E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ngërçi të kalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen”

17/12/2009  Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, sugjeron periudhën kur politika të ndalë konfliktin
Ambasadori thotë se reformat duhen bazuar në konsensusin më të gjerë të mundshëm
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, pasi ka dorëzuar pyetësorin e institucionit që përfaqëson, ka kërkuar uljen e toneve të ashpra në politikën shqiptare, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara në procesin e integrimit europian. Duke përcjellë zërin e Komisionit Europian, ambasadori Lohan ka sugjeruar edhe periudhën gjatë së cilës politika shqiptare duhet të ndalë konfliktin e tejzgjatur e të nisë dialogun konstruktiv. “Ne, Komisioni Evropian, me të gjithë forcën tonë të mundshme urojmë që ky ngërç në situatën politike në Shqipëri të tejkalohet përpara ose në fillim të vitit që vjen, në mënyrë që Shqipëria të vazhdojë përpara ashtu siç dëshirojnë dhe siç e meritojnë të gjithë qytetarët shqiptarë”, - ka thënë ambasadori Lohan pasi uroi festat e fundvitit. Ai ka nënvizuar faktin se ecuria apo progresi i mëtejshëm i vendit tonë drejt Bashkimit Evropian kërkon thellim të reformave, madje edhe të vështira. Ai përsëriti qëndrimin e shprehur kohë më parë se reformat duhet të bazohen në dialog dhe konsensusin më të gjerë të mundshëm. “Për ketë arsye ne themi dhe një herë se vendi për debatin politik është në Parlament. Dhe për ta thënë atë me fjalët e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në konkluzionet apo përfundimet që ky këshill ka nxjerrë: Bashkimi Evropian u bën thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv duke u përfshirë në Parlament”, - deklaroi ambasadori Lohan. Ai u shpreh se ka regjistruar në mendje thirrjen që kryeministri Berisha i bëri opozitës për të hapur dialogun politik me opozitën.
Ambasadori Lohan, duke folur mbi pyetësorin e përpiluar nga ekspertët e Komisionit Europian, theksoi rëndësinë tepër të madhe të atyre që përbëjnë kriteret politike: funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, sundimin e ligjeve apo shtetit të së drejtës, respektin e të drejtave për minoritetet. Ai tha se KE-ja do t’i analizojë me kujdesin më të madh përgjigjet që do të jepen dhe do të përpiqet që të bëjë një vlerësim të ecurisë së prekshme që do të jetë bërë në këto fusha. Sigurisht, bëhet fjalë për ato aspekte që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit apo me shtetin e së drejtës, me luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›