E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bërthama” e bërthamorit



Edmond Panariti
Ata që rreken të na bindin se energjia bërthamore është formë e pastër dhe relativisht e sigurt e energjisë, harrojnë të theksojnë se kjo “aksiomë” vlen për vende të zhvilluara industriale si Franca dhe Gjermania, por jo për Shqipërinë.
Sapo e pranoi si shtet anëtar, Bashkimi Europian, e detyroi Bullgarinë ti mbyllte centralet e saj bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike, pikërisht si rrjedhoje e sigurisë së pamjaftueshme që ato paraqitnin për mjedisin dhe shëndetin e popullatës.
Ja vlen të kujtojmë së shpërthimi bërthamor në Ukrainë, ndodhi si rrjedhojë e një defekti banal në sistemin ftohës të njërit prej kazanëve të reaktorit duke shkaktuar shkrirjen e tij e cila u shoqërua me shpërthim.
Aventura bërthamore do ti krijonte vendit tonë probleme të mëdha të cilat nuk lidhen vetëm me rrezikun e aksidenteve bërthamore. Një aksident bërthamor, sado të ulta ti kishte gjasat e ndodhisë, për nga shkalla dhe shtrirja e pasojave do të ishte fatal për një popull të vogël si populli ynë, por më shumë se kaq do të përbënte edhe një katastrofë ekologjike për vendet e rajonit e më gjerë.
Për këtë arsye, vlerësimi i rrezikut të prejardhur nga centrali bërthamor, nuk mbështetet vetëm në indeksin e probabilitetit të shfaqjes së aksidenteve krahasuar me burimet e tjera alternative të energjisë, por bazohet kryesisht mbi përmasat dhe shtrirjen e pasojave ekologjike te prejardhura.
Por në një analizë të fundit, problemet e centralit bërthamor, do të na shfaqeshin edhe sikur të ndodhte që ne t’i kishim kapacitetet teknologjike, institucionale dhe burimet njerëzore për të menaxhuar një ndërmarrje të tillë.
Këto probleme do të lidheshin parasëgjithash me çështjet delikate të importit të mbushjeve bërthamore për kazanët e reaktorit.
Kjo shtron pyetjen se cilat vende do të ishin furnizuesit e mbushjeve bërthamore për reaktorët tanë ? Padyshim, që furnizues do të ishte një nga vendet e NATO-s, sepse mbushjet bërthamore konsiderohen si lëndë strategjike.
Një tjetër problem i madh do të ishte eliminimi i skorieve radioaktive nga reaktori, pas ezaurimit të zbërthimit të mbushjes bërthamore bazë. Me eliminimin e këtyre mbeturinave do të na duhej të merreshim në mënyrë të vazhdueshme. Kjo do të na detyronte të krijonim qofte edhe përkohësisht varreza të lëndëve radioaktive, ndërkohë që vuajmë për hapësira për varre për popullatën.
Në fakt “obsesioni” i bërthamorit, përpara se të përfshinte Kryeministrin tonë, pati kapur këtu e 25 vjet më parë edhe vetë diktatorin Enver Hoxha, i cili asokohe shprehu dëshirën për ndërtimin e një reaktori bërthamor eksperimental pranë Institutit të Fizikës Bërthamore
Edhe atëherë, qeveria shqiptare hyri në negociata intensive me Agjencinë Atomike të Vjenës dhe madje një grup fizikanësh shqiptarë u dërguan për specializim afatgjatë jashtë vendit.
Padyshim, vendi ynë i zhytur në një krizë të rëndë ekonomike në mesin e viteve tetëdhjetë, nuk kishte kurrfarë nevoje për këtë reaktor nuklear i cili do të ndërtohej për të prodhuar izotope radioaktive për “studime gjurmuese” nga shkenca shqiptare.
Arsyeja e vërtetë e ndërtimit të këtij reaktori, ishte se në fakt ai konsiderohej një ushqim për aureolën e madhështisë së regjimit autokrat komunist.
Por jo shumë kohë pas vdekjes se Enverit dhe sidomos pas aksidentit bërthamor me pasoja katastrofike të Ukrainës, ndërkombëtarët konstatuan se Shqipëria nuk mund të zhvillonte një kuadër normativ, teknologjik dhe të sigurisë të mjaftueshëm për të lejuar ndërtimin e një reaktori bërthamor dhe si rrjedhoje ajo punë u la përfundimisht.
