Ngërçi i Berishës me krizën e opozitësNga Mero BazeKryeministri, Sali Berisha, hodhi poshtë nga SHBA kërkesën themelore të opozitës për rihapjen e kutive të votimit, duke lënë kështu pa përgjigje krizën më të rëndë në politikën shqiptare, pas zgjedhj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ngërçi i Berishës me krizën e opozitësNga Mero BazeKryeministri, Sali Berisha, hodhi poshtë nga SHBA kërkesën themelore të opozitës për rihapjen e kutive të votimit, duke lënë kështu pa përgjigje krizën më të rëndë në politikën shqiptare, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Arsyetimi i kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij është se procesi ka përfunduar dhe nuk mund t’iu rikthehen kutive. Por në të vërtetë një hetim paraprak i regjistrimeve prej kamerave dëshmon se kjo shumicë mund të mos jetë më legjitime, nëse kutitë rihapen.
Për të forcuar besimin politik të tronditur në vend, Sali Berisha ka vetëm një rrugë. Ai duhet të bëjë ofertën e tij politike për opozitën për kërkesën e saj themelore, hapjen e kutive. Çdo përpjekje për t’i shtyrë bisedimet për këtë çështje të nxehtë, është një përpjekje për të shtyrë zgjidhjen e krizës dhe për të mbajtur peng vendin te zgjedhjet e 28 qershorit.
Shtyrja e zgjidhjes së krizës prej kryeministrit vjen nga disa arsye. Së pari ka të bëjë me faktin se Berisha dhe njerëzit e tij e dinë se ç’kanë bërë me kutitë e votimit. Duke qenë dyshues se hetimi mund të përmbysë rezultatin, ata po përpiqen të gjejnë arsye joserioze për të paraqitur një plan për zgjidhjen e kësaj krize. Bashkimi Evropian i ka kërkuar Berishës që javën e shkuar një plan për të zgjidhur krizën me opozitën, por përgjigjja e Berishës ka qenë se opozita ka probleme të brendshme lidershipi. Dje kanë përfunduar zgjedhjet në opozitë dhe Edi Rama është rikonfirmuar me një mbështetje prej 93 për qind. Tashmë, argumenti se kutitë i kërkonte Rama për t’u ribërë kryetar, ra. Berisha duhet t’i përgjigjet me seriozitet krizës me një plan.
Arsyeja e dytë përse Berisha heziton të bisedojë me opozitën, është aleanca e tij me LSI. Një vendim i tij politik për të biseduar me Edi Ramën mund të nervozonte aleatin e tij shpëtimtar, Ilir Meta. I pasigurt për këtë, Berisha po përpiqet ta banalizojë krizën duke mos dhënë asnjë përgjigje për kërkesën themelore të opozitës.
Dhe së fundmi Berisha po heziton ta zgjidhë këtë krizë dhe për një arsye shumë personale. Berisha është ndëshkuar nga historia si politikani, i cili ka nisur i pari procesin e destabilizimit të institucionit të zgjedhjeve në Shqipëri. Më pas këtë rrugë e kanë ndjekur dhe kryeministra të tjerë, siç ishte Ilir Meta në zgjedhjet e vitit 2000 dhe 2001, por Berisha e nisi i pari. Kjo ishte prova e parë që Berisha duhet të jepte si kryeministër që mund të bëjë zgjedhje të lira. Rinumërimi i kutive mund ta mbesë sërish në klasë, dhe kjo pastaj do ta kthente 28 qershorin në një histori të re negative për Sali Berishën. Historia nuk i ka dhënë atij shans të bëhet kryeministër për herë të dytë, por të bëjë zgjedhje të lira për herë të parë. Dhe ai e di që e ka humbur këtë shans. Kjo e nervozon dhe kjo po na lë në krizë.