Ngecja e Imunitetit përplas sërish Berishën me Ramën
Tiranë- Çështja e heqjes së imunitet për zyrtarët e lartë në Shqipëri është risjellë sërish në vëmendjen e opinionit publik kur dy liderët e forcave kryesore politike në vend kanë bërë deklarata të ndërsjellta duke fajësuar njëri-tjetrin për ngecjën e procesit.
Çështja e pazgjidhur e imunitetit u rikujtua fillimisht sot nga ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila duke raportuar për ecurinë e Planit të Veprimit përpara zyrtarëve të Brukselit tha se s’ka asnjë pengesë për ta plotësuar këtë kusht të evropianëve për të marrë statusin e kandidatit.
Pak orë më vonë u shfaq në mbledhjen e përjavshme të qeverisë kreu i saj Sali Berisha i cili sërish tha se duhet miratuar ligji që e barazonte edhe atë me qytetarin kur është përballë drejtësisë duke akuzuar rivalin e tij Rama se po mbahet peng nga miliarderët e selisë rozë që sipas kryeminsitrit s’heqin dorë nga imuniteti.
Unë e ftoj nga kjo mbledhje zotin Rama të votojë heqjen e imunitetit. Të mos dëgjojë më këshillin e miliarderëve të partisë, por zërin e socialistëve të thjeshtë, të mos dëgjojë më nënkryetarin në hije të Partisë Socialiste që mbron pasuritë e tij nën hijen e imunitetit, të bëjë zgjidhjen midis imunitetit të Tom Doshit dhe interesave të ngushta të socialistit që e voton për 20 vite me radhë. Mos të dalë nga tribuna në tribunë të vajtojë për varfërinë, atë e nxit korrupsioni- tha Berisha.
Por deklaratat e kryeministrit u pasuan me ato të zoti Rama i cili përmes Twitterit akuzoi kryeministrin se po përgojon ligësisht deputetet e PS-së.
Heqjen e imunitetit e pengon Tom Doshi? Gënjeshter! Tom Doshi është Këshilli i Miliardereve në PS s”do heqjen e imunitetit vijon KM! Ligësi e gjallë, PS ka votuar çdo heqje imuniteti unanimisht, edhe për veten, pa imunitet, me votën e tij e tonën!- shkruan Rama në Twitter.
Çështja e heqjes së imunitetit është e një rëndësie të madhe në luftën kundër korrupsionit e cila valvitet ndër kriteret kryesore që BE i ka vënë si kusht Shqipërisë për ti ndezur ose jo dritën jeshile në tetor të këtij viti për të marrë statusin e vendit kandiat në familjen e madhe evropiane.
Dorina Bilbili/IDEA/