E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Bojkot qeverisë fantazmë! Nga Skënder Minxhozi, “Mapo”Avokat, jeni shprehur së fundi se opozita duhet ta vijojë bojkotin e saj të parlamentit. Mbi çfarë logjike dhe llogarish konkrete bazohet kjo thirrje drejtuar socialistëve? Ka një rregu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ngjela: Bojkot qeverisë fantazmë! Nga Skënder Minxhozi, “Mapo”

Avokat, jeni shprehur së fundi se opozita duhet ta vijojë bojkotin e saj të parlamentit. Mbi çfarë logjike dhe llogarish konkrete bazohet kjo thirrje drejtuar socialistëve?

Ka një rregull kryesor në të gjitha marrëdhëniet demokratike: Zgjedhjet janë substanca e demokracisë. Nëse nuk funksionon sistemi i votës së lirë, kurrë nuk funksionon edhe sistemi demokratik. E gjithë Lufta e Dytë Botërore kishte vetëm një gjykim: përplasje midis regjimit politik që vjen nga vota e lirë, dhe atij tjetrit, tiranisë, që e urren votën e lirë të popullit. Në fakt, këtu konsiston edhe sot ndarja midis dy botëve”, Lindjes tiranike dhe Perëndimit demokratik. Edhe ne vetë këtë kemi vuajtur që nga viti 1924 e deri më sot. Sali Berisha i manipuloi zgjedhjet për herë të dytë në Shqipëri; kjo tani është evidente; atëherë - cila është forca që mund ta mposhtë këtë të keqe? Natyrisht më kryesorja është mosnjohja e zgjedhjeve nga opozita.

Ja, ky është bojkoti, për të cilin flasin sikur të jetë një copë dyllë e asgjë më. Bojkoti i opozitës kundrejt parlamentit është një replikë e madhe demokratike, të cilën duhet ta marrë në dorë vetë populli. Dhe kjo pastaj patjetër që do të hapë një hapësirë të re demokratike në Shqipëri. Neve nuk na qarkullojnë elitat, prandaj jemi në stanjacion në të gjitha aspektet e jetës shoqërore. Por elitat kanë ngrirë në paralizë, sepse nuk lejohet vota e lirë në asnjë aspekt të jetës sonë, e sidomos në atë të përgjithshmen, që vendos qeverisjen. Kurrë nuk do të kemi në fuqi një kryeministër të aftë dhe të përgjegjshëm, nëse ai nuk ka ardhur në pushtet nëpërmjet një procesi zgjedhor të drejtë e të barabartë. Vullneti i popullit është shtypur dhe kjo nuk është pak. Ja, ky duhet të jetë thelbi i këtij bojkoti.

A besoni se vërtet do të merret parasysh dikur kërkesa juaj dhe e partive të tjera të opozitës për hapjen e kutive të votimit?

Zotërinj, duhet të kujtoheni se këto ligje që nuk kanë lejuar hapjen e kutive, janë ligje tiranikë. Si ka mundësi që unë, si kandidat, të mos kem të drejtë të kontrolloj numërimin që i është bërë votës sime?! Pse, nga duhet t’i marrim modelet ne, nga Ahmadinexhadi? Jo zotërinj, ne e kemi modelin. A nuk e patë se si i numëroi një për një votat, me dorë madje, komisioni amerikan në Florida? Si mund të flitet me frikë për hapjen dhe rinumërimin e kutive të votimit? Dhe duhet të kujtohemi që në Amerikën e 2001, ishin quajtur numëruesit elektronikë jo të rregullt, e jo njerëzit, çka e bën ku e ku më delikat problemin.

