Vizat, Meta: Trafikimi njerëzor pësoi rënie
Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe qeveria ka hartuar bazën e nevojshme ligjore, si dhe strategjinë kombëtare antitrafik. Këtë fakt vuri dje në dukje ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një takimi me shoqërinë civile, përfaqësues të trupit diplomatik dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe në praninë e ministrit të Brendshëm, z. Lulzim Basha, të zhvilluar dje në mjediset e kësaj ministrie. “Arritjet e qeverisë shqiptare dhe të strukturave të specializuara kanë qenë të dukshme dhe të vlerësuara nga partnerët tanë. Qeveria shqiptare ka demonstruar dhe është plotësisht e angazhuar të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, të ndalojë shfrytëzimin e personave vulnerabël, si dhe të ndëshkojë me të gjithë rreptësinë e ligjit shfrytëzuesit e tyre”, - tha z. Meta. Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se qeveria është e vendosur të ndërtojë një partneritet të ri me shoqërinë civile dhe me të gjitha grupet e interesit në mënyrë që puna e përbashkët të përfitojë një dimension rajonal. Gjatë këtij takimi, ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, vlerësoi kontributin e znj. Vera Lesko, drejtuese e qendrës “Vatra” në Vlorë, si një nga personat e parë nga shoqëria civile, e angazhuar për një kohë të gjatë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Gjatë fjalës së hapjes, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, tha se vlerësimet për znj. Lesko mund të jenë të shumta, “por unë do ta vlerësoja si ambasadoren më të mirë të Shqipërisë në luftën kundër trafikimit. Shoqëria ka nevojë për njerëz të tillë, komunitetit i nevojitet një lider si znj. Lesko dhe unë si ministër i Jashtëm vlerësoj tek personaliteti i znj. Lesko profilin më të mirë për një Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”. Në mbyllje të takimit, z. Meta i dorëzoi znj. Lesko një Certifikatë Mirënjohjeje, përmes së cilës shprehet mirënjohja e thellë e qeverisë dhe shoqërisë shqiptare për punën dhe aktivitetin e saj në vite si dhe vlerësohet personaliteti i saj si një Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit.