E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pastrimi i parave kontroll te huajve

Më shumë sanksione dhe kufizime janë vendosur për transaksionet e fondeve që mund të kenë si qëllim pastrimin e parave. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar disa ndryshime në ligjin përkatës, duke shtuar kështu kujdesin dhe masat. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve ishte parandalimi i financimeve në vendin nga shtetas jo shqiptarë që kanë lidhje politike.

"Është ndryshe raportimi i zakonshëm për persona të zakonshëm dhe i ndryshëm raportimi për personat e ekspozuar politikisht që mund të jenë ministra, deputetë, ushtarakë të vendeve të tjera që mund të hapin llogari ose të kryejnë transaksione në subjektet shqiptare. Shtohen në listën e subjekteve që kanë detyrim për të mbikqyrur dhe raportuar transanksionet e dyshimta edhe profesionet e lira në fushën financiare dhe agjentët e përfshirë në transaksionet e pasurisë së paluajtshme", tha Florjon Mima, deputet i PD-së.

Ndryshim tjetër ishte dhe ai për uljen e pragut të përdorimit të parave. Kështu, do të kërkohet identifikim për çdo transaksion, apo përdorim parash mbi 100 mijë lekë.

"Ka vendosur pragje si për transfertat ashtu dhe për lojërat e fatit, kazinote, hipodromet dhe zyrat e këmbimit valutor që ne i kemi fiksuar tek pika 2 e këtij neni me 200 mijë lekë që do të bëhet identifikimi dhe regjistrimi i personit me këtë prag", u shpreh Arben Doçi, drejtori i Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Komisioni i Ekonomisë i miraoti me të gjitha votat pro këto ndryshime ligjore. Asnjë deputet i opozitës nuk ishte i pranishëm në diskutime dhe votimin e bërë. 

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›