E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata në doganën e Morinit

Java e fundit e korrikut ka shtuar në mënyrë të paparashikuar fluksin e lëvizjes së mjeteve dhe personave në dy anët e kufirit me Kosovën. Kështu, ditët e fundit me gjithë masat shtesë të ndërmarrë nga policia e Shqipërisë, kryesisht me shtimin e sporteve në doganë, radhët e gjata, veçanërisht në Morinë që shkojnë deri në 4 km janë kthyer në një stres për udhëtarët. Burime zyrtare të policisë tregojnë se është hartuar një program i posaçëm për sezonin turistik, kryesisht për sigurimin e lëvizjes së lirë, por edhe të thjeshtimit të procedurave në kufi, për të shmangur radhët e gjata. Drejtori rajonal i kufirit, Ylber Zuberi, thotë se "fluksi këto ditë ka qenë vërtetë i madh dhe në raste të caktuara jemi gjendur në vështirësi, por me ndihmën dhe bashkëpunimin e policisë së kufirit të Kosovës po përpiqemi të zvogëlojmë radhët e gjata", tha Zyberi. Sipas tij, java e fundit ka shënuar edhe fluksin më të madh të lëvizjes që i kalon 13 mijë mjete në hyrje dhe dalje së bashku.

Gjatë periudhës nga data 1 deri më 25 korrik 2009 në doganën e Morinit dhe në ato vartëse të Qarkut të Kukësit është realizuar një fluks i madh i lëvizjes së njerëzve dhe mjeteve. Sipas burimeve nga policia e kufirit, nga fillimi i korrikut deri në javën e fundit janë regjistruar rreth 230 mijë persona në hyrje, ndërsa 180 mijë në dalje, si dhe rreth 100 mijë mjete në hyrje e dalje. Në pjesën dërmuese kanë qenë turistë kosovarë që vijnë me pushime në Shqipëri, ndërsa në numrin total janë shënuar edhe rreth 10 mijë udhëtarë të vendeve të BE-së. Krahasuar me vitin e shkuar është katërfishuar fluksi i lëvizjeve në stinën turistike, ku faktorë kryesorë, siç tregojnë udhëtarët është autostrada e re, si dhe shërbimi cilësor në bregdet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›