E Diel, 1 Nëntor 2026

Lul Basha ka qenë largpamës, ka blerë dhe tokën, dhe KOP-in që në janar të 2005

Nga Tema

Antena brenda familjes

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka kërkuar dje ndjekje penale për dy prokurorët që kanë shqetësuar në telefon policinë e Rinasit për të ndaluar Fazlliçin. Historia eci pak nga pak. Në fillim Nishani tha që s’kishte dëgjuar fare për Fazlliçin e jo më për policë që e shoqëronin. Tani doli që policët e shoqëronin, por prokurorët nuk kanë të drejtë t’i shqetësojnë pa mbaruar punë.

Skandali mori përmasa të mëdha, pasi futi në luftë zyrtare shtetin me drejtësinë për një person që ka krijuar telashe në çdo vend të Ballkanit.

Flamuri ishte tepër i gëzuar për këtë.

- Tani, - tha, - e kam në dorë dhe gurin, dhe arrën. Duhet të luajmë me kujdes. Është e sigurt që prokuroria e ka nisur çështjen penale, para se ai të vinte në Tiranë, por ne nuk e kemi ditur. Por problemi i parë që duhet të hetohet është se kush e dekonspiroi ardhjen e Fazlliçit. Ka shumë mundësi që ta ketë dekonspiruar Neritan Sejamini, se dhe ai luan me dy porta. Ngaqë është mërzitur me atë burrin, por ruan miqësinë me Fazlliçin, e ka pritur dhe e ka çuar për kafe në “Sheraton” që ta shikojnë të gjithë. E kanë parë, kanë njoftuar prokurorinë dhe ajo ka prerë fletëthirrjen. Kjo gjë i duhet thënë atij burrit.

E dyta, është mirë që tani Nishani dhe Alibeaj kanë hyrë në luftë. Se kishte një prirje nga këta që të mos përziheshin në këtë debat. Bënin ca deklarata neutrale, jo Fazlliç është biznesmen, jo ka të drejtë të vijë e të ikë, jo, po qe se ka gjë, prokuroria le ta hetojë. Ko ishte pak e poshtër. Ai burri thoshte “e kam mik për kokë dhe, sa herë del nga burgu, më merr në telefon”, këta bënin si parimorë. Kur të merr njeriu në telefon, sa del nga burgu, d.m.th., kur të merr të parin ty, e ka një hall që lidhet me ty. Shihet qartë që Fazlliç këtë burrin ka nënë e babë. Ky e ka bërë me pará, ndaj duhet mbrojtur. I thonë 50 milionë në tre vjet, s’janë pak.

Së treti, gjëja tjetër e mirë në këtë histori është toka në Porto Romano. Aty nuk e kapin dot Fazlliçin. Se do ngatërrohen, do bëhen lëmsh. Aty ka tokë dhe ajo firma e Argitës që ka blerë firmën e Damirit, dhe ajo firma holandeze, ku ka fut 40 për qind aksione Fazlliç etj. Janë dhjetëra hektarë tokë që do bëhen park energjitik. Janë blerë me 100 lekë metri katror. Me aq pará rron njeriu 20 breza. Ai burri e tha në mbledhje qeverie, se atë do ta bëjmë parkun më të madh energjitik në Ballkan. I takon, se e ka të vetin. Nuk u lihet të tjerëve ajo. Duhen burra të pjekur. Madje, dhe atë të madhin fare nga Amerika ka bërë mirë që e ka futur në pjesë. Të ketë dhe ai copën e vet këtu, se s’i dihet ç’ndodh. Vjen ky Ed Rama dhe thotë t’i shpronësojmë pronarët dhe të jetë shteti pronar. Se këta socialistët mendjen t’i japin prona shtetit e kanë. Ne kemi teorinë e shtetit të vogël. Ia ka pas thënë Fazlliç atij burrit që më 2004. Po je dakord me teorinë e shtetit të vogël, bëhemi miq. Ndryshe jo, se s’na përputhen pikëpamjet. Dhe Fazlliç është njeri parimor, nuk vjen për lekë këtu.

Bogdani i shkretë, që dëgjonte ligjëratën pa fund të Flamurit, u trash.

- Mirë ti që i di gjithë këto dhe m’i thua mua, po unë i shkreti ç’të bëj që do them ato që më thotë ai burri.

- Ça të thotë ai burri?

- Po ai burri më thotë, shkruaj që Mero Braçe dhe Erion Baze llomotisin për pronarë tokash në Porto Romano, po atje kanë toka vetëm Dulakët dhe ata duhet t’i dorëzojnë tokat.

- Po sikur e ke thënë njëherë këtë, - i tha Flamuri.

- S’e mbaj mend tamam, po mua këtë më thotë përditë ai, ç’të them unë. Se ti je rehat. Ty t’i thotë për t’i treguar në kafe, po unë dal e i them publikisht.

- Epo duhet të bëni një punë, se s’do t’i merrni të gjitha qyl. Erdhe nga Amerika drejt e në ministri. Nga ministria në minibashki. Tani ca prova duhet të japësh. I vetmi njeri i qartë që ka ardh për të bërë lekë pa punë nga ju është Lul Basha. Ne gëzoheshim për KOP-in në janar të 2005, ai blinte tokë në Porto Romano me një kompani holandeze, që tani na del se është 40 për qind ortake me Fazlliçin. Atij i them bos unë. Ju të tjerët jeni kot, sa për numër.

- Të tjerë hanë kumbulla, të tjerëve iu mpihen dhëmbët i thonë kësaj. Ika unë të shaj prapë këtë Mero Braçen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›