E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria 13 vjet burg per Beqirin

Pretenca

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 13 vite burg për të pandehurin Alfred Beqiri, i cili akuzohet për trafik të narkotikëve. “Kërkojmë deklarimin fajtor të të pandehurit Alfred Beqiri për kryerje të veprës penale ‘trafikim të narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, mbetur në tentativë dhe dënimin e tij me 13 vjet burgim”, tha prokurori Behar Dibra. Sipas pretencës, Beqiri akuzohet për disa episode të trafikut të narkotikëve. Në datën 29 korrik 2006 është sekuestruar në Karaburun sasia prej 580.8 kg lëndë narkotike marijuanë dhe është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve Alket Muçaj e Roland Kapxhiu. Episodi i dytë është në datën 23 gusht 2006 ku është sekuestruar sasia prej 506 gramësh lëndë narkotike heroinë dhe u arrestua shtetasi italian, Mikele Guarino. Ndërkohë, episodi i tretë daton më 18 shtator 2006 ku është sekuestruar 60 kg lëndë narkotike marijuanë. Në këtë datë u arrestua Selam Binaj e Hysen Mehmeti. Episodi i fundit që është organizuar nga Alfred Beqiri daton më 3 tetor 2006 ku është sekuestruar sasia prej 91 pako me 92.846 kg lëndë narkotike marijuanë dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Blerim Shehaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›