E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS do vazhdojë bojkotin parlamentar deri në realizimin e transparencës së 28 qershorit”Nga TemaEdi Rama rikonfirmon qëndrimin e PS për të vazhduar bojkotin parlamentar deri në plotësimin e kushteve të vëna nga PS për transparencë të zgjedhjeve të 28

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

“PS do vazhdojë bojkotin parlamentar deri në realizimin e transparencës së 28 qershorit”Nga Tema

Edi Rama rikonfirmon qëndrimin e PS për të vazhduar bojkotin parlamentar deri në plotësimin e kushteve të vëna nga PS për transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit. Pak orë pasi Komisioni i Zgjedhjeve në PS e shpalli zyrtarisht kryetar të PS, Edi Rama paraqiti dje platformën e tij në krye të PS për katër vitet e ardhshme. Rama vlerësoi figurën e rivalit tij, Maqo Lakrori, në garën për postin e kryetarit të PS dhe premtoi se platforma e Maqo Lakrorit do të përfshihet në projektin e tij për drejtimin e PS në katër vitet e ardhshme. Rama falënderoi gjithë anëtarësinë socialiste për pjesëmarrjen në votime, si dhe për votën që i dhanë për të drejtuar PS edhe katër vitet e ardhshme. Ai tha se fushata zgjedhore brenda partisë ishte një mundësi për të matur pulsin e anëtarësisë për qëndrimin që do të mbajë PS në situatën aktuale politike.

“Pyetjes së përsëritur në ballafaqimet me anëtarësinë gjatë gjithë këtij muaji, nëse do ta vazhdojmë betejën e nisur me marrëdhëniet e kushtëzuara me parlamentin apo kushtëzimi do të mbarojë me përfundimin e këtyre zgjedhjeve në parti (?), sot i përgjigjem edhe më me forcë: Nuk ka marrëdhënie normale me këtë parlament të dalë nga zgjedhje të grabitura, në qoftë se nuk na jepet e drejta për hetim parlamentar të pavarur të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi me këtë qeveri të dalë nga manipulimi, korrupsioni elektoral e mashtrimi publik i 83 mijë qytetarëve që votuan largimin e Sali Berishës, në qoftë se nuk na njihet e drejta për të bashkëjetuar në këtë vend si të barabartë përpara Kushtetutës e ligjit dhe për t’i dhënë fund në Shqipëri shkrirjes së shtetit me pushtetin për qëllime elektorale, kërcënimeve të gjithanshme të qytetarëve opozitarë e të sipërmarrjeve private për votën, largimeve poshtëruese nga puna për hakmarrje politike, diskriminimit të opozitës në medien publike apo cenimit të rëndë të konkurrencës në media. Nuk ka Parti Socialiste të ulur në Kuvend, po vetëm opozitë të bashkuar, përtej së majtës e së djathtës, në këmbë në të gjithë Shqipërinë, në qoftë se të drejtën taksative që na e jep forca e ligjit për hapjen e kutive të votimit vazhdon të na e mohojë arbitrarisht pushteti i politikës së vjetër të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos.

Ne e dimë që nuk do të jetë e lehtë. Kundërshtarët tanë kanë me vete fuqinë e një pushteti abuziv që nuk njeh asnjë kufi për të ricikluar vetveten. Kanë me vete fuqi financiare që ne nuk i kemi. Kanë me vete fuqi mediatike që ne nuk i kemi”, - tha dje Rama.

Kreu socialist i bëri thirrje dje të gjithë socialistëve që të bashkohen dhe të kthehen në PS. “Partia Socialiste është shtëpia e të gjithë socialistëve dhe për të gjithë socialistët e socialistet, që e shkuara e interesave të vogla të mbështjella me fjalë të mëdha i largoi apo ndau nga kjo shtëpi e madhe, është koha e bashkimit nën çatinë e vlerave e parimeve të patjetërsueshme të familjes sonë politike”, - tha Rama.

Edi Rama zgjidhet kryetar i PS me 93.3% të votave të anëtarësisë socialiste

Edi Rama u shpall dje zyrtarisht kryetar i PS, i zgjedhur nga anëtarësia socialiste sipas parimit “Një anëtar, një votë”. Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PS, Genci Gjonçaj, shpalli dje rezultatet e votimit duke deklaruar Edi Ramën fitues me 93.3% të votave përkundrejt kandidatit tjetër, Maqo Lakrori, i cili mundi të marrë vetëm 6.7% të votave të anëtarësisë socialiste. Kryetari i KZP së PS deklaroi dje se, në procesin e votimit morën pjesë 55.981 anëtarë të PS ose 68% e anëtarësisë së kësaj partie. Duke krahasuar shifrat e zgjedhjeve në PS në vitin 2007, sipas Gjonçajt, anëtarësia e PS është rritur me 4.440 anëtarë më shumë, ndërsa pjesëmarrja në procesin e votimit për zgjedhjen e kryetarit të partisë është rritur në 4.5%. Gjonçaj tha se procesi i votimit në të gjitha vendvotimet u zhvillua në përputhje me kërkesat e Kodit të Zgjedhjeve, në normalitet, i qetë dhe pa asnjë problem. Gjoncaj tha se procesi i zgjedhjeve në PS ishte plotësisht transparent dhe demokratik.

