E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrënia e mbretit

11-05-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Që të dy ishin fillestarë në lojën e shahut. Edhe vendasi, edhe i sjelli nga qyteti në fshat. Asokohe, kooperativa bujqësore e Fiersemanit, në Lushnjë, zotëronte sipërfaqe të gjerë tokash, e shtrirë në një terren thuajse në formë rrethi, vijë e harkuar që zbriste nga Spolata në Gradishtë, prej aty në Shëngjergj, vijonte përgjatë Emisarit të Myzeqesë, që njerëzia e thërrasin, atëherë e sot,  Kanali i Madh, përfshinte Gungasin, merrte kthesë në Babunjë të Vjetër e më në fund ngjitej përpjetë kodrave të Babunjës së Re për t’u mbyllur në Spolatë. Qendra ishte në Fierseman. Aty, një oborr i zgjeruar, me fare pak ndërtime të thjeshta, me shtylla në gurë, siç ngriheshin në Myzeqe, kishte në  mes një dydhomëshe  të hershme, të vogël, me tulla, çimento e taracë, e kthyer në ambulancë, pronë e rrëmbyer familjes bejlere të Gjinallarëve.
Banorët, në shumicë dërrmuese, janë vendas -  myslimanë e ortodoksë. Pakica qenë të zbritur nga diku: më të shumtët ishin çobenj, që sot u thërrasin vllehë, vendosur sidomos në Gradishtë; 40 familje kosovare, ardhur nga Kosova dhe Turqia, ishin vendosur në kodrat e Babunjës së Re, duke krijuar aty, një fshat nga e para, në vitin 1927. Kurse Gungasi, me plot vendas, kishte një lagje të mjerë, me një numër familjesh rome,  emigruar nga Kosova, vendosur në një lagje veç, por në marrëdhënie miqësore të  ndërsjellë me gungarakët. Familje  çame ishte vetëm një, ajo e Sejdinëve, shumë punëtore dhe e heshtur, e përzjerë me kosovarët e Babunjës së Re, ndoshta me shpjegimin e thjeshtë nga se kishin të njëjtin fat – ikjen e detyruar nga dherat stërgjyshore. Familja e dytë  çame nuk erdhi vet. Atë nuk e solli, përdhunshëm e për tërë natën, aty nga viti 1961, as Greqia e as Serbia, por e internoi Partia. Sapo kishte ndodhur goditja politike, thuajse asgjësuese, e disa familjeve të njohura çame – Sejko, Demi dhe Resuli. Këta të sapoardhur, qenë pinjollë të Resulëve dhe i vendosën në Fierseman. Ndër ta ishte një djalë adoleshent i hajthëm, tek i cili më shumë se djalin prej qyteti shquaje trishtimin e thellë, me vështrim të shpërndarë, nga që gjithë e keqja kishte rënë aq rëndë e vrullshëm sa, nuk mjaftonte koha për të kuptuar, le më për të marrë veten, nga një dramë deri në tragjedi.
Asokohe, vatra e kulturës e kooperativës qe njëra dhomë e ndërtesës me tri dhoma tek tullë. Ajo vinte gjatoshe, dhe për përgjegjës ishte caktuar H.Ç, një djalë që kujdesej për t’u veshur, gjithmonë i krehur, ca liberal e qortues. Ai kishte bërë kujdes të krijonte një bibliotekë. Në një kënd kishte vendosur radion sovjetike “Rodina” (Atdheu), me elementë gjysmëpërçues, domethënë, ajo qe një radio-shartim, sepse një pjesë bënte radion, pjesa tjetër bënte llambën me vajguri, me një rrethore fletësh ngjyrë argjendi, që përveçse ndriçonte, energjinë termike e kthente në energji elektrike, me të cilën ushqente mjaftueshëm pjesën radion, e prodhuar për humbëtira, ku nuk ishte kryer elektrifikimi. Përgjegjësi kishte dorë si piktor amator, dinte të stilizonte shkronjat, për të shkruar në dërrasë, karton e llamarinë, parrullat që i jepeshin. Dikur u blenë edhe dy kuti shahu, lojë për të cilën thuhej se ishte shpikur në Bashkimin Sovjetik, sepse atëherë, çdo shpikje e madhe apo e vogël, që nga sputniku i Gagarinit e deri te loja e shahut, nëpër vatrat e kulturës propagandohej se gjithçka shpikej vetëm në Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike. Por, ata që nisën të luajnë së pari me to, i përshtatën për lojën që quhej damë, nga që pakkush dinte të luante shah. Një ditë vere, me plot droje, u fut në vatrën e kulturës djali adoleshent i Resulëve,  i sapo internuar. Dhe rastisi që, në tavolinën e shahut, u ulën përballë, djali i sekretarit të partisë, nxënës në vit të dytë të shkollës së mesme, dhe djali i internuar me shkollë të ndërprerë. Vendasi zgjodhi gurët e bardhë. Të internuarit i mbetën të zinjtë. Vendasi dinte një sërë lëvizjesh, por pa i zotëruar rregullat. I ardhuri njihte rregullat, por ia kufizonin lëvizjet. Të dy ishin adoleshentë, por i sekretarit qe kokorosh e sillej trimosh, i internuari i heshtur e i vetëkontrolluar. Vendasi kishte mbështetës pas krahëve, i internuari  ishte i vetëm, ose i vetmi njeri që herë pas here i shfaqej te supi qe përgjegjësi i vatrës së kulturës, për t’ia zmbrapsur turrin djalit të sekretarit, duke i thënë, “jo, nuk lëvizet ashtu”, “jo, s’mund ta hash gurin kështu”. Dhe, loja e parë e Resulit, qysh nga ardhja në internim, sidoqoftë shkoi në fund: në fushë mbetën dy mbretërit, i bardhi dhe i ziu. E, kur mbreti i bardhë u gjend afër të ziut, djali i sekretarit e goditi mbretin e zi në fundin e drunjtë, e nxori jashtë skakierës, dhe tha:
-Fitova!
Djali i internuar i hapi sytë i habitur përballë lëvizjes së dhunshme dhe shpalljes së fitores. Dhe foli qetësisht:
-Jo, loja është remi, domethënë barazim. Në lojën e shahut mbreti nuk e ha dot mbretin.
Djali i sekretarit iu kthye me zë të ngritur:
-Unë e kam radhën e lëvizjes dhe mbreti im e kullufit mbretin tënd.
Resuli, i pafuqishëm për të dalë nga gjendja, vështroi fytyrat përreth me një buzëqeshje të ngrirë. Asnjëri nuk foli përveç përgjegjësit të vatrës se kulturës, që mëtoi ta ndante në paqë:
-Loja doli barazim, tha ai.
Djali i sekretarit kundërshtoi përsëri:
-Nuk doli barazim. Unë e hëngra mbretin tënd.
Pinjolli i familjes çame të Resulëve, u ngrit pa fjalë, kapërceu derën dhe doli në oborrin e zyrave, duke u vetëndjerë trefish i dënuar: politikisht, si origjinë, dhe në shah.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›