjen nuk merren fort në konsideratë, pasi prishjen e familjes, tashmë disa politikanë të së majtës e kanë kthyer në modë, ndërkohë që për Edvinin mediat kanë sjellë edhe dhjetëra raportime, se ai s’ka qenë fort në lartësinë e detyrës as si prind. Afërmendsh që shoqëria shqiptare nuk është aq e sëmurë sa të justifikojë sjelljet e nudizmit në publik si një normë që duhet përqafuar prej shumëkujt e pa drojë as prej fëmijëve, por të bën përshtypje fakti se si për një shfaqje nudiste padashur, në SHBA gjykata vendos edhe për heqjen e kujdestarisë ndaj fëmijëve, tek e majta shqiptare klasifikohesh si një njeri me merita, që duhet të rrish se s’bën kryetar partie, edhe në paç humbur tre a katër herë në zgjedhje.
...