E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngecin negociatat, Paloka: Rama nuk po zbaton rezolutën

Ajo që thuhej se duket se ka një ngërç përpara negociatave mes Berishës dhe Ramës është deklaruar sot hapur nga deputeti i PD-së Edi Paloka. Në një deklaratë për shtyp, Paloka tha se Rama po dëshmon që nuk ka ndërmend të zbatojë rezolutën e Këshillit të Evropës, gjë që nënkupton zbatimin e pikave që u miratuan në Asamble.
"Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama me qëndrimet e ditëve të fundit ai po u tregon të gjithëve se nuk ka aspak ndërmend të zbatojë kërkesat e qarta të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për futjen e opozitës në parlament dhe për ngritjen e një komisioni hetimor, që duhet të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese", u shpreh Paloka. Sipas tij tashmë po bëhet përherë e më evidente se pushteti në tavolinë është e vetmja gjë që kërkon dhe e vetmja gjë që mund ta kënaqë Edi Ramën. "Dhe gjithmonë në funksion të kësaj aventure absurde ai duket se e ka marrë me gjakftohtësi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të Partisë Socialiste", tha deputeti demokrat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›