E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në lumin Tisa

Gjatë këtyre viteve, sidomos në fazën e emergjencës e deri me zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës, nga Bashkësia Ndërkombëtare pati investime, vullnet të mirë dhe burime njerëzore, por megjithatë situata e përgjithshme ekonomike në Kosovë vlerësohet si tejet e rëndë. Deri më tash nuk është shënuar ndonjë zhvillim i dukshëm ekonomik, ndërsa papunësia qëndron në shkallën më të lartë në rajon dhe Evropë. Kjo gjendje sociale rëndohet edhe më tepër nga problemet dhe tensionet e krijuara rreth statusit të përcaktuar politik të Kosovës (kundërshtimi i shpalljes dhe i njohjes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare, kundërshtimi i serbëve të Kosovës për integrim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës të cilët ndërtuan struktura paralele ilegale dhe  mosliberalizimi i vizave për Kosovën nga struktura relevante e BE-së). Në këto rrethana të përgjithshme shoqërore, të shoqëruara edhe nga pasojat e luftës, u krijuan kushtet optimale për lindjen dhe zhvillimin e krimit të organizuar në Kosovë. Sipas shumë parametrave shkencorë, më një siguri të madhe mund të konstatohet fakti shqetësues se kriminaliteti i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë kanë marrë përpjesëtime bukur të mëdha  dhe janë përhapur në të gjitha porët e jetës. Këto dukuri të shëmtuara shoqërore, kanë ndikuar sidomos te rinia, në humbjen e shpresës për një ardhmëri më të mirë dhe në forcimin e ndjenjave të mosbesimit ndaj strukturave të sapokrijuara shtetërore. Nga paperspektiva e krijuar për të jetuar në Kosovë, shumë të rinj në menyrë të pakontrolluar po e marrin rrugën e kurbetit për të gjetur një të ardhme më të mirë në shtetet perëndimore. Por, në këtë rrugë të mbushur me plot rreziqe gjatë këtyre viteve shumë shqiptarë i mbushën burgjet e shteteve fqinje, dhe shumë syresh po gjejnë edhe vdekjen. Nga ky trafikim ilegal me qenie njerëzore këtyre ditëve në lumin Tisa sipas të dhënave policore kanë rezultuar të zhdukur 16 persona, tre janë gjetur të vdekur kurse tre i kanë shpëtuar kësaj tragjedie tepër të rëndë për Kosovën dhe shqiptarët përgjithësisht. Me trafikim të qenieve njerëzore nuk duhet kuptuar vetëm sjellja ilegale e personave nga shtetet e botës së tretë në shtetet e zhvilluara por edhe çdo shërbim të ofruar me interes financiar, në drejtim të strehimit ose punësimit të tyre të kundërligjshëm.Kontrabandimi i përsonave nga Kosova për në shtetet të Evropës ose SHBA, siç jemi edhe vetë dëshmitarë, zakonisht po kryhet në kushte të rrezikshme dhe tejet degraduese. Në numrin më të madh të rasteve, kontrabandimi përfundon në momentin e arritjes se personave në vendin e planifikuar. Mirëpo shpeshherë vërehet dukuria e shfrytëzimit të viktimave edhe pas arritjes së tyre në vendin e dëshiruar, duke i detyruar edhe për një kohë të gjatë që të punojnë për ta ose të kryerjen shërbime të ndryshme kundërligjore. Faktorët kryesorë që ndikojnë në largimin e personave nga Kosova janë: gjendja e rëndë ekonomike, konfliktet e ndryshme sociale, stabiliteti i paqëndrueshëm politik, krimi i  organizuar, korrupsioni etj. Tregu i kontrabandës me emigrantë nga Kosova është shumë fitimprurës dhe zhvillohet kryesisht nga grupet e vogla kontrabandiste. Kështu një udhëtim ilegal deri në Austri për një person kushton mesatarisht 2500 Euro. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, Europol dhe Frontex, numri i përgjithshëm i përsonave të kontrabanduar nga Kosova, është shumë i lartë dhe llogaritet disa mijëra në vit. Ndërsa numri i përgjithshëm i emigrantëve ilegalë që vërshon çdo vit Evropën është rreth 500 mijë. Zhvillimi kontrabandës së personave nga Kosova zakonisht bëhet në bashkëpunim me grupet kriminale të vendeve nëpër të cilat kalojnë emigrantët. Kalimet e tilla ilegale mundësohen edhe nga korruptimi i policive të ndryshme kufitare. Dyshohet se numri më i madh i ilegalëve vjen me ndihmën e agjencive të ndryshme të udhëtarëve. Mirëpo nuk është i vogël as numri i atyre që hyjnë me pasaporta të huazuara ose viza të blera turistike në ndonjë përfaqësi diplomatike në Beograd, Shkup ose Prishtinë. Kriminaliteti i organizuar në Kosovë funksionon nëpërmes një rrjeti që tejkalon kufijtë e këtij vendi. Ky internacionalizim i krimit të organizuar në Kosovë, e imponon edhe nevojën për vendosjen e formave të zgjeruara të bashkëpunimit në mes policive të vendeve të ndryshme të rajonit dhe përgjithësisht Evropës, me qëllim të koordinimit dhe zhvillimit të suksesshëm të luftës kundër tij. Një bashkëpunim eventual, sidomos në fushën e trafikimit të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore, shpëlarjes së parave, kontrabandës me armë etj, padyshim se do të ndikonte në përmirësimin e dukshëm të aftësisë së Shërbimit Policor të Kosovës dhe të policive të tjera të rajonit, në luftë kundër krimit të organizuar. Tragjedia në lumin Tisa të Hungarisë me ne fund duhet ta hapë kutinë e Pandorës. Deri me tash shumë ka munguar ndjenja e përgjegjësisë, dhe pothuaj se përgjegjësi nuk dha askush për asgjë (dihet së në Kosovë gjatë këtyre viteve ndodhën vrasje të rënda madje edhe për  motive politike dhe së fundi vjedhja e madhe në dhomën e dëshmive në Prishtinë).

Më shumë është duke u bërë luftë për pushtet se sa për shtet. Edhe fushata e radhës për zgjedhjet lokale të kësaj vjeshte po shkon në këtë drejtim. Për shkak të zhgenjimit të madh me gjendjen e krijuar, sipas të gjitha gjasave nuk do të këtë dalje masovike në zgjedhjët e 15 nëntorit. Në një shtet të vogël siç është Kosova me 2 milion banorë ku afer 50 perqind po bredhin rrugëve dhe 20 përqind  po jetojnë skajshmërisht dobët është jashtë çdo logjike të shëndoshë. Në anën tjetër edhe Bashkësia Ndërkombëtare po vazhdon me eksprimentet e saj në kurriz të popullit të Kosovës, sikurse mjekët që bëjnë eksprimente më minjë në laborator. Liberalizimi i vizave për tri shtet sllave, kështu edhe për Serbinë e pa reformuar  është njëri ndër indikatorët kryesor të tragjedisë së fundit në Tisa të Hungarisë. Në shekullin 21 vetëm shqiptarët po privohen nga e drejta për të jetuar. Kosova me asgjë nuk e meriton këtë izolim kaq të papërballueshëm. Shqiptarët janë populli më properëndimor, gjë që edhe e kanë dëshmuar me vepra shumë herë gjatë gjithë historisë së tyre...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›