Kriza në vendet arabe shton pasigurinë e investitorëve
Gjendja e tensionuar në botën arabe po shihet me shqetësim prej investitorëve të huaj dhe ka frenuar kurset në tregjet më të rëndësishme, edhe pse të dhënat për konjunkturën dhe zhvillimin janë inkurajuese. Egjiptianët që protestojnë rrugëve, nuk duan vetëm demokraci dhe liri. Ata duan të përfitojnë edhe prej ekonomisë së vendit, e cila edhe në vitin e krizës 2009 shënoi një rritje me rreth 5%. Ekonomia e Egjiptit, e cila që prej vitit 2004 është hapur për investime të huaja, ka shënuar deri para krizës rritje prej deri në 7% në vit. Por megjithë zhvillimin e suksesshëm dhe liberalizimin e ekonomisë, shumë egjiptianë, para së gjithash brezi i ri, nuk kanë punë. Elitat ekonomike të vendit kanë bërë pak për shkollimin dhe kualifikimin e të rinjve në vend dhe ekonomisë së Egjiptit i mungojnë punonjësit e rinj, - sqaron Volker Treier i Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë së Gjermanisë.