Ngatërron ilaçet, vetëhelmohet 22-vjeçarja
Fierzë- Ka dashur të pijë ilaçet, por gabimisht ka marrë një tjetër kuti, duke gëlltitur lëndë helmuese. Gabimi që për pak i kushtoi jetën ka çuar në urgjencë një 22-vjeçare në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi në një fshat të komunës Fierzë të rrethit të Pukës. Sipas burimeve të policisë lokale bëhet e ditur se 22-vjeçarja me inicialet J.K, nga fshati Mzi i Fierzës përfundoi në spital pas një ngatërrese të ilaçeve.
“Vaja ka dashur të marrë ilaçet, të cilat i pinte për një sëmundje, por gabimisht ka rrëmbyer një tjetër pako, ku ka qenë e futur lëndë helmuese”- thonë burimet e policisë, duke iu referuar dëshmisë së familjarëve.
Menjëherë sapo ka pirë lëndën, vajza është ndjerë keq dhe ka kërkuar ndihmë. Familjarët e kanë gjetur në gjendje të rëndë dhe të alarmuar e kanë transportuar për në urgjencë. Mjekët kanë konstatuar helmim nga lëndë helmuese, por ende nuk kanë përcaktuar llojin e saj.
Për fat, sipas tyre vajza ka mbërritur në kohë dhe pas trajtimit nuk është në rrezik për jetën.