E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjarje prej Gjirokastrës së "pazbuluar"

Mban ngaherë një bllok shënimesh me vete. Regjistron gjithçka i duket interesante, fikson çdo personazh që takon. I mbledh aty. Ata dalin një e nga një, në kohën e duhur, atëherë kur e dinë mirë se historia e tyre është pjekur dhe është gati për t‘u servirur para lexuesit. Odise Kote është gazetar, profesion që e ndihmon tepër në krijimtarinë e tij si shkrimtar e poet. Prej pak kohësh ka sjellë për lexuesin një vëllim të ri me tregime e novela të titulluar "Vejusha". Pas poezisë i është kushtuar prozës, një gjini e cila i jep më shumë mundësi shprehjeje atij në pozicionin e shkrimtarit. "Vejusha" është një frymëzim prej Gjirokastrës së dashur, historisë së pazbuluar ende të këtij qyteti.

Prej pak kohësh ju keni publikuar librin me tregime e novela, "Vejusha". Sa kohë keni punuar për realizimin e tij?

Po ka tre muaj që ka dalë në treg vëllimi me tregime e novela "Vejusha". Për sa i përket kohës së shkrimit të tij, atë nuk e di. Besoj se nuk ka "kohë" të shkrimit, por ka një kohë kur ngacmimi, detajet, idetë, fabulat nisin të qarkullojnë brenda venave. Kjo është koha kur shpirti im mbushet me materien e duhur dhe sa mbërrin pikën e ngopjes e që pas pak do të derdhet, atëherë bëj pyetjen: A ka ardhur koha e duhur për të shkruar? Tregimet e novelat i përkasin një kohe jo të shkurtër. Novela "Vejusha" rrëfen rreth shoqërisë shqiptare të viteve 1920, ndërsa "Unaza fatale" është një tjetër version rreth figurës gati mitike e kontradiktore të Ali Pashë Tepelenës dhe i vendos ngjarjet në Janinën e viteve 1800.

Përse "Vejusha"?

Unë jam lindur dhe banoj në Gjirokastër, që besoj se është një qytet i krijuar për shkrimtarë e poetë. Dhe të mos duash, Gjirokastra të bën artist. Qyteti ka për obelisk të vetin arsimin e diturinë, ndërsa për krenari perandorake letërsinë. Ǒndodh në këtë qytet? Çdo banor i vjetër apo i ri në këtë qytet është një personazh. Në çdo ngrehinë, në çdo sokak, në çdo gur fshihet një histori. Gjirokastrës nuk i kanë munguar asnjëherë të mençurit e thekshëm, por dhe të marrët, pijanecët apo shkencëtarët, shpikësit si Dino Cico, por dhe fatndjellësit si Vehip Qorri, mësonjëtoret si Urani Rumbo e Musine Kokalari, por dhe ngjarjet e mbytjes në sepete të vajzave, edhe Branko Merxhani e personazhi anekdotik Bame Koçiu. Gjirokastra është dhe liri dhe burg, vetmi dhe urbanizim, natyrë dhe qytetërim, marrëzi dhe magji, arkitekturë e pabesueshme dhe naivitet, gri e përzishme dhe lirizëm ekzistencial. Gjirokastra është si një urë, po, po, urë ekzistenciale që funksionon, ku në dy këmbët e saj janë parajsa e ferri, e kalimi nga parajsa në ferr dhe anasjelltas është një gjë krejt normale. Kjo në të vërtetë është dhe jeta normale e këtij qyteti, ndonëse shpesh e padukshme, e paeksploruar siç duhet. Them e paeksploruar, pasi kam përshtypjen e "një keqkuptimi" në njohjen e Gjirokastrës. Gjirokastra njihet më së shumti prej Kadaresë, "Kronikë në gur", apo dhe vepra të tjera që më së shumti cekin një shtresëzim paksa të "otomanizuar" të jetës së tij. Por ka një Gjirokastër tjetër, të "pazbuluar", Gjirokastra që vjen prej shekujve I e II, apo deri në ditët tona që i ka rezistuar këtij "otomanizimi", apo dhe vetë diktaturës. Pikërisht kjo shtresë e qytetërimit gjirokastrit ka ardhur përmes novelës "Vejusha", një novelë që në thelb të saj ka mospranimin e diktaturës ose rezistencën qytetare për t‘i mbijetuar një kohe shfarosëse. Fati i një violinisteje të ardhur nga Italia e të martuar në Gjirokastër, dhe fati i një brezi intelektualësh nën diktaturë, janë thrilleri i novelës.