Por ka edhe me tej: opozita e majtë kërkon komision hetimi parlamentar që të ketë objekt hapjen e kutive. Dhe e dini pse? Sepse vetëm një komision hetimi parlamentar mund të hetojë gjithçka: që nga Presidenti i Republikës, e deri në një kioskë. Gjithçka që ka të bëjë me shtetin shqiptar. Por ka edhe më: e dini ju se si është ligji aktual? Që komisionin e hetimit parlamentar e drejton mazhoranca. E shihni se si e ka futur “minaren në thes” tirania në Shqipëri? Atëherë opozita duhet ta vërë në kushtet e veta, që lidhen me hapjen e kutive, edhe amendimin e ligjit për komisionin e hetimit parlamentar. Pra ky bojkot, nëse vijon, do t’i zgjidhë të gjitha: ai do të sjellë në historinë tonë politike hapin e madh drejt vendosjes së demokracisë institucionale në Shqipëri. E pra, a e shihni se sa i domosdoshëm ka qenë ky bojkot? Prandaj, pa dyshim që ai përkrahet edhe nga të gjitha forcat e djathta opozitare, që nuk janë në parlament, por janë në opozitë.

Qeveria e re sapo ka marrë votëbesimin dhe duket se vijon e qetë në hapat e para të mandatit të saj të ri. Cili është parashikimi juaj për jetëgjatësinë e këtij ekzekutivi?

Absolutisht nuk kemi të bëjmë me një qeveri të “qetë”. Aspak, kjo është një qeveri fantazmë, që llomotit në jerm dhe që do të bjerë shumë shpejt, nëse vijon bojkoti. Si mund të ketë një qeveri pa gjysmën e parlamentit në sallë? A mund të rezistojë dot me një kotiledon një bimë dykotiledonëshe? Kurrë! E pra, edhe një parlament “monokotiledon” nuk mund të ketë, domethënë as qeveri po ashtu. Kjo është arsyeja kryesore që kjo qeveri e bojkotuar nga opozita, nuk mund të vijojë më shumë se dy muaj në këtë gjendje, si ajo bima për të cilën folëm.

Një bosht i ri politik duket se po lind. Berisha dhe Meta kanë njoftuar se do ta vazhdojnë partneritetin e tyre të paktën edhe në zgjedhjet lokale. Një transformim apo një transformizëm i radhës i politikës shqiptare?

Duhet të hapen kutitë; pas hapjes së kutive të votimit, atëherë “çifti i ri” mund të thotë çfarë të dojë; por ama me një kusht: duhet që kutitë të jenë korrekte, se, nëse dalin të manipuluara, do të jetë divorci i Metës ai që do të na spikasë i pari në ngjarjet që do të shohim pas hapjes së kutive. Sigurisht, nëse ka pak mend, natyrisht, s’mund të shkojë me të vdekurin deri në varr edhe ai. Kjo marrëveshje, pas vërtetimit të manipulimit, mund të quhet që ka qenë e detyruar si pasojë e manipulimit, dhe jo të një pikëpamjeje të njëjtë për qeverisjen. Le të presim e të shohim kohën e pas hapjes së kutive të votimit.

Jeni shprehur se me Ramën bashkëpunoni vetëm për të rrëzuar atë që e quani tirani. Çfarë formash mund të marrë ky bashkëpunim në të ardhmen?

