E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarje makabre, babai hedh fëmijën 2-vjeçar nga uraNga TemaNjë ngjarje tronditëse ka ndodhur dje në Shkodër, kur një 40-vjeçar ka hedhur nga ura fëmijën e vet 2-vjeçar. Fatmirësisht fëmija ka pësuar vetëm disa lëndime dhe ka mundur që të shpëtojë. A

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ngjarje makabre, babai hedh fëmijën 2-vjeçar nga uraNga Tema

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur dje në Shkodër, kur një 40-vjeçar ka hedhur nga ura fëmijën e vet 2-vjeçar. Fatmirësisht fëmija ka pësuar vetëm disa lëndime dhe ka mundur që të shpëtojë. Autori i kësaj ngjarjeje të paprecedent rezulton që të jetë Eduard Xhoka, i cili tashmë është shpallur në kërkim nga policia e qytetit verior. Burime pranë kësaj të fundit pohuan se motivi i këtij veprimi të rëndë nga Xhoka mund të ketë qenë hakmarrja ndaj së shoqes, me të cilën ishte divorcuar para disa muajsh.

Ngjarja

Ndërsa kryeministri, Sali Berisha, dhe kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, mbanin fjalime gjatë ditës së djeshme kundër dhunës në familje, në qytetin e Shkodrës ndodhte një ngjarje e rëndë. Një 40-vjeçar ka hedhur nga ura fëmijën e vet vetëm 2 vjeç. Ngjarja tronditëse ka ndodhur në qytetin e Shkodrës, pranë shinave ku kalon treni. Autori i këtij krimi është Eduard Xhoka, i cili ka tentuar që të vrasë fëmijën e vet. Pavarësisht lartësisë së madhe, fëmija ka mundur që të shpëtojë, duke pësuar vetëm disa shembje në trup, ndërsa ka thyer njërën këmbë. Kanë qenë kalimtarë të rastit ata që kanë parë fëmijën dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Kjo e fundit ka dërguar fëmijën në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa njëkohësisht nisi edhe hetimet për të zbuluar motivet që çuan 40-vjeçarin Xhoka drejt këtij veprimi. Sipas burimeve të policisë, ky i fundit është divorcuar para disa muajsh me bashkëshorten e vet, e cila kishte mundur që të fitonte kujdestarinë e fëmijës. Mendohet që të ketë qenë pikërisht ky motivi që ka çuar Xhokën drejt aktit makabër, synimi i të cilit ka qenë hakmarrja ndaj së shoqes. Gjithsesi, policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë, gjë që pritet të ndodhë pasi të merret në pyetje autori i krimit monstruoz dhe të afërmve të tjerë të fëmijës, mes të cilëve edhe së ëmës. Policia bëri me dije se tashmë është vënë në kërkim të Eduard Xhokës, i cili, menjëherë pas krimit të shëmtuar u largua nga vendi i ngjarjes për t’i shpëtuar arrestimit të policisë.

Krimi në familje në kryeqytet

Nga statistikat e policisë së kryeqytetit rezulton se, nga muaji janar, deri në fund të tetorit të këtij viti, 502 femra kanë denoncuar dhunën e ushtruar në mënyrë sistematike ndaj tyre. Dhunë kjo që më së shumti ushtrohet nga ana e bashkëshortëve apo personat që bashkëjetojnë me to. Të dhënat zyrtare publikohen nga seksioni i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje. Nga 502 padi të bëra nga ana e grave të dhunuara, 411 prej tyre kanë kërkuar nga ana e Gjykatës së Tiranës lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga kjo e fundit. Duke parë numrin e madh të kërkesave të grave të dhunuara për mbrojtje, kjo gjykatë ka caktuar prej më shumë se një viti një pesëshe gjyqtarësh, të cilët shqyrtojnë kërkesat që depozitohen në këtë gjykatë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Sipas statistikave të policisë, rezulton që femrat dhe gratë që jetojnë në Tiranë janë më të ndërgjegjësuara për dhunën dhe në të shumtën e rasteve, sapo bien pre e dhunës, e denoncojnë atë në polici. Ndërsa gratë që jetojnë në periferi dhe fshatrat e Tiranës janë më pak të ndërgjegjësuara për dhunën. Këtë e tregojnë shifrat, sipas të cilave, nga 502 denoncime të kryera në policinë e kryeqytetit, vetëm 87 prej tyre jetojnë në periferi dhe fshatrat e kryeqytetit, edhe pse, sipas burimeve të policisë, mendohet që dhuna në këto zona të jetë më e madhe dhe më sistematike. Por, edhe pse në një numër më të vogël, në gjykatën e kryeqytetit janë regjistruar edhe kërkesë-padi nga burra, të cilët kërkojnë mbrojtje nga ana e gjykatës, për shkak se dhunohen nga ana e bashkëshortëve. Statistikat e gjykatës tregojnë se 30 burra kanë kërkuar mbrojtje nga ana e kësaj të fundit, një numër pak i konsiderueshëm, nëse do të krahasohet me atë të grave që kanë kërkuar mbrojtje nga ana e gjykatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›