Nga gjithë tregimet e këtij vëllimi, a ka një që është më i dashuri për ju dhe pse?

Janë dy tregime: "Litarët" dhe "Dori". Në tregimin e parë, pos të tjerash, kam dashur të lëshoj një "klithmë" apo "goditje" si ajo e grushtit migjenian "mu n‘zemër të malit që s‘bzan", mbi dramën e shoqërisë shqiptare ose më saktë të fshatit sot. Ndërsa në tregimin e dytë, "Dori" (një ngjarje e vërtetë), i ngre kult jo thjesht dashurisë për kalin, por paqes e harmonisë mes njeriut, kafshës dhe natyrës. Kjo harmoni me linjat e saj më perfekte, me qetësinë e bukurinë delikate, vlen shumëçka. Kur njeriu i pangopur dhe egoist e thyen këtë harmoni, deri me egërsinë e tij e vret kalin, atëherë dhimbja dhe refuzimi derdhen si katarakt. Tregimet nuk rrëfehen, ato hidhen si një gjë e shenjtë në letër dhe pas saj ti shikon se si feks në trurin tënd fjala… se si ngacmon poshtë brinjëve të tua zemra…

Kryesisht, cilat janë temat që trajtoni?

Në fakt, nuk kam tema të parapëlqyera ose jo. Jam një shkrimtar që lëviz pareshtur, por që me kalimin e kohës kam nisur të mbaj edhe shënime, duke mos i besuar më vetëm "kujtesës". Ngjarjet e temat janë kudo. Kur dëgjon muzikë kishtare, shkon në meshë e bën shërbesë; kur dëgjon një të qarë fëmije, prekesh; kur dëgjon lumin që rrjedh, nuk ka si mos të ndjesh freski; kur dëgjon një vals të bukur, nis e kërcen; kur dëgjon gurgullimë uji, ke një ftesë të shuash etjen... Kjo është fuqia e "burimit". Pastaj ndodh si më tha një plak i mençur në jug, kur e pyeta për dashurinë: Të dashurit e rinj e kërkojnë me qiri bukurinë, të dashurit e vjetër e bëjnë pikë-pikë përsosmërinë. Por ndodh ndonjëherë që tre mendime të këqija të japin një ide të mirë dhe vihesh në dilemën: Do të dish të vërtetën, apo një gënjeshtër shumë të besueshme?

Nga lindin personazhet tuaja?

Personazhet kanë lindur shumë kohë para meje. Ata kanë jetën e tyre të pavarur. Shpesh janë jo shumë miqësorë me letërsinë apo me prozën time. Unë vetëm sa përpiqem të zbuloj disa prej tyre. Personazhet plotësohen çdo ditë. Ata i japin njëri-tjetrit "hua" tipare, vese, virtyte, ide, lëvizje, jetë, por edhe vdekje. Ata janë gjithnjë si "aktorët" në shesh të xhirimit, që presin të luajnë rolin e tyre, të vendosen në kontekstet e rrethanat e duhura të ngjarjeve. Hyjnë e dalin sa në një tregim apo novelë, madje edhe në kohë e periudha të ndryshme. Pa kufij të prerë. Kanë rrugën e tyre të ngjizjes, plotësimit, të formësimit e deri në shpalljen "publike".

Çfarë ju frymëzon më shumë?

Letërsia e madhe dhe etërit e saj. Janë shumë. Ata më kanë dhënë bindjen se koha e shkrimeve nuk do të vdesë kurrë. Sado përpara të ecë njerëzimi e teknika, gjithmonë do ta ruajë atë drojën tipike, mahnitjen dhe adhurimin para letërsisë së vërtetë. Shikoni ç‘ndodh me sëmundjen e Markezit, apo me shkrimtarët e ndaluar e të dënuar me vdekje nga disa shtete fondamentale. Përse tremben prej librit? Përse? Sepse libri është i pavdekshëm. Është si ajri që thithim çdo çast. Është vetë ekzistenca e njeriut.

Ka një pyetje të përditshme: A është sot koha e duhur për të shkruar? Po i them vetes. I falem çdo çasti të bekuar që më jep shansin të shkruaj. Respektoj me dëlirësinë më të madhe kohën që më jep Zoti të jetoj e të shkruaj. Këta janë kufijtë. Por në jetën e përditshme rutina është vrasëse. Përpiqem ta eliminoj, por "lufta për ekzistencë" është një fat i keq për brezin tim.

Cila është gjuha që preferoni të përdorni teksa rrëfeni ngjarjet?