Lakrori, asnjë kontestim për rezultatin e zgjedhjeve në PS

Kandidati humbës përballë Ramës në garën për postin e kryetarit të PS, Maqo Lakrori, nuk ka asnjë kontestim për procesin e zgjedhjeve në PS, madje ai vlerësoi pozitivisht procesin e zgjedhjeve duke theksuar se gara ishte një eksperiencë pozitive.

“Më lejoni që të vlerësoj eksperiencën pozitive që solli në jetën politike shqiptare ky proces konkurrimi. Unë do t’i ftoja të gjithë kundërshtarët seriozë, kur ka të tillë, që të fillojnë e të analizojnë dy projektet e lartpërmendura duke iu referuar ecurisë së ngjarjeve politike që do të vijnë. Gjithashtu, do t’i ftoja për reflektim individë të caktuar brenda PS dhe jashtë saj, të cilët për interesa të padrejta dhe shpesh edhe nga padija, bënë gjithçka mundën për ta cenuar këtë proces”, - tha Lakrori.

Rama, vizitë në shtëpinë e Dritëro Agollit

Sapo është konfirmuar zyrtarisht si kryetar i PS deri në vitin 2013, Edi Rama shkoi dje në shtëpinë e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli. I shoqëruar nga deputetët socialistë, Eduard Shalsi e Vasilika Hysi, Rama shkoi dje në familjen Agolli, prej të cilit ai mori mbështetjen tri ditë më parë, pikërisht në ditën kur po zhvilloheshin zgjedhjet në këtë parti. Në takim me Ramën, Agolli sulmoi ashpër ish-kryetarin e PS, Fatos Nano. “Nano vërtet jeton në Vjenë, në një nga qendrat më të mëdha të kulturës në Evropë, por ai sikur nuk vinte nga Vjena, por nga qenefët e Vjenës. Një keqardhje e madhe, ku mund të përfundojë njeriu, por edhe fjalët, jo vetëm të këqija, por edhe thashetheme, d.m.th., një diskutim në televizor me thashetheme, filani ka thënë, kur dëgjoi që erdha unë, filani ka thënë kështu”, - tha Agolli. Ai ka inkurajuar Edi Ramën në detyrën e tij si kryetar i PS duke theksuar se qeveria aktuale i ka ditët e shkurtra, pasi nuk është në gjendje të marrë vendime të rëndësishme.

Nisur nga kritikat që Agolli kishte lëshuar dy ditë më parë se PS duhet të shkojë në Kuvend, Rama u shpreh para profesorit të socialistëve se PS është gati të hyjë në Kuvend, nëse mazhoranca pranon të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Projekti Rama për drejtimin e PS

- Ne do të mbrojmë vendosmërisht vlerat dhe dinjitetin e Luftës Nacionalçlirimtare, ashtu sikundër pa asnjë lëkundje do të mbrojmë vlerën dhe dinjitetin e historisë tragjike të atyre që barbarisht u goditën në veprën a në jetën e tyre nga regjimi komunist.

- Ne do të mbrojmë pa asnjë mëdyshje të drejtën e të ardhurve në periferitë e Tiranës e të qyteteve të mëdha për të jetuar në strehën e ngritur pa leje me mund e sakrifica të mëdha, por do të ngremë fuqishëm zërin për të denoncuar padrejtësitë e rënda që pushteti i Sali Berishës ka bërë e vazhdon të bëjë me tokat në kurriz të pronarëve të vjetër.

- Ne do të mbrojmë të drejtën e çdo sipërmarrësi vendas ose të huaj për të investuar në Shqipëri, por nuk do të lemë rast pa treguar me gisht mëkatet e patolerueshme me pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve e me mjedisin e atdheut tonë që s’mund të shqyhet e ndyhet për përfitime të shpejta me pasoja të pallogaritshme përmes investimesh që nuk përmbushin asnjë standard evropian.

- Ne do të mbrojmë lirinë e të drejtën e konkurrencës në një vend ku këto liri e të drejta po treten në llumin e korrupsionit e të klientelizmit të shfrenuar të një pushteti që sot më shumë se kurrë duhet të përballet me rezistencën demokratike të të gjithë shoqërisë dhe jo thjesht të Partisë Socialiste, e cila do të jetë energjikisht në krah të sipërmarrjes që po lëngon dyfish për shkak të krizës ekonomike e të trysnisë anti-liri e anti-konkurrencë të pushtetit të korrupsionit, në krah të të rejave e të të rinjve që nuk fitojnë dot vendin e punës që meritojnë, në krah të bujqve e fermerëve që nuk shesin dot prodhimin e tyre të stërmundimshëm, në krah të kujtdo që nuk jeton dot me punën e tij të ndershme në Shqipërinë ku politika e vjetër e dasisë dhe e urrejtjes në pushtet vazhdon të ndajë për interesat e veta jo të bashkojë për interesat e të gjithëve.

- Ne do të jemi në krah të ish-ushtarakëve që u mohohet një e drejtë kushtetuese, ne krah të minatorëve që u mohohet një e drejtë njerëzore, në krah të personave me aftësi të kufizuar që u mohohen të drejtat më elementare.

- Ne do të jemi në krah të mësuesve e të mjekëve, që përballen me kërkesat më të mëdha e urgjente të shoqërisë dhe do të mbrojmë me këmbëngulje alternativat e programit tonë për arsimin e shëndetësinë, ndërkohë që shërbimi arsimor e shëndetësor kanë falimentuar tërësisht nën pushtetin e papërgjegjshmërisë, paaftësisë e korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›