E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarja në Kashar, Prokuroria shqyrton materialet hetimore



TIRANË - Grupi hetimor i ngritur në Prokurorinë e Tiranës, për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të vdekjes se shtetasit Gani Kamberi tetorin e vitit të kaluar në Komunën e Kasharit, po shqyrton materialet hetimore të administruara deri më tani në funksion të dokumentimit ligjor të kësaj ngjarjeje. Burime pranë kësaj prokurorie thanë dje për gazetën se hetuesit po merren me vlerësimin e akteve procedurale të administruara nga policia dhe së shpejti do të dalin në një konkluzion përfundimtar për ngjarjen. Sipas këtyre burimeve, pjesë e shqyrtimit për prokurorinë, ndër të tjera, janë bërë edhe rezultatet e autopsisë së kufomës së Gani Kamberit, e cila u zhvarros para disa javësh me urdhër të prokurorisë. Burimet nuk dhanë hollësi të tjera për çështjen për shkak të sekretit hetimor, por konfirmuan se në ditët e ardhshme do të bëhet i ditur edhe konkluzioni përfundimtar i hetimit. Kjo ngjarje është bërë objekt rihetimi nga prokuroria pas pretendimeve të familjarëve të viktimës se Gani Kamberi ishte vrarë, përkundër dyshimeve të para të ngritura nga organet e rendit për një vetëvrasje të mundshme të tij. Shtetasi Gani Kamberi, 50 vjeç, u gjet i vdekur në tetorin e vitit të kaluar, buzë një përroi në Komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Sipas ekspertëve të kriminalistikës, viktima kishte marrë një plumb pistolete në pjesën e pasme të kokës.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›