Edi Ramës dhe Partisë Socialiste koha i ka blatuar një favor të madh: u ka dhënë mundësinë të rivendosin demokracinë në Shqipëri. Dhe kjo nuk është pak. Shqipëria është një tirani e stërzgjatur tanimë. Absolutizmi shqiptar ka nisur më 1924, atëherë kur Prifti i Madh, Fan S. Noli, themeluesi i gjuhës moderne shqipe, autori i autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, dhe edukuesi ynë i madh me shijet shekspiriane, e me të gjithë letërsinë e madhe, u largua në mërgim. Që atëherë, pavarësisht nga format ne jemi në tirani. Nëse do ta shkallmojmë tiraninë shqiptare në këtë pikë, pra te manipulimi i zgjedhjeve, atëherë kemi bërë hapin vendimtar për instalimin e demokracisë institucionale në Shqipëri. Domethënë do fillojmë të ecim drejt lirisë. Dhe kjo sigurisht që nuk është pak. E shihni se çfarë vepre të madhe kanë ndërmarrë 65 deputetë opozitarë sot? Kjo duhet të përkrahet nga i gjithë populli, e jo vetëm nga disa. E sigurisht që unë këtë lloj lëvizjeje e përkrah. Ky është një shans historik dhe socialistëve koha po ua jep për së dyti si favor, sepse ua dha edhe një herë më 1997; por atëherë ata abuzuan njëlloj me pushtetin, nëpërmjet tiranisë së tyre, natyrisht. Ja pra pse historia ka mundësi që të ecë tani demokratikisht edhe në Shqipëri. Por për këtë duhet të jemi të gjithë të bashkuar: të djathtë, të majtë, intelektualë, gazetarë të iluminuar, e gjithë bota akademike dhe rinia studentore; të gjithë bashkë për institucionalizimin demokratik të shtetit tonë. Ne jemi pa liri, sepse s’kemi drejtësi; kjo është esenca e tiranisë sonë dhe kjo duhet shkallmuar.

Ka një tezë që thotë se qeveria e re, më shumë sesa opozitën, duhet të ketë frikë krizën ekonomike e financiare. A pajtoheni me këtë konstatim?

Ne jemi prej kohësh në krizë. Krizë do të thotë nevojë për ndryshime. E ne këtë nevojë e kemi pasur në mënyrë permanente, që kur nuk mbahet mend. Por kjo krizë financiare botërore patjetër që do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen tonë të varfërisë, të papunësisë dhe të gjitha derivateve që sjell mungesa e zhvillimit. Ne kemi nevojë për zhvillim, për prodhim, në një kohë që nuk prodhojmë asgjë. Ne jemi si në një konvikt që presim të na ushqejnë prindërit, domethënë në rastin konkret emigrantët. Prandaj, për çfarë krize mund të flasësh më? Ne duam një ndryshim të shpejtë, një reformë katërfishe, e cila, para se të kalojë në treg dhe në ekonomi, duhet të kalojë si një reformë e thellë institucionale. Ja kjo mund të arrihet me këtë bojkot.

Mos ndoshta edhe kjo dëshirë për t’i hyrë historisë së këtyre njëzet vjetëve, duke e shkruar atë sipas dëshirave të lidershipit politik, është një shfaqje e absolutizmit relativ që jetojmë?

Padyshim që po. Kjo është një shenjë e plotë e asaj që shpjeguam. Sa herë tiranitë janë në krizë, duan të ngrenë kultin e Tiranit. Ky kulti i Saliut është dhe qesharak, sepse është shumë i diskredituar, sidomos me Gërdecin dhe me manipulimin e zgjedhjeve të qershorit 2009. Pastaj, me gjithë mend mendoni se ka një histori të shkruar normalisht nga zyrtarizmi shqiptar? A e mbani mend historiografinë e Enver Hoxhës? I mbani mend shtrembërimet e saj? Dhe pse duhet të jetë më ndryshe kjo e Saliut? Kjo është vetë natyra e Tiranisë. A e dini se çfarë urren më shumë një tirani dhe vetë tirani? Historinë dhe ligjin, drejtësinë dhe lirinë. E pra, si mund të ketë kohë tjetër për një të sëmurë, që e di se çfarë ka bërë, dhe ka frikë? Sigurisht që edhe kjo që shihni është frikë, e cila mendohet se mund të kalohet me gënjeshtra historike. Pse, çfarë është historia, kuti votimi që mund t’i numërosh ti si të duash? E pra këta kërkojnë të manipulojnë opinionin publik, por janë edhe naivë, sepse janë të trembur. Sot duhet qëndruar, sepse këto janë shenja të një kulti të shëmtuar, që vijnë sigurisht pas krimesh që janë kryer kundrejt popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›