Antikorrupsioni në shëndetësi, Berisha: Rritje pagave të mjekëve
Rritja e pagave të mjekëve është një ndër mënyrat se si do të çrrënjoset korrupsioni në shëndetësi, sipas Kryeministrit Berisha. Gjatë takimit me ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe drejtues të lartë të institucioneve të rëndësishme në shëndetësi, Kryeministri Berisha deklaroi se për të luftuar korrupsionin do të vijohet me rritjen e pagave. Ndërkaq, gjatë këtij takimi janë ngritur edhe grupet e punës për hartimin e një plani konkret për të bërë ndryshime rrënjësore në sistemin e shëndetësisë. Me kërkesë të Kryeministrit, Ministria do të hartojë politikat, ndërsa Task-Forca do të menaxhojë reformat në këtë sistem.
“Të merren të gjitha masat”
Kryeministri Berisha theksoi edhe një herë marrjen e të gjitha masave për të zhdukur çdo shenjë të korrupsionit në sistemin shëndetësor. “Ju keni forcën profesionale e intelektuale për të vendosur standardet më të mira në sistemin shëndetësor. Duhet të gjejmë dhe të vëmë në zbatim të gjitha mënyrat, se si ta nxjerrim këtë sistem jashtë korrupsionit. Të marrim çdo lloj mase, edhe agresive. T’i rikthejmë dinjitetin këtij misioni të rëndësishëm, misionit të mjekut. Krahas përcaktimit të procedurave antikorruptive duhet të inkurajojmë dhe rritjen e rrogave në shëndetësi”, - u është drejtuar Kryeministri të pranishmëve në këtë Task-Forcë.
Më tej, Kryeministri Berisha kërkoi hartimin e një plan-veprimi konkret, në kuadër të kësaj reforme të madhe, plan ky që, pasi të diskutohet në masën e gjerë të mjekëve, do t’i përcillet grupit ndërinstitucional.
Takimi
Në mbledhje u diskutua për gjendjen reale të shëndetësisë në vend, për politikat e reja që duhen ndjekur për standardizimin e sistemit shëndetësor, që do të plotësojë të gjitha kërkesat e publikut, për një menaxhim më të mirë të këtij sistemi, për kostimin, për edukimin në vazhdim në fushën e shëndetësisë, për gjetjen e mënyrave efikase promovuese të të gjitha masave të marra që po e zhvillojnë shëndetësinë.
Pasi theksoi se deri më tani janë bërë përpjekje të mëdha dhe ka pasur progres të pamohueshëm në drejtime të ndryshme në fushën e mjekësisë, Kryeministri Berisha përfundoi se Shqipëria është një vend me mundësi të mëdha për ta sjellë në standardet e duhura sistemin shëndetësor dhe kjo do të arrihet falë reformës që do të jetë përparësi absolute e qeverisë deri në finalizimin e saj.
Takim me Vasilin
USAID: Mbështetje të reformave në shëndetësi
Me rastin e marrjes së detyrës së re të drejtorit të USAID-it në Shqipëri dhe në kuadër të eksplorimit të mundësive të bashkëpunimit midis USAID-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë, u organizua një takim pune mes ministrit të Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, dhe drejtorit të sapoemëruar të USAID-it z. Joseph Williams dhe përfaqësuesve të tjerë të zyrës së USAID-it për Shqipërinë. Drejtori i Misionit të USAID-it, z. Joseph Williams, nënvizoi qartë se USAID do të vazhdojë të mbështesë reformat në kujdesin shëndetësor parësor, shëndetin riprodhues si dhe shëndetin e fëmijëve dhe projektin e Telemedicinës. Gjithashtu ai theksoi gatishmërinë e USAID-it për të angazhuar specialistë të njohur nga SHBA-të dhe vende të tjera sipas fushave të bashkëpunimit dhe projekteve konkrete. Projektet që do të financohen, do të jenë në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Më tej e mori fjalën ministri Vasili, i cili përgëzoi për detyrën e re shefin e USAID-it. Ai mbështeti edhe një herë reformën në kujdesin shëndetësor parësor, rolin e USAID-it në këtë reformë. Ai vlerësoi ndihmesën që USAID ka dhënë në vazhdimësi në fushën e shëndetësisë, ndihmë që është në të njëjtën linjë me vizionin e qeverisë shqiptare për përmirësimin e kujdesit shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë vlerësoi kontributin thelbësor të USAID-it përmes projektit disavjeçar “Pro shëndetit” në reformimin e kujdesit shëndetësor parësor, si një sektor kyç në përmirësimin e shëndetit të popullatës.