Ngërçi politik, SHBA dhe BE kërkojnë kthimin e dialogut në parlament

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, në mënyrë të bashkërenduar kanë bërë thirrje për normalizimin e jetës politike dhe për zhvillimin e debatit vetëm në parlament. Agjenda e reformave për integrimin në BE, kryefjalë e interesit të Shqipërisë. Apel që opozita t’i largohet rrugës dhe të mos dëmtojë aspiratat e të gjithë bashkëkombasve të vet
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur dje se situata politike në Shqipëri duhet të shkojë drejt një zgjidhje të plotë dhe të qëndrueshme, pasi zgjatja e ngërçit aktual, do t’i kushtonte rëndë vendit dhe aspiratave të integrimit evropian. Zyrtarë të lartë të Brukselit pohuan se ulja e palëve në tryezën e dialogut, do t’i shërbejë fund e krye tejkalimit të ngërçit politik. SHBA dhe BE janë shprehur në unison për rrugën e dialogut dhe të debatit politik, pavarësisht se thirrjet e tyre u injoruan për një kohë të gjatë nga opozita e Edvin Ramës. Nisja e protestave dhe kalimi në një akt të paprecedentë dhe tejet ekstrem, me futjen e deputetëve në grevë urie, bëri që Brukseli të shfaqë shqetësim për situatën e krijuar, në kushtet kur Shqipëria ndodhet në prag të momenteve madhor të integrimit, për liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit kandidat në BE. Kancelaritë perëndimore dhe krahas tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, inkurajojnë dialogun politik, lënien pas të mosmarrëveshjeve dhe rikthimin e vëmendjes te axhenda euro-atlantike.
SHBA/ “Shqipëria të ruajë axhendën e integrimit europian” Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën dje mbi situatën politike në Shqipëri, duke iu referuar takimit të mbrëmshëm në Strasburg, ndërmjet kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Ramës. Përmes ambasadës amerikane në Tiranë, Departamenti i Shtetit gjykon se Shqipëria duhet të fokusohet tek perspektiva e saj euroatlantike dhe të anashkalojë ngërçin politik të sajuar së fundmi si pasojë e ecejakeve absurde të opozitës nëpërmjet kërkesave të saj si hapje kutish dhe largim të qeverisë. “Mirëpresim nismën e BE-së dhe Parlamentit Europian për të organizuar një takim të udhëheqësve të shumicës dhe opozitës së Shqipërisë sonte në Strasburg. Nxisim të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë mundësi në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut dhe për të arritur një kompromis sa më shpejt që të jetë e mundur. Koha për marrëveshje është sot. Populli shqiptar ka nevojë urgjente për fundin e krizës politike dhe që Shqipëria t’i kthehet përqendrimit tek axhenda e saj euro-atlantike”- thuhet në komunikatën për shtyp të shpërndarë dje nga ambasada amerikane në Tiranë.
Brukseli/ “Opozita t’i japë fund ekstremizmit, po dëmton integrimin” Kryediplomati i spanjoll Miguel Moratinos ka pritur dje në një takim zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi u fokusua në marrëdhëniet bilaterale dhe në situatën në Ballkanin Perëndimor në kuadër të përgatitjeve për Mbledhjen e Nivelit të Lartë në Sarajevë si dhe, në veçanti, në krizën politike që po kalon aktualisht Republika e Shqipërisë. Gjatë takimit, ministri Moratinos ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Berisha, të cilin e ka inkurajuar për të gjetur një zgjidhje për krizën sa më parë që të jetë e mundur. Për këtë qëllim, ministri Moratinos pati gjithashtu një bisedë telefonike me liderin e Opozitës, Rama, të cilit i kërkoi që të përfundonte grevën e urisë që po zhvillohej prej disa ditësh. Qeveria e Spanjës u shpreh se gjetja e një zgjidhje të pranueshme do t’i japë shtysë procesit të integrimit të Shqipërisë dhe perspektivës evropiane të shqiptarëve. Presidenca e Bashkimit Evropian ka reaguar edhe më herët për situatën politike në Shqipëri. Protestat e opozitës dhe greva e urisë, janë konsideruar si lëvizje ekstreme, të cilat nuk mund të sjellin kurrsesi zgjidhje dhe dialog për tejkalimin e ngërçit. Moratinos ka vlerësuar gjithashtu se faktori politik shqiptar duhet të ecë drejt një zgjidhje të qëndrueshme dhe që t’i shërbejë kuadrit të perspektivës evropiane të vendit.
PE/ “Berisha dhe Rama të punojnë së bashku për zhbllokimin e situatës”/ Parlamenti Evropian ka komentuar se qëllimi i darkës mes Sali Berishës dhe Edi Ramës në Strasburg, është që të punojnë së bashku në zgjidhjen e problemeve aktuale politike në Shqipëri. “Udhëheqësit e Parlamentit Europian janë organizuar që të realizojnë këto bisedime, të cilat janë kyçe për zhbllokimin e situatës politike në Shqipëri. Ne duam që kryeministri Berisha dhe kreu i opozitës Rama të punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve aktuale në Shqipëri”, thuhet në njoftimin përkatës të PE-së. Letra është nënshkruar nga dy prej drejtuesve me të lartë të grupeve parlamentare kryesore në Parlamentin Evropian, Joseph Doul (kreu i të djathtëve) dhe Martin Schutlz (kreu i të majtëve). Parlamenti Evropian ëhstë shprehur solemnisht edhe më parë kundër protestave dhe grevës së urisë. Grupi i Popullorëve Evropianë, i cili është grupi politik më i madh dhe më me influencë në Bashkimin Evropian, ka dënuar njëzëri veprimtarinë e opozitës së Edi Ramës, ndoënse është bërë thirrje në vazhdimësi, për uljen në tryezën e dialogut. Por, në kushtet kur opozita fshihej pas politikës së rrugës, ligjvënësit evropianë, iniciuan me vullnetin e tyre institucional, pajtimin e palëve politike në një tryezë të rrumbullakët në Strasburg.
...