E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Lituani, nënshkruhen 2 marrëveshje për krimin

17/12/2009  Kurme: Do ndihmojmë Shqipërinë
TIRANE- Shqipëria dhe Letonia nënshkruan dy marrëveshje mbi bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogave, substancave psikotrope si dhe marrëveshjen mbi Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Marrëveshja u nënshkrua nga zv/ministri i Brendshëm Avenir Peka dhe ambasadorja e Letonisë për Shqipërinë me seli në Romë, Astra Kurme. Marrëveshja ka për synim rritjen e përpjekjeve të përbashkëta dhe në mënyrë të veçantë intensifikimin e shkëmbimit të informacionit të nevojshëm për të luftuar terrorizmin, krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme dhe krime të tjera që kërcënojnë seriozisht sigurinë publike. Gjatë takimit të zhvilluar mes tyre, zv/ministri i Brendshëm Peka dhe ambasadorja e Letonisë Kurme nënvizuan pikërisht nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral në funksion të forcimit të klimës së sigurisë në rajonet përkatëse dhe në një kuadër më të gjerë në gjithë hapësirën evropiane. Zv/ministri Peka informoi ambasadoren Kurme mbi rezultatet e arritura në luftën kundër krimit të organizuar, nismat e ndërmarra nga qeveria për të luftuar të gjitha fenomenet kriminale, e po kështu për reformat e vazhdueshme në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambasadorja Kurme shprehu përgëzimet e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pranimin e kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjithashtu Kurme garantoi për mbështetjen e plotë të Letonisë për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe në mënyrë të veçantë për procesin e liberalizimit të vizave. Ambasadorja e Letonisë Astra Kurme nënshkroi sot edhe marrëveshjen mes Letonisë dhe Shqipërisë për mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, marrëveshje që nga pala shqiptare u nënshkrua nga Drejtori i Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar Shyqyri Dekavelli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›