E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi ndryshon legalizimet, pagesa me 70% bono privatizimi

Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 72 vota pro ndryshimet në ligjin e legalizimeve, duke përcaktuar se qytetarët mund të paguajnë me bono privatizimi deri në masën 70 për qind të vlerës, dhe jo 50 për qind, sa ishte propozimi i parë. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, tha në fjalën e tij se janë propozuar disa ndryshime. Sipas Spahos, ndërtimet nën 500 metra katrorë jashtë vijës së verdhë duhet të paguajë deri në 70 për qind me letra me vlerë, ndërsa 30 për qind me lekë në dorë. Ndryshimi i dytë i propozuar nga Spaho ishte që ndërtimet brenda vijës së verdhë nën 300 metra katrorë të paguajnë deri në 70 për qind me letra me vlerë dhe 30 për qind me para në dorë. Njëkohësisht ndryshimi i tretë ishte që shtesat e pallateve mbi 100 metra katrorë të paguajnë deri në 50 për qind me letra me vlerë. Ndryshimi i katërt ka të bëjë që të gjithë e prekurit nga ligji i legalizimeve kanë të drejtë të paguajnë me bono, edhe nëse kanë paguar paratë, pasi qeveria do t’ua kthejë ato.
Ligji në fjalë bën të mundur që qytetarët të cilët legalizojnë ndërtimet e tyre, mund të paguajnë vlerën e tokës me 70 për qind me letra me vlerë. Përdorimi i letrave me vlerë apo bonove të privatizimit në procesin e legalizimeve nuk ka afat. Ligji parashikon që brenda një periudhe 3-mujore, çdo i interesuar që kërkon të paguajë ndërtimin e tij me letra me vlerë, duhet të bëjë një kërkesë tek Agjencia e Legalizimeve. Kështu, duke filluar nga data 24 nëntor e vitit të kaluar e deri më 24 shkurt, qytetarët kanë afat për të bërë kërkesës pranë ALUIZNI-t. Por, ky afat nuk ka të bëjë me përdorimin e letrave me vlerë, por thjesht me një kërkesë formale. Sipas ndryshimeve ligjore, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Referuar ligjit që hyn në fuqi në datën 24 nëntor, jo të gjithë që kanë një ndërtim pa leje mund të paguaj,ë me letra me vlerë.

Ndryshimet në ligj

Ndërtimet deri në 500 metra jashtë vijës së verdhë paguajnë deri në 70% me letra me vlerë dhe 30% me para në dorë

Ndërtimet mbi 500 metra jashtë vijës së verdhë paguajnë me para në dorë

Ndërtimet deri në 300 metra brenda vijës së verdhë paguajnë deri në 70% me letra me vlerë 30% me para në dorë

Ndërtimet mbi 300 metra brenda vijës së verdhë paguajnë me para në dorë

Shtesat e pallateve mbi 100 metra katrorë paguajnë deri në 50% me letra me vlerë

Kush ka bërë pagesat dhe disponon letra me vlerë, qeveria u kthen paratë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›