E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngjarjet e 21 janarit, goditet tregu i shtëpive

SHKRUAN: Sabina Veizaj 02-02-2011 12:05

Sipas agjencive imobilare, të interesuarit për të blerë shtëpi për momentin i kanë pezulluar planet, nisur nga pasiguria që tensionet politike kanë ngjallur në zhvillimet e mëtejshme në vend.

Tregu i pronave dhe i shtëpive ka marrë goditjen e radhës nga ngjarjet e 21 janarit. Sipas një vëzhgimi të gazetës “MAPO” në agjencitë imobilare në Tiranë mësohet se, rigjallërimi i vakët që kishte nisur në tregun e banesave të reja, tashmë është zvenitur nga ajo që ndodhi gjatë janarit. Të interesuarit për të blerë shtëpi, për momentin i kanë pezulluar planet, nisur nga pasiguria që tensionet politike kanë ngjallur në zhvillimet e mëtejshme në vend. Sipas, “Centry 21”, një nga agjencitë imobilare, tregu i shitjes së blerjes së pronave, këto ditë ka pësuar një frenim edhe më të madh. Ndërkohë që kishte rreth tre muaj, që kërkesa për shpi, sipas agjencive, kishte nisur të rigjallërohej për shkak se, bankat kanë çliruar kredinë për shpi. Të njëjtën situatë e pohojnë edhe punonjësit e “DEV informacion”. Ngjarjet e 21 janarit kanë frenuar shitjen e tokave dhe banesave. Më të frikësuarit në këtë drejtim janë emigrantët, të cilët i shohin ngjarjet në Shqipëri në këndvështrim tjetër. Ndërkohë, që pritjet e ndërtuesve para ngjarjeve ishin krejt të tjera. Viti 2011 parashikohej një vit i mirë për sektorin e ndërtimit, nga vetë shoqata e ndërtuesve. Sipas saj, pritet që ky vit t’i japë fund paralizës gati 2-vjeçare, të kësaj industrie shumë fitimprurëse. Sipas Ilir Hebovisë, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, sektori i ndërtimit pritet të ketë ecuri pozitive gjatë këtij viti, kryesisht gjatë 6- mujorit të dytë. “Ne shpresojmë që gjatë këtij viti të jepen leje ndërtimi në kryeqytet, pasi kjo do ta ndihmonte shumë këtë sektor”, - u shpreh Hebovia. Mirëpo tani që ngjarjet kanë rrjedhur në shina krejt të tjera, askush nuk është në gjendje të japë parashikime. Banka e Shqipërisë konfirmon, me të dhënat e saj zyrtare, krizën në këtë sektor. Të dhënat tregojnë se, niveli i çmimit të banesave ka rënë me rreth 5 për qind vitin që shkoi, si rezultat i rënies së kërkesës për banesa. Duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2009, ecuria e ngadaltë e kërkesës private në ekonomi, në përgjithësi është shoqëruar edhe me rënien e kërkesës për blerje banese. Nga ana tjetër, oferta për banesa është kushtëzuar nga rënia e numrit të lejeve të ndërtimit, si dhe nga kushtet e shtrënguara të kreditimit, të aplikuara nga bankat e nivelit të dytë. Kështu kriza zinxhir ka sjellë një rënie galopante të sektorit të ndërtimit, i cili ka një peshë të madhe me nënsektorë të tjerë, të lidhura me ndërtimin, që nga transporti, deri te punësimi. Të punësuar në këtë sektor pohojnë se prej shumë kohësh pagesat bëhen me klering. Nënkontraktorët e biznesit të ndërtimit nuk paguhen më me lekë, por me banesa ose hyrje. Ndërsa ka kohë që punonjësit fundore nuk paguhen, ose paguhen në mënyrë shumë të ç’rregullt, duke e zhvendosur krizën e sektorit në familjet e punonjësve. Dy vite para se të shpërthente kriza globale, Shqipëria kishte hyrë në radarët e tregut botëror të pronave. Agjencitë europiane ishin duke renditur Shqipërinë si një e ardhme e ndritur për tregun e pronave dhe shtëpive. Por agjencitë imobilare pohuan dje se kjo ka pak gjasa të ndodhë, sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›