Kjo është e vështirë dhe shumë teknike për ta ilustruar me pak fjalë në një intervistë. Po përpiqem ta them thjesht. Shkruaj në mënyrën që, atë që ndjej unë, njësoj si unë ta ndjejnë dhe lexuesit. Me ritëm, me fjalën e ngjyrën e duhur, me magjepsjen për të mos i ikur në asnjë çast rrëfimit. Unë shkruaj për lexuesin dhe këtë e kam të fiksuar mirë në kokë. Por ndonjëherë edhe eksperimentoj. "Thyej" rregullat e sintaksës, përmbys rendin e fjalëve, përdor e krijoj neologjizma, fjalë të mençura e fjalë nga dialektet krahinore, përdor shpesh dhe gjuhë poetike për t‘i dhënë ngarkesë fjalisë e kontekstit. Unë kërkoj vazhdimisht "vëmendjen" e lexuesit dhe kjo mënyrë më duket se e bën atë të mos e lëshojë librin nga dora. Të tjerat i gjykon vetë lexuesi.

Përveçse shkruani letërsi, ju jeni edhe gazetar. E keni përfshirë këtë pjesë të profesionit tuaj në tregime? Sa ndikon të qenit gazetar në thurjen e tregimeve apo poezive?

Po. Është një privilegj në raport me kolegët e tjerë. Disa ngjarje t‘i "dhuron" të gatshme ky profesion. Për shkak të lëvizjes, qëmtimeve, ngjarjeve e historive që të besojnë njerëz të ndryshëm, kudo. Po rrëfej një rast, tregimin "Xhexhemi". E kam marrë pothuaj gati nga burgu i Bënçës, ku unë dhe disa kolegë gazetarë e përfaqësues të OSCE-së shkuam për të parë respektimin e lirive të të drejtave të të burgosurve. Xhexhemi (emri është artistik) ishte pjesëtar i një bande të vitit 1997 e që kishte vrarë 5 vetë. Katër krime i kish pranuar, madje dhe dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa të pestin nuk e pranonte. Nuk e pranonte dhe thoshte se atë ditë ai kishte çuar nënën e sëmurë në spital dhe kërkonte nga drejtësia që të gjente autorin e krimit të pestë dhe gjykata (vendi që siç thoshte ai vetëm drejtësi nuk jepet) i thoshte: E mo, punë e madhe, si katër si pesë, njësoj është. Ti i dënuar që i dënuar je… Kjo e tërbonte fare Xhexhemin. Ou, thoshte Xhexhemi, si qenka njësoj? Po ai krimineli tjetër rri jashtë e nuk dënohet? Te vetë Xhexhemi, kriminel që drejtësia e dënoi, përroi i ndërgjegjes apo shqyrtimi i ndërgjegjes sipas Frojdit po kryhej paqësisht. Ai pranoi fajin. Dhe dënimin. Ndërsa drejtësia vetë, domethënë gjykata, nuk bën shqyrtim ndërgjegjeje dhe një kriminel e lë jashtë. Kjo temë u bë brumi i tregimit "Xhexhemi", një tregim që të vë në mendime të thella.

Po poezia? Është një gjini që e keni rrahur në disa vëllime. Çfarë është ajo për ju?

Vazhdoj të shkruaj poezi krahas prozës. Janë të dyja si enë komunikuese që i japin njëra-tjetrës. Më herët nisi me poezinë, si dashuri e parë, por më pas me sa duket ajo nuk mjaftoi. Besoj se nuk do t‘i braktis kurrë.

Ndërkaq ju keni shkruar dhe një roman. Po në këtë gjini si ndiheni?

Ishte sprova e parë në prozë. Nuk mbeta shumë i kënaqur nga vëmendja që ju kushtua, pavarësisht eksperiencës personale që fitova. Por siç thuhet, hidhi pas krahëve kujtimet e trishta, ose e kaluara do të të hajë të gjallë. Me sa duket, nuk isha në kohën e duhur dhe me përqendrimin e duhur. Ndërsa tani besoj se jam në kohë.

A mund të na përshkruani pak si ndiheni në roman, në tregim e poezi? Ku bashkohen e ku ndahen këto tri gjini?

Janë padyshim eksperienca të ndryshme. Le ta themi kështu: në roman ndihesh luftëtar i paepur, në tregim gjahtar i vëmendshëm, ndërsa në poezi një dashnor i marrë.

Çfarë të rejash jeni duke përgatitur për lexuesin?

Po shkruaj një prozë të gjatë. Le të themi një roman.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›