PS i dorëzon Topallit draftin për ligjet me 3/5
Sekretari për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, ka dorëzuar sot në Kuvend propozimet e socialistëve për ligjet që kërkojnë 3/5. Xhafaj tha për mediat se propozimi i socialistëve ka për qëllim ndërtimin e një procesi të shëndetshëm, në përputhje me rekomandimet e ndërkombëtarëve, duke u fokusuar në problemet që ka kuadri ligjor.
Xhafaj u shpreh se axhenda e PS-së i është dorëzuar kryetarit të Komisioni të Ligjeve, Rusmali dhe kryetares së Kuvendit Topalli, me të cilët socialistët presin të gjejnë gjuhën e përbashkët. Dëshiroj të shpresoj që do të gjejmë gjuhën e përbashkët në sensin e nevojës për ti miratuar këto ligje ashtu siç është shprehur edhe mazhoranca, por edhe siç ka theksuar opozita. Nuk është fjala për të shtuar disa ligje në listën e ligjeve të miratuara dhe për të zhvilluar një proces formal që tu themi ndërkombëtarëve se këto ligje u miratuan, por për të adresuar realisht problemin, për të bërë një proces sa më kushtetues, sa më transparent dhe gjithëpërfshirës, që nënkupton kontributin e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, u shpreh Xhafa.