Ashtu si edhe 25 vite më parë edhe sot, shqiptarët as nuk kanë nevojë dhe as mund të përballojnë kostot e një centrali bërthamor në tokën e tyre. Ai që ka nevojë, me sa duket është vetëm kryeministri i Shqipërisë, të cilit i duhen tani edhe mbushje bërthamore për të mbyllur kraterin e Gërdecit dhe krateret e tjera të qeverisjes së tij.
Vetë Gërdeci, me kërpudhën e tij të shpërthimit të ngjashme me atë të një bombe bërthamore, u dëshmoi qartësisht shqiptarëve se sa e lartë është shkalla e sigurisë për aventura të këtij lloji në vendin e tyre.
Sa për ne shqiptarët, këtu e 22 vite më parë e pësuam mjaft rëndë nga bërthamori.
Saktësisht 22 vite më parë, në muajin maj të vitit 1986, reja radioaktive me prejardhje nga shpërthimi i centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, kaloi mbi pjesën veri dhe juglindore të Shqipërisë.
Lëvizja e kësaj reje mbi Shqipëri u përllogarit dhe u vrojtua nga Instituti i Hidrometeorologjisë së Stokholmit në Suedi, i cili përgatiti për këtë qëllim edhe një hartë të ndotjes. Meqenëse asokohe, për fat të keq në Shqipëri pati reshje të dendura në zonat veri dhe juglindore të vendit, depozitimet e lëndës radioaktive Jod-131 në tokë dhe në bimësi ishin të mëdha.
Sipas të dhënave të matjeve të kryera, niveli i radioaktivitetit në qumështin e prodhuar në këto zona arriti deri në 6 herë më shumë se kufiri maksimal i lejuar, ndërsa në mishin e bagëtive deri në 45 herë më shumë.
Ajo që e bëri situatën edhe më dramatike ishte fakti se popullata e këtyre zonave, vuante në mënyrë kronike nga mungesa e jodit. Për fatin e saj të keq, në vend që ajo të kompensohej me jod normal, u kompensua bollshëm me jod radioaktiv të rënë nga qielli, duke pësuar dëme të rënda shëndetësore, të cilat ajo i ka tashmë të bartura në vite.
Sipas një studimi të kryer, përqindja e patologjive të gjëndrës tiroide, përfshirë këtu edhe kanceret në popullsinë e këtyre zonave është 6 herë më e lartë se sa mesatarja kombëtare.
Ndryshe nga të gjitha vendet evropiane, Shqipëria e kaloi në heshtje këtë dramë ekologjike kombëtare, dhe nuk mori asnjë masë parandaluese për popullin e saj.
Një tjetër fakt, i cili dëshmon se sa keq u ndot territori shqiptar nga lëndët radioaktive të Çernobilit, është bllokimi që autoritetet e Gjermanisë Lindore i bënë eksporteve shqiptare të bimëve mjekësore. Kjo gjë ndodhi dy vjet pas aksidentit bërthamor, si rezultat i zbulimit të niveleve të larta të radioaktivitetit në to.
Këto bimë të ndotura u rikthyen në Shqipëri dhe asgjësimi i tyre ende nuk dihet qartë se si u krye.
Si përfundim, më tepër se dy dekada, pas Çernobilit, dhe të gjendur përballë krizës energjetike gjithnjë e më kërcënuese, mjaft vende deficitare në burime alternative të energjisë, po e shqyrtojnë sërish dhe seriozisht, riaktivizimin e alternativës nukleare. Natyrshëm që shfrytëzimi i hapësirave jashtë territoriale për investime të kësaj natyre do të ishte më komode për shumëkombëshet e energjetikës prandaj dhe Shqipëria paraqet në këtë drejtim një “shënjestër” gjeostrategjike.
Por duke qenë se vendi ynë ka burime të mjaftueshme natyrore alternative të energjisë, ai nuk ka nevojë dhe nuk ka përse t’i drejtohet bërthamorit. Për më tepër kjo kushtëzohet edhe nga fakti se “nukleari” kërkon mbi të gjitha një kuadër shumë të avancuar ligjor, teknologjik dhe institucional të cilat vendi ynë nuk i ka dhe nuk pritet që ti ketë në një të ardhme të afërme.

5 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›