Rastet e skandaleve të përgjimit, nuk dënohen gazetarët
E premtja e zezë e gazetarisë investigative shqiptare. Kështu do të kujtohet gjatë, vendimi i djeshëm lexuar nga gjyqtari Agim Bendo, duke mos argumentuar se çfarë e ndalon një gazetar të filmojë brenda një shtëpie kur ai ftohet nga i zoti i shtëpisë.
Në Britaninë e Madhe janë me qindra rastet, kur televizionet apo gazetat kanë ekspozuar pikërisht njerëz brenda ambienteve të shtëpive të tyre dhe kjo në asnjë rast nuk ka përbërë shkelje të ligjit, në një shtet ku privatësia respektohet në nivelet maksimale. Korrespondenti i “Top Channel” në Britaninë e Madhe, Muhamed Veliu, përmend disa raste investigative ku media që i ka publikuar nuk është penalizuar asnjëherë.
Pas një investigimi dyvjeçar në vitin 2003, BBC transmetoi dokumentarin “Polici i fshehtë”. Gazetari Mark Daily u infiltrua në një akademi policore ku në ambientet e brendshme të konviktit filmoi 8 kadetë duke shprehur haptas bindjet e tyre raciste ndaj komunitetit indian në Britani. Pasi filloi të punonte si polic, gazetari mundi të filmojë në shtëpinë e dy kolegëve komente të tjera raciste. Si pasojë e dokumentarit, të tetë personazhet e tij u larguan nga forcat policore ku shërbenin dhe askush nuk e kritikoi gazetarin përse i filmoi kolegët në ambientet e shtëpisë. BBC e argumentoi filmimin sekret, përfshi infiltrimin e gazetarit në akademi, si të vetmen mënyrë për të siguruar provat e racizmit në radhët e policisë. Për këtë investigim, gazetari Mark Daly në vitin 2004 do të fitonte edhe çmime.
Yjet e futbollit anglez, Frank Lampard dhe Kieron Dyer, në qershor të vitit 2000 do të ekspozoheshin nga gazeta “News of The World”, pas filmimeve sekrete, në dhomën e një hoteli në Qipro, së bashku me dy vajza të cilave u kërkonin të pozonin nudo duke u bërë foto dhe kryer lojëra seksuale. Të dy futbollistët e turpëruar nuk kërkuan ndonjë dëmshpërblim nga gazeta për thyerje të privacisë në dhomën e hotelit. Në vitin 2002, Roger Insall, editori investigativ i gazetës “Sunday People”, duke pozuar si një vrasës me pagesë regjistroi ofertën e bashkëshortes së një biznesmeni, e cila kërkonte vrasjen e tij, për të trashëguar pasurinë prej 1 milion paund. Për këtë ngjarje gazeta ‘Daily Telegraph’ e datës 24 shtator 2002 shkruan... “Gjatë bisedës me zotin Insall në ambientet e kuzhinës në shtëpinë e saj në Gidea Park në Londër zonja Molyneux tha: E dua atë të zhdukur përgjithmonë”. Gjykata e Krimeve të Rënda në Londër dënoi Shelley Molyneux me 5 vite burg, falë bashkëpunimit mes gazetës dhe Scotland Yard. Në fund të procesit gjyqësor, gjykatësi e lavdëroi punën e gazetarit që shpëtoi jetën e biznesmenit.
Po në të njëjtin vit, prezantuesi televiziv, John Leslie, filmohet brenda në shtëpi duke thithur kokainë. Investigimi i gazetarëve të “News of the World” që siguruan këtë filmim sekret bëri që Leslie të pushohej nga puna, madje çoi në dhënien fund të karrierës si prezantues. Kate Moss, një prej modeleve më të famshme britanike, në vitin 2005 do të përbënte lajm për të gjitha mediat botërore, kur u filmua në mënyrë sekrete teksa po merrte disa viza kokainë në një studio private regjistrimi këngësh. As ajo dhe as pronarët e studios private në asnjë rast nuk iu drejtuan gjykatës për thyerje të privatësisë nga “Daily Mirror”, shkaktimin e stresit dhe humbjen e qindra mijëra paundëve nga prishja kontratës që i bëri kompania “Top Shop” ku ajo ishte modele. Katër vjet më vonë, Kerry Kantona ish-pjesëtarja e grupit muzikor “Attomic Kitten” u filmua po në mënyrë sekrete në ambientet e shtëpisë së saj duke u droguar. Në asnjë rast avokatët e saj nuk iu drejtuan gjykatës për shkelje të privatësisë, por Kantona kërkoi falje publike për veprimin e saj. Nuk janë vetëm yjet e futbollit, këngëtarët, modelet, politikanët ata të cilët në Britaninë e Madhe janë filmuar brenda në shtëpi duke kryer prapësi nga më të ndryshmet që përbëjnë interes publik për t’u ekspozuar. Investigimeve të këtij lloji nuk i kanë shpëtuar edhe pjesëtarët e familjes mbretërore. Në 4 shtator 2005 gazeta “News of The World” ekspozoi princeshën Michael, e cila përdorte statusin e anëtarit të familjes mbretërore për të shitur shtëpinë. I gjithë pazari për të shitur shtëpinë së bashku me tokën që e rrethonte, mes saj bashkëshortit dhe gazetarit që u paraqit si një blerës potencial u zhvillua në dhomën e saj të pritjes, ku edhe u filmua gjithçka. Princesha në asnjë rast nuk pretendoi për thyerje të privatësisë. Pas gjithë këtyre shembujve me të drejtë lind pyetja: Kur në Britaninë e Madhe djepin e demokracisë botërore këto filmime nga gazetarët nuk janë cilësuar në asnjë rast shkelje të privatësisë përse në Shqipëri një gjykatës si zoti Bendo, merr guximin t’i quajë filmimet e “Fiks Fare” me zotin Pango si shkelje privatësie?
#