E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarja në Prishtinë, turpi në Tiranë

Nga Celo Hoxha

Tiranës duhet t’i vijë turp nga ajo që ndodhi pardje në Prishtinë.

Në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve dje u festua ditëlindja e armikut më të madh të Kosovës, pas udhëheqësve serbë, Enver Hoxhës.

Tirana duhet t’i kishte treguar vendin në histori këtij krimineli dhe jo ta linte shkrimin e historisë pezull për 18 vjet, saqë sot ndodhemi përpara situatash kaq komike: të përdhunuarit i thurin lavde bashkëpunëtorit të përdhunuesit, i cili njëkohësisht është edhe përdhunuesi i vëllezërve të tyre në anën e poshtme të Drinit.

Kosovarët dhe të gjithë shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën, ajo duhet t’u përcillet atyre nga burime zyrtare: lufta civile në Shqipëri nisi për shkak të Kosovës. Nacionalistët ishin për Shqipërinë etnike, ndërsa komunistët, të drejtuar nga serbët, ishin kundër. Librat e Uran Butkës “Lufta civile” dhe “Marrëveshja e Mukjes” nuk duhen të injorohen, ata shpalosin të vërtetën reale të mbështetur në dokumente autentike, duke sfiduar Akademitë sllavo-komuniste të Shkencave në Tiranë e Prishtinë.

Kosovarët dhe gjithë shqiptarët duhet ta lexonin në tekstin e historisë se Shqipëria e Enver Hoxhës nuk ka qenë për pavarësinë e Kosovës apo bashkimin e kombit, por për të kundërtën. Ajo ka qenë për bashkimin me ish-Jugosllavinë: në Festivalin e Rinisë në Budapest në vitin 1947 Shqipëria (e Enver Hoxhës) është paraqitur me flamurin jugosllav.

Kosovarët, që gjatë regjimit komunist vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes serbe, përfundonin në burgjet komuniste shqiptare, ku trajtoheshin më keq seç mund të ishin trajtuar në burgjet jugosllave. Shumë prej tyre vdiqën në ferrin komunist, por një pjesë janë ende gjallë, dëshmi e gjallë e krimit sllavo-komunist shqiptar.

Është e vërtetë që në vitin 1981 e më pas ka patur një retorikë për pavarësi të Kosovës nga Shqipëria komuniste, por kjo ishte vetëm retorikë nacionaliste që komunistët e përdorën për të fshehur problemet e tyre të brendshme.

Marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste dhe ish-Jugosllavisë së Titos nuk u prishën për shkak të Kosovës, por për çështje të pushtetit: Enver Hoxhës iu rrezikua pushteti dhe ai bëri reprezalje kundër bashkëpunëtorëve të tij në Tiranë dhe ndërpreu marrëdhëniet me Beogradin. Kjo ishte e gjitha.

Është turp për Partinë Demokratike të Kosovës dhe personalisht për kryeministrin Thaçi, që konsiderohet si udhëheqës i luftë së armatosur (UÇK) kundër Serbisë, që një deputet i PDK, Hydajet Hyseni, ishte pjesëmarrës në festimin e 100-vjetorit të antikosovarit më të madh të Shqipërisë, Enver Hoxhës. Kosovarët ndoshta nuk e kuptojnë sa e hidhur dhe paradoksale është të nderosh Enver Hoxhën në Prishtinë në emër të luftës së tij për pavarësinë e Kosovës, por le të imagjinojnë sikur në Tiranë të nderohej Millosheviçi dhe do ta kuptojnë ku e kam fjalën. Ata të dy e deshën Kosovën të çliruar, por nga shqiptarët, ama.

Edhe në telegramin përshëndetës të bashkëpunëtores më të ngushtë të diktatorit, Nexhmije Hoxhës, që u lexua nga i biri i saj pardje në takim, ajo i referohej Kosovës si “Kosova dhe Metohia”, ashtu siç i referohej Millosheviçi e çdo serb tjetër, ose “Kosmet” ashtu siç i referoheshin komunistët jugosllavët që gjatë Luftës së Dytë Botërore u instaluan pranë komunistëve shqiptarë për t’i vënë flakën Shqipërisë.

Kosova ka patur një histori të trazuar në tri dekadat e fundit, ndaj ka qenë detyrë e Shqipërisë për të punuar për shkrimin real të historisë.

Mirëpo Tirana duket vetë e çekuilibruar. Komunizmi këtu është ulur këmbëkryq dhe askush nuk bën ndonjë përpjekje për ta përzënë. Përveç ndonjë deklarate antikomuniste, asgjë nuk bëhet. Tirana antikomuniste harron që një sistem politik ose ekonomik (siç është komunizmi i sotëm), nuk luftohet me parulla, ose nuk di të bëjë ndryshe nga kjo metodë demagogjike.

Ne duhet t’i ishim përgjigjur me një sistem të ri që të ishte i gatshëm t’i kundërpërgjigjej çdo tentative të atij regjimi për t’u kthyer.

Sigurisht, as komunistët dhe përfaqësuesit e tij nuk duan kthimin e të njëjtit sistem politik. Nga çështje politike, komunizmi është kthyer në çështje morale. Ata, siç e tha e Nexhmije Hoxha në intervistën me Rudina Xhungën dy javë më parë, kërkojnë një vend nderi në histori. Nuk do ta zënë dot, sepse nuk e meritojnë. Por nuk do t’i lëmë pa gjë, historia ka edhe faqet e turpshme të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›