Shqipëria të ndjekë axhendën e integrimit - s’qendron kauza kontestuese për zgjedhjet

Në Strasburg i kërkohet Edi Ramës të ndalë anarkinë e t’i kthehet normalitetit
Pas disa orësh bisedimesh në Strasburg, ndërmjet kryeministrit Sal Berisha dhe kryetarit të opozitës, në prezencë edhe të zyrtarëve të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, është konfirmuar se Shqipëria duhet të vazhdojë ndjekjen e axhendës së saj të integrimit evropian. Përfaqësuesit e lartë të Brukselit kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën e krijuar në vend dhe njëherazi kanë argumentuar se palët duhet t’i nënshtrohen një dialogu të gjerë, për pajtimin e tyre, pasi siç konfirmohet, nuk është aprovuar qëndrimi i Ramës për ekzistencën e një kauze të ligjshme.
Mësohet se kreyparlamentarët si Jozef Daul nga Popullorët Evropianë, Martin Shulz nga eurosocialistët dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule, të kenë vlerësuar si të pajustifikueshme ngërçin politik në Shqipëri, duke kërkuar urgjentisht kapërcimin e tij dhe ecjen drejt rrugës së reformave dhe konsolidimit të shtetit ligjor.
Bisedimet në darkën e shtruar në restorant “Crocodile” mbaruan vonë pas mesnate, ku në thelb të çështjes ka qenë kapërcimi i situatës dhe mosbllokimi i rrugës së integrimit të Shqipërisë në këto momente të rëndësishme për vendin dhe qytetarët shqiptarë, pak ditë para se KE të marrë vendimin për liberalizimin e vizave dhe miratimin e kërkesës për statusin kandidat. Megjithatë, pritet që sot të dilet me një deklaratë zyrtare të dy grupeve parlamentare të Parlamentit Evropian, si dhe të kryeministrit Berisha dhe kreut të Partisë Socialiste.
Kryeministri Berisha sqaron mediat
“Darka në Strasburg, private, shumë shpejt do lëvizin të gjithë të lirë”
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Integrimit, kryeministri Sali Berisha informoi përfaqësuesit e medieve se takimi në Strasburg i iniciuar nga ndërkombëtarët, është private dhe se nuk mund të përfshihen në delegacionet përkatëse gazetarët. Kryeministri tha se kjo vizitë bën përjashtim nga takimet e mëparshme, pasi iniciatorët e saj janë zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian. Megjithatë kryeministri garantoi se shumë shpejt jo vetëm gazetarët por të gjithë qytetarët shqiptarë do kenë mundësi të lëvizin të lirë, pas liberalizimit të vizave.
“Këtë radhë nuk mund të marr gazetarë me vete, gjë që nuk do ta bëj në takimet e ardhshme, duke qenë se ne do të liberalizojmë vizat dhe lëvizja për të gjithë do të jetë e lirë”, u shpreh kryeministri. Kryeministri Berisha mori pjesë dje në një darkë të shtruar nga europarlamentarët Daul dhe Shulz, për nisjen e dialogut të zgjidhjes së ngërçit politik dhe vënien e palëve përballë përgjegjësive të tyre politike ndaj elektoratit dhe interesave integruese të